Ligji ukrainas për shërbimin ushtarak ndalon rekrutimin e personave nën 18 vjeç pavarësisht propagandës ruse që qarkullon në rrjet për krijimin e reparteve ushtarake me të mitur. Verifikimet tregojnë se këto pretendime janë të pabaza dhe të nxitura nga propaganda ruse. 

Përdorues në rrjete sociale pretendojnë se Ukraina po dërgon edhe fëmijë në frontin e luftës me Rusinë për shkak të humbjeve të shumta në rradhët e saj.  “Tashmë 17-vjeçarë ukrainas po vriten në front. Në Ukrainën perëndimore grupi i parë luftarak i të miturve”, shoqëron një postim foton e një grupi të rinjsh me uniformën ushtarake me simbole ukrainase. 

Ky është një nga dhjetra postimet që po qarkullojnë sërish në rrjete sociale, duke nxitur pretendimin se Ukraina ka ulur pragun e moshës për shërbimin ushtarak. 

POSTIMI I INVESTIGUESIT SHKRIMOR, 7 DHJETOR 2023


Por e vërteta është se pretendime të tilla nuk mbështeten me prova dhe fakte dhe janë krejtësisht arbitrare. 

Kolegët tanë të truthmeter.mk dhe observers.france24.com kanë verifikuar se Ukraina nuk rekruton persona më të rinj se 18 vjeç. Verifikimet tregojnë se shërbimi ushtarak nuk ka ulur pragun e moshës nën 18 vjeç. 

Rekrutimi i fëmijëve brenda forcave të armatosura është kundër ligjit në Ukrainë. Më konkretisht, neni 15 i Ligjit për Shërbimin Ushtarak në Ukrainë specifikon:

‘Qytetarët ukrainas, seksi i të cilëve është mashkull, që janë të shëndetshëm, që kanë mbushur moshën 18 vjeç në ditën e fillimit të shërbimit dhe personat që nuk kanë mbushur ende 27 vjeç dhe që nuk kanë të drejtë për përjashtim apo shtyrje.’ 

Asnjë investigim i deri tanishëm nuk ka mundur të dokumentojë dhe mbështesë pretendimet se fëmijët ukrainas po luftojnë në vijën e parë. 

France 24 Observers foli me Denis Krivosheev, nga organizata vrojtuese për të drejtat e njeriut, Amnesty International. 

‘Amnesty International nuk ka njohuri për rastet e dokumentuara të fëmijëve-ushtarëve në ushtrinë ukrainase’, tha ai. 

Shumë shpesh, profilet pro-ruse të rrjeteve sociale përhapin zëra se Ukraina po dërgon fëmijë në vijën e parë për të luftuar ushtarët rusë, shkruan France 24 Observers.  Faktoje ka verifikuar disa prej tyre. 

Pretendime të tilla u publikuan kur Andrew Peter Napolitano, ish-analist i kanalit televiziv konservator amerikan Fox News, intervistoi Douglas McGregor, ish-ushtar amerikan dhe bashkëpunëtor i shpeshtë i Fox. Gjatë intervistës, McGregor pohoi se të rinjtë ukrainas u morën nga klubet e natës dhe u dërguan për të luftuar. Megjithatë, ai nuk ofroi asnjë provë për pretendimet e tij. E gjithë kjo çon në përfundimin se asnjë provë nuk e vërteton pretendimin se Ukraina dërgon fëmijë në frontin e luftës për të luftuar kundër rusëve. Pretendime të tilla janë arbitrare dhe nuk mbështeten me fakte. Ligji i Ukrainës për Shërbimin Ushtarak ndalon rekrutimin e personave nën 18 vjeç. Prandaj, faktet e paskontrolluara vlerësohen si të pavërteta.

Redaktooi Viola Keta & Aimona Vogli