KLEVIS PALOKA
“70 dokumente duke filluar nga Janari në Tiranë, do të jepen në një kioskë, kjo është njësoj si bankomati, mjafton të vendosësh një ID, do të paguash aq sa është tarifa dhe do të printohet nga një makineri dokumenti që kërkon”,– kështu premtoi në 7 dhjetor 2017, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në konferencën e parë rajonale me temë “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes”, organizuar nga PNUD-i.
Për të parë nëse është mbajtur ky premtim, FAKTOJE kreu vëzhgime në terren gjatë periudhës janar-shkurt 2018 dhe rezulton se kioskat e sipërpërmendura fizikisht janë vendosur por ende nuk kanë nisur të funksionojnë. Të pyetur se kur mund të bëhen të aksesueshme për shërbimin e shpjeguar nga kryebashkiaku, punonjësit e bashkisë më të madhe në vend, nuk e kanë një përgjigje të tillë. FAKTOJE vëzhgoi kioskat e vendosura në godinën qendrore të Bashkisë Tiranë, në njësinë administrative nr.1 & nr.2, në njësinë administrative nr.5 dhe në njësinë administrative nr.11.
Gjithashtu sipas Bashkisë Tiranë, “sistemet e-kiosk” janë implementuar edhe në njësinë administrative Vaqarr, njësinë administrative Petrelë, njësinë administrative Farkë, në njësinë administrative Bërzhitë, në njësinë administrative Baldushk dhe në njësinë administrative Shëngjergj.
Sakaq sipas Bashkisë Tiranë, dokumentacionet që do të ofrohen në këto “sisteme e-kiosk” janë:
1) çertifikatë personale për institucione private; 2) çertifikatë personale e përkthyer në gjashtë gjuhë të huaja për paraqitje në ambasadë ose në shtete të tjera; çetifikatë martese për dokument; 4) vërtetim vendbanimi dhe po punohet që në vijimësi që të shtohen edhe disa shërbime të tjera, por Veliaj premtonte se do të merren 70 dokumente. Përsa i përket shifrës së dokumentave që do të tërhiqen nga këto kioska, do ta verifikojmë në vijim, kështu që konkluzioni i mëposhtëm vlen për funskionimin e kioskave të premtuara nga kyebashkiaku Veliaj.
Duke u bazuar mbi vëzhgimin e realizuar nga FAKTOJE, premtim i dhënë nga kryebashkiaku Veliaj është i PAMBAJTUR, të paktën deri tani.