Një poster po qarkullon nëpër rrjetet sociale shqipfolëse me pretendimin se në Zvicër ofrohet shpërblim nëse raporton dikë që ka ngritur temperaturën e termostatit mbi 19 gradë celsius. Vërtetimi i “Faktoje” zbuloi se bëhet fjalë për një foto të rreme. As ky poster dhe as kjo politikë nuk ekzistojnë në Zvicër.
———————
Në Facebook, një foto e një posteri gjasme i sponsorizuar nga qeveria zvicerane po përdoret për të ngritur alarme të qeverisjes autoritare.
Foto që po qarkullon nëpër media sociale
Në poster përdoret stema zyrtare e shtetit zviceran dhe shkruhet: “A e ngroh fqinji banesën mbi 19 gradë? Ju lutem na njoftoni.” Në cep të posterit premtohet një shpërblim prej 200 frangash. Numri që shfaqet në të është numri i Departamentit të Energjisë.
Por, ky poster nuk është i vërtetë. Madje, as foto e tij nuk është e vërtetë. Foto duket se është marrë nga interneti dhe në të është vendosur më pas posteri.
Kjo foto ka qenë në qarkullim që në Shtator, dhe është deklaruar si e rreme që atëherë. Një zëdhënëse e Departamentit të Energjisë tha për gazetën zvicerane “20 Minuten” se qeveria zvicerane nuk kishte të bënte me këtë poster. “Qeveria nuk ka prodhuar postera të tillë, dhe ne nuk i kërkojmë qytetarëve të raportojnë për të tilla raste,” tha Simone Hug.
Në 14 shtator 2022, Policia Federale deklaroi se kishte nisur një hetim mbi keqpërdorimin e stemës qeveritare në këtë foto.
Lajme për masa ekstreme të marra nga qeveria zvicerane kundër atyre që supozohet që shpërdorojnë energjinë janë përgënjeshtruar nga “Faktoje” më parë. Viktimë e këtij dizinformimi ranë madje edhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin