BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëRindërtimi i pallateve në Shijak, një premtim pjesërisht i mbajtur

Rindërtimi i pallateve në Shijak, një premtim pjesërisht i mbajtur

Tre vite pas shkatërrimit nga tërmeti, Bashkia e Shijakut ka arritur më në fund që të ndërtojë pjesën më të madhe të pallateve për personat e prekur. Nga verifikimi në terren dhe përgjigjja e Bashkisë Shijak, Faktoje konstatoi se kanë përfunduar 26 nga 31 pallate në proces rindërtimi. Por banorët ende nuk kanë hyrë në pallatet e rindërtuar, ndërsa mbetet për t’u rehabilituar infrastruktura përreth tyre.

——————————————————————————————-

“Ka nisur puna intensivisht për ngritjen e 31 pallateve. Të 31 pallatet janë në fazën e muraturës dhe suvatimit dhe brenda muajit mars-prill, pjesa më e madhe e tyre do të jenë të përfunduara”, premtoi kryetari i Bashkisë së Shijakut,  Elton Arbana në janar të këtij viti.

Por, a ka arritur të mbyllet procesi i rindërtimit në Shijak, 3 vite pas tërmetit? Në lidhje me ndërtimin e këtyre pallateve, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shijakut.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 28 shtator 2022

Në përgjigjen zyrtare, institucioni bën të ditur se në Shijak kanë përfunduar 26 pallate, ndërsa deri në fund të vitit, procesi i rindërtimit pritet që të përfundojë.

“Në lidhje me pikën ku kërkohet informacion mbi pallatet që po rindërtohen për shkak se janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 bëjmë me dije se:

Në Bashkinë Shijak kanë përfunduar 80% e pallateve, ku nga 31 që janë në total, 5 prej tyre janë në proces rindërtimi dhe 26 prej tyre kanë përfunduar. Në këto pallate do të akomodohen 653 familje. Procesi i rindërtimit pritet të përfundojë brenda vitit 2022”, njofton Bashkia Shijak për Faktoje.

Për të parë si po shkonte procesi i rindërtimit të pallateve në Shijak, Faktoje bëri një verifikim në terren më 4 nëntor.

Në lagjen “Lugina” kishin përfunduar të gjithë pallatet, por banorët nuk ishin futur ende në shtëpitë e tyre.

Lagjia “Lugina” në Shijak, 4 nëntor 2022

Përreth pallatave rrugët ishin krejtësisht të pashtruara dhe dukej se kishte ende punë për rehabilitimin e tyre.

Lagjia “Lugina” në Shijak, 4 nëntor 2022

“Me 26 nëntor na kanë thënë që do na japin çelësat. Tani po ndajnë apartamentet me short. Nuk kemi hyrë ende, por thonë për Vit të Ri do të jenë të gjithë në shtëpitë e tyre. Por, shyqyr që u bënë. Shijaku duket një vend errësirë, kanë ikur njerëzit të gjithë, tani do kthehen prapë të gjithë”, thotë një 55-vjeçare për Faktoje.

Ndërkohë, gjatë verifikimit në terren konstatuam se kishte ende pallate, të cilat nuk kishin përfunduar.

Rruga “Brigada e 10 sulmuese” në Shijak, 4 nëntor 2022

“Pjesa më e madhe kanë përfunduar, por janë 3 pallate që janë më mbrapa me punimet, janë aty te Lagjja Popullore”, shprehet 45-vjeçarja.

Lagjia Popullore, rruga “Vesel Xhepexhiu”

Mirëpo, edhe pas përfundimit të pjesës më të madhe të pallateve, duket se në Shijak ka ende shumë punë përpara për sa i përket infrastrukturës rrugore. Në të gjitha rrugët kishte nevojë për ndërhyrje dhe shtrim.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e kryebahskiakut të Shijakut, për përfundimin e pallateve ta kategorizojmë si premtim pjesërisht të mbajtur.

 “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img