BallinaPremtimeA u tërhoq Basha nga premtimi për rritjen e pagës minimale në 400 euro

A u tërhoq Basha nga premtimi për rritjen e pagës minimale në 400 euro

AURORA SHPATAJ

Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, po intensifikohen premtimet për rritjen e pagave nga ana e opozitës. Faktoje konstatoi se premtimi që ka bërë kryetari i PD Lulzim Basha këtë të enjte, për rritjen e pagës minimale nuk është 400 euro, sa ç’premtoi në shtator 2019, por tashmë ka zbritur në 300 euro. Çfarë mendojnë ekspertët për të dy premtimet?


Në 18 shtator 2019, kryetari i Opozitës Lulzim Basha duke folur në Kongresin e 7-të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë , premtoi që paga minimale do jetë 400 euro gjatë mandatit të tij si kryeministër.

“Deklaroj para kësaj asambleje vendimin e PD për të kaluar brenda gjashtë mujorit të parë të qeverisjes, masën e rrogës minimale, në nivelin e 300 eurove dhe brenda 4 viteve 400 euro. Si një masë e domosdoshme për punëmarrësit, pa të cilët nuk mund të ketë treg të lirë dhe mirëqenie.”-tha zoti Basha.

Pse është e rëndësishme paga minimale për qytetarët dhe bizneset, sipas ekspertëve?

Faktoje u konsultua me ekspertë të fushës së ekonomisë mbi rëndësinë e pagës minimale.

“Paga minimale është e rëndësishme për qytetarët, ekonominë, biznesin dhe financat publike. Ajo duhet të shikohet në dy këndvështrime: paga minimale reale dhe paga minimale zyrtare mbi të cilën derdhen sigurimet dhe taksat. Rritja e pagës minimale reale vjen si rezultat i reformave, zhvillimit ekonomik, shëndetit të biznesit dhe cilësisë së kaptalit njerëzor.”- I thanë ekspertët Faktojes.

Ata japin këtë vlerësim.

“Rritja e pagës minimale reale ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e qytetarëve që do të thotë është diçka e prekshme për to. Është një tregues i rëndësishëm i shëndoshjes së ekonomisë dhe biznesit, por edhe nivelit të pagave në tërësi (si psh. paga mesatare).

Por çfarë ndodh nëse paga minimale nuk mbështetet nga një rritje reale?

“Rrija e pagës minimale zyrtare kur nuk mbështetet nga një rritje reale apo kur ka informalitet të lartë, që do të thotë nuk zbatohet në realitet, rrit koston e biznesit formal kundrejt atij biznesi jo formal, nuk ndikon në xhepat e qytetarëve drejtëpërsëdrejti. Mund të nxisë informalitetin si dhe të ndikojë në nivelin e punësimit. Nga ana tjetër,rritja vetëm zyrtare e pagës minimale do të përkthehej në më shumë  të ardhura për buxhetin e shtetit nga ata që janë biznese formale dhe të vetëpunësuarit.”- konkludojnë ekspertët për Faktoje.

Duke iu rikthyer premtimeve të zotit Basha, sot gjatë prezantimit të programit ekonomik të Partisë Demokratike, rritja e pagës minimale të premtuar nuk ishte më 400 euro, siç deklaroi në shtator të 2019-s, por 300 euro.

“Unë angazhohem që të rris pagën minimale dhe ta çoj atë në 36.000 mijë lekë të reja në muaj.”-tha Basha.

Faktoje pyeti dhe kryetarin e Partisë Demokratike se cilat ishin arsyet që u tërhoq nga premtimi i bërë para thuajse një viti e gjysmë, për rritjen e pagës minimale në 400 euro.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi një përgjigje nga zoti Basha.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img