BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëFurnizimi me energji elektrike në Torovicë varet nga "tekat" e motit, për shkak të rrjetit të amortizuar

Furnizimi me energji elektrike në Torovicë varet nga “tekat” e motit, për shkak të rrjetit të amortizuar

Energjia elektrike është një nga problematikat e prekura pak para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, nga kandidati për kryebashkiak të Lezhës, zoti Pjerin Ndreu. Në një intervistë për ERTV, kandidati i PS, që fitoi më pas mandatin si kryetar i Bashkisë Lezhë, identifikoi si problem parësor rrjetin e amortizuar të energjisë elektrike, për të cilin kërkoi më shumë investime.  “Faktoje” bëri një verifikim, në Torovicë, një zonë “simbol” për problematikën e energjisë elektrike nëse kishte ndryshuar situata.


25 qershor 2019, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Lezhë, kandidati Pjerin Ndreu u shpreh për ERTV se rrjeti i energjisë elektrike ka nevojë për ndërhyrje, pasi është i amortizuar. Ai e bëri këtë deklaratë edhe pse rrjeti i energjisë elektrike është jashtë kompetencave të kryetarit të bashkisë.

Do të na duhet dhe investimi në energjitikë, sepse sistemi energjitik është i amortizuar. Ne kemi marrë 4 miliardë tani, por na duhet akoma më shumë, sepse Lezha e meriton të jetë një ndër qytetet më të investuara.” – u shpreh zoti Ndreu.

Më shumë se një vit pas kësaj deklarate, “Faktoje” shkoi në Lezhë më 27 tetor, për të ndjekur nga afër këtë problematikë. Ne shkuam në Torovicë, zonë e cila vuan prej vitesh, shkëputjen e energjisë elektrike për shkak të sistemit tejet të amortizuar.

Rruga, nga qyteti i Lezhës për në Torovicë, ishte e mbushur me shtylla të përkulura të energjisë elektrike, të cilat të jepnin përshtypjen se do të rrëzoheshin nga një çast në tjetrin.

Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020

Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020

Kur mbërritëm në Torovicë, patëm mundësi të bisedonim me disa nga banorët e kësaj zone, për të mësuar se në çfarë mase ndikonte në jetën e tyre sistemi dukshëm i amortizuar i energjisë elektrike.

Hyrja e Torovicës, 27 tetor 2020

Rr. F. banor i fshatit Torovicë që nga viti 1978, tha për “Faktoje” se nëse bie shi dhe fryn erë, Torovica mbetet në terr nga mesnata deri mesditën e tjetër.

“Sa herë që bie shi e fryn erë këtu ngelim pa drita. Fiken natën dhe rrijnë deri në drekë, ose edhe deri pas dreke. Shkëputjet janë të shpeshta dhe shumë të gjata. Rrijmë 9-10 orë pa drita. Shtyllat dhe telat këtej janë vënë që në 60-n dhe s’ka vënë më kush dorë. Faturat e OSHEE i kemi paguar e kur vjen puna shih si është. Me u anku, s’ke ku ankohesh.” – u shpreh ai.

Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020

Është fat i mirë që këtë vit nuk kanë rënë shumë shira, se vjeshta deri në mbyllje të dimrit është një problem i vazhdueshëm për Torovicën, ndërsa difekti nuk është i thjeshtë për t’u identifikuar në kushte të vështira atmosferike.

“Shyqyr që s’ka rënë shumë shi këtë vit se prapë keq do e kishim punën. Nga shtatori deri në mars është problem. Zakonisht ndodh kur bie shi i rrëmbyeshëm dhe kur ka shkarkesa elektrike. Janë 10 fshatra, hajde gjeje ku e ka difektin se është sistem i shkatërruar. OSHEE na lë pas dore këtu se po të prishen në Lezhë ngre brigadën, ndërsa fshatrat janë dorë e dytë” – ankohet ai.

Torovicë, 27 tetor 2020

Një tjetër banor i zonës, që refuzoi të identifikohet, tregoi se telat përcjellës të energjisë elektrike janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa konfirmon ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.

“Shtyllat janë përtokë, janë barkas. E tërheq telin dhe i ngel bakri në dorë elektriçistit të shkretë. Ngaqë është djegur në një anë të ngel e gjitha në dorë. Shkëputjet fillojnë nga 6-7 orë deri në 11-12 orë. Por ka pasur raste që edhe 15 orë është shkëputur.” – tha ai për “Faktoje”.

Rruga Lezhë-Torovicë, 27 tetor 2020

Banori i tretë me të cilin biseduam ironizon situatën me të cilën kanë vite që bashkejetojnë.

“Sikur pak shi të bjerë, sa për ta lagur, ne ngelëm pa drita. Pritëm 28 vjet që të bëhej rruga. Ka 2 vjet që është bërë. Duhet me prit edhe 28 të tjera, të bëhen 30 vjet, që të na rregullojnë edhe dritat.” – u shpreh banori i Torovicës.

Ne pyetëm zyrtarisht Bashkinë Lezhë nëpërmjet një kërkese për informacion, se çfarë do të bëhet për përmirësimin e rrjetit të enrgjisë elektrke, me qëllim përmirësimin e situatës së furnizimit në Torovicë. Në përgjigjen e datës 13 nëntor, bashkia nuk na dha sqarime për problematikën, por tha se për këtë informacion duhet të kontaktojmë OSHEE.

Përgjigja e Bashkisë Lezhë

Pavarësisht se ky premtim është jashtë kompetencave të Bashkisë Lezhë, ne do ta konsiderojmë të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img