Në Torovicë, një ndër zonat më problematike sa i përket energjisë elektrike, për shkak të rrjetit të amortizuar elektrik, po zëvendësohen më në fund shtyllat elektrike. Një muaj më parë, Faktoje publikoi një artikull mbi situatën, në kuadër të verifikimit të premtimeve të kryebashkiakëve në 10 bashki.
Në ditët përpara zgjedhjeve lokale, më 25 qershor, kandidati i PS Pjerin Ndreu, i cili fitoi mandatin e kryebashkiakut në Lezhë, tha se nevojiteshin investime në rrjetin e amortizuar të energjisë elektrike. Në një artikull të publikuar në 31 dhjetor 2020, në kuadër të verifikimit të premtimeve të zyrtarëve në 10 bashki, Faktoje raportoi se në këtë zonë, banorët vazhdonin të kalonin orë të tëra në terr për shkak të ndërprerjes aë energjisë, sa herë kishte mot të keq.
Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020
Gjatë verifikimit në terren që bëmë në fund të tetorit, banorët e Torovicës na treguan se ishin plotësisht të varur nga “luhatjet e motit”. Me fillimin e shirave dhe motit me erë riktheheshin ndërprerjet e energjisë elektrike që zgjasnin nga 10 deri në 16 orë.
Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020
Nga dëshmitë e banorëve, shtyllat e energjisë elektrike që gati po rrëzoheshin, ishin vendosur që në vitet 60′.
“Sikur pak shi të bjerë, sa për ta lagur, ne ngelëm pa drita. Pritëm 28 vjet që të bëhej rruga. Ka 2 vjet që është bërë. Duhet me prit edhe 28 të tjera, që të na rregullojnë edhe dritat.” – u shpreh një banor i Torovicës.
Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020
Më 28 janar, Faktoje u rikthye në Torovicë ku konstatoi zëvendësimin e shtyllave të amortizuara.
Rruga Lezhë-Torovicë më 28 janar 2021, foto: Inva Hasanaliaj
Në terren gjetëm punëtorë që po merreshin me vendosjen e shtyllave të reja.
Rruga Lezhë-Torovicë më 28 janar 2021, foto: Inva Hasanaliaj
Rruga Lezhë-Torovicë më 28 janar 2021, foto: Inva Hasanaliaj
Burime pranë njësisë së OSHEE Lezhë na thanë se punimet për linjën elektrike në Torovicë kanë filluar në mesin e muajit janar, 2 javë pas publikimit të artikullit nga Faktoje.
Ndërkohë në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, është njoftuar hapja e tenderit për zhvillimin e rrjetit elektrik që përfshin zonën e Balldrenit (ku bën pjesë Torovica), me afat zbatimi 48 ditë.
Procedura për ndërhyrje në rrjetin e energjisë elektrike Kthesa e Balldrenit, Lezhë
Oferta është bërë publike nga Agjencia e Prokurimit Publik, më datë 18 janar.