BallinaRajoni përmes fakteveMaqedonia e Veriut ka plan dhe frigoriferë, por jo dhe vaksina kundër virusit korona

Maqedonia e Veriut ka plan dhe frigoriferë, por jo dhe vaksina kundër virusit korona

Shefkije Alasani

Ndërsa qytetarët e Maqedonisë së Veriut presin të imunizohen përmes vaksinave numri i rasteve të reja me COVID-19 ka rënë ndjeshëm këtë periudhë. Edhe pse vaksinat mungojnë plani i vaksinimit në Maqedoninë e Veriut është gati. Siç thonë autoritetet, Maqedonia e Veriut përmes programit COVAX ka siguruar 833 000 vaksina për qytetarët e saj. Sigurimi i vaksinimit të 20% të popullsisë së saj Maqedonisë së Veriut i ka kushtuar 7.9 milion euro. Furnizimi përmes programit COVAX do të kushtojnë 10 dollarë për njësi, kosto për të cilën Maqedonia e Veriut ka paguar avans prej mbi 1.1 milion euro, pa e përfshirë këtu transportin e dozave që do vinë në Shkup. Maqedonia e Veriut është pjesë e programit Gavi COVAX, dhe është në listën e 44 vendeve që kanë e kanë bërë publik këtë bashkëpunim.

Kur duhet të arrijnë dozat e para të vaksinave?

Në fillim të nëntorit 2020, autoritetet maqedonase premtuan se vaksinat e para nga programi COVAX do të arrijnë në janar ose shkurt të vitit 2021. Një muaj më vonë, në dhjetor, u deklarua se vaksinat më së voni në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë në muajin mars ndërsa në janar do të arrijnë frigoriferët special për ruajtjen e vaksinave, si donacion nga një Fondacion Amerikan. Në një konferencë për shtyp, javën e dytë të janarit, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe siguroi se dozat e para të vaksinës do të arrijnë në shkurt falë një marrëveshje direkte të Maqedonisë së Veriut me kompaninë Pfizer. Në fund të janarit autoritet maqedonase njoftuan se kanë filluar të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e blerjes së vaksinave kundër Covid-19 nga prodhuesit kinezë “Sinovak” dhe “Sinofarm”.

“Jemi duke pritur për detaje në lidhje me kontratën, në lidhje me çmimin dhe dorëzimin dhe besoj se deri në fund të kësaj jave do t’i kemi të gjitha këto detaje. Tani nuk do të doja të flisja për afatet, por thelbi është se është e qartë që prodhuesit të cilët së pari arritën të hyjnë në treg, flasim për Pfizer, për shembull, kanë probleme me kapacitetin. Shumë vende evropiane kanë paralajmëruar padi për mospërmbushje të marrëveshjeve, Kroacia do të ndërpres procesin e imunizimit dhe kjo është diçka që na bën të punojmë praktikisht në të gjitha fushat për të siguruar një proces integral, pa pushim, që nga momenti i fillimit të imunizimit, natyrisht me të gjitha vaksinat e sigurta”, deklaroi ministri Filipçe në emisionin 360 shkallë.

Tani për tani Maqedonia e Veriut ka vetëm frigoriferë.

Venko Filipçe

Brenda 3 muajsh autoritetet duhet të mobilizohen për të menaxhuar me procesin e vaksinimit. Nga Ministria e Shëndetësisë deklaruan se: “Sipas specifikave të kësaj vaksine kundër CoVid-19 do të zbatohet një proces i shpejtë i trajnimit për vaksinim për të gjithë stafin mjekësor.” Për të realizuar këtë plan duhen të bëhen disa ndryshime, të cilat Ministria e Shëndetësisë i shpalosi në seancën e Qeverisë.

Cilat shtete premtuan se do i dhurojnë vaksina Maqedonisë së Veriut?

Ndër shtetet e para të cilat premtuan se do ndajnë me Maqedoninë e Veriut një pjesë të caktuar nga 100 milion vaksinat e siguruara nga BE-ja për shtetet evropiane që nuk janë pjesë e BE-së, ishin Polonia dhe Greqia. Edhe pse kjo ofertë u propozua në fillim të dhjetorit, deri më tani nuk ka pasur asnjë hap konkret nga vendet që ofruan ndihmë.

Bullgaria fqinje, ishte një tjetër vend anëtare e BE-së, e cila deklaroi se një pjesë të vaksinave të saj anti-kovid, do t’ia dhurojë Maqedonisë së Veriut. Vendimin ku theksohej se vaksinat kundër Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut do të mbërrijnë në të njëjtën kohë si në vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, autoritetet bullgare e nënshkruan gjatë një seance qeveritare në Sofje ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, më 12 dhjetor 2020. Megjithatë, edhe ky premtim nuk u realizua.

Venko Filipçe, RMV – Kostadin Angellov, BG

Më 18 janar 2021, kryeministri Zoran Zaev bëri të ditur se Serbia ka vendosur të solidarizohet me Maqedoninë e Veriut dhe se  8 mijë vaksina të prodhuara nga Pfizer do të blihen me çmimin e njëjtë aq sa Serbia i ka blerë nga kompania farmaceutike amerikane.

“Presidenti Vuçiq pranoi që vendin tonë ta ndihmoj me vaksina. Ai u nis me fjalë që duan të na dhurojnë këto doza, iu falënderuam edhe për këtë, por gjithsesi jemi shtet – kemi para dhe do ta paguajmë. Pas asaj, nga ana e tij u vërtetua se do të na shesin me çmimin e furnizimit që Serbia i ka blerë. Pasojnë detajet që do i diskutojnë ministrat e shëndetësisë- deklaroi për mediat Zoran Zaev.

Disa ditë më vonë kryeministri Zaev ri-theksoi se nga dita në ditë priten që në Shkup të arrijnë 8000 vaksina nga Serbia. Madje ishte vendosur edhe mënyra se si do të bëhet transporti i kontingjentit me vaksina. E megjithatë edhe pasi kaluan disa javë vaksinat nga Serbia nuk arritën në Shkup.

Cili është plani i Maqedonisë së veriut për imunizimin e popullsisë?

Edhe pse vaksinat mungojnë plani i vaksinimit në Maqedoninë e Veriut është gati. Plani kombëtar i imunizimit parasheh që brenda 24 muajve të vaksinohen 1,2 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut. Vaksina do të jetë falas dhe nuk do të jetë e detyrueshme, pra qytetarët vetë do të vendosin për imunizim.  Nga Qeveria bënë të ditur se vaksinimi do të zbatohet në tri faza, të cilat përfshijnë tri grupe me prioritet të qytetarëve.

Në fazën e parë vaksinë do të pranojnë punonjësit shëndetësorë që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me COVID-19, si dhe personat më të moshuar se 70 vjet të cilët janë me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes, komplikimeve dhe vdekjes.

“Si prioritet, tashmë i kemi me emër dhe mbiemër punonjësit shëndetësorë që do të marrin vaksinat, këtu në Qendrën Klinike në një lokacion, ndërsa në qytete të tjera në qendrat shëndetësore ku aplikohen vaksinat”, theksoi Filipçe.

Ai gjithashtu u shpreh se sa i përket qytetarëve tjerë në përputhje me moshën dhe gjendjen e tyre shëndetësore, është përpiluar një listë me emrat dhe mbiemrat e rreth 14 mijë personave, të cilët do të thirren për t’u vaksinuar nga mjekët amë.

Filipçe sqaroi se në fazën e dytë është paraparë vaksinimi i grupit së qytetarëve më të vjetër se 65 vjeç, e që janë me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes.

Gjithashtu, në këtë fazë janë përfshirë edhe personat nga 20-65 vjeç që kanë komorbiditete apo janë me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes.

Përpos kësaj, në fazën e dytë janë përfshirë edhe punonjësit shëndetësorë me një rrezik të moderuar të infektimit, punonjësit e institucioneve vitale për funksionimin normal të shoqërisë, si dhe punonjësit e institucioneve arsimore të përfshira në edukimin fizik dhe punonjësit e çerdheve.

Në fazën e tretë janë paraparë të vaksinohen punonjësit e institucioneve tjera thelbësore për funksionimin normal të shoqërisë, punonjës të tjerë në arsim, punonjësit shëndetësorë me rrezik të ulët për t’u infektuar, grupe shoqërore me rrezik më të lartë të infektimit, si dhe individë të shëndoshë të moshës 30 deri 64-vjeçare.

Ministri Filipçe gjithashtu tha se është zhvilluar një logjistikë e sigurt për pranimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinave në lokacionet ku do të bëhet vaksinimi.

Ai tha se për vaksinat të cilat nevojitet të ruhen në temperaturë prej 2-8°С do të shfrytëzohet infrastruktura shëndetësore ekzistuese. Sa i përket vaksinave që duhet të ruhen në temperaturë prej -70°С apo -20°С, Filipçe tha se janë siguruar frigoriferë që do të mundësojnë deponim qendror të vaksinave, prej ku do të shpërndahen në lokacionet ku kryhet vaksinimi.

 

Lajmin mund ta gjeni edhe në këtë link:   https://portalb.mk/727966-maqedonia-e-veriut-ka-plan-dhe-frigorifere-por-jo-dhe-vaksina-kunder-virusit-korona/

*Foto ballore: Vaksinimi, foto ilustrim nga Portalb.mk/ Arbnora Memeti

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img