Një video e Liridona Ademaj, e cila u vra në 29 nëntor me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli, që ka qarkulluar në rrjete sociale pas vdekjes së saj, është prodhuar me anë të teknologjisë deepfake.

—————————————————-

Pas vrasjes së 30-vjeçares Liridona Ademaj në Kosovë, një video e fabrikuar e imazhit të saj nisi të shpërndahej në rrjete sociale duke mbledhur një numër të madh klikimesh dhe pëlqimesh. Në video paraqitet portreti i viktimës në ceremoninë mortore të saj, të cilit i është shtuar një regjistrim zanor, duke u shndërruar në një video ku viktima flet për vdekjen e saj. 

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 nga Granit Plava, i cili tha për policinë e Kosovës se vrasja e saj ishte porositur nga i shoqi, Naim Murseli, në këmbim të një pagese.

Pavarësisht mesazhit që kanë dashur të transmetojnë autorët e kësaj videoje, rezultati duket se ka qënë jo ai i duhuri. Komentet në rrjete sociale tregojnë se disa lexues, megjithëse jo të gjithë, kanë arritur të dallojnë se kjo video është e fabrikuar. Reagimet ndaj krijimit dhe shpërndarjes së kësaj videoje kanë qenë të përziera, me disa komentues që protestonin se kjo përmbajtje është mungesë respekti ndaj të ndjerës, Liridona Ademaj, dhe familjarëve të saj.

Faktoje është ndalur në verifikimin e kësaj videoje për të theksuar nivelin e manipulimeve që mund të realizojnë programet komjuterike dhe inteligjenca artificiale. Video e mësipërme është gjeneruar me anë të teknologjisë deepfake, e cila manipulon shprehitë e fytyrës, nga një foto përkujtimore e publikuar gjerësisht në media. 

Foto origjinale

Përveç fotos së mësipërme, prodhuesit e videos me gjasa kanë përdorur edhe videon e dikujt duke folur fjalët që dëgjohen në video. Kjo video është procesuar me anë të rrjeteve neurale konvolucionale, algoritme që marrin një imazh, i caktojnë rëndësi aspekteve të ndryshme të tij, dhe janë të aftë të diferencojnë mes këtyre aspekteve. Më pas, fytyra e personit në video është zëvendësuar me foton e Liridona Ademajt, në çdo fotosekuencë. 

Algoritmi gjurmon këndin e fytyrës, ngjyrën e lëkurës, shprehinë e fytyrës, ndriçimin dhe të dhëna të tjera që janë të rëndësishme për rindërtimin e videos. Kështu, kur ai zëvendëson fytyrën në video me fytyrën në foto, ai “vizaton” fytyrën në foto në kontekstin e asaj në video.

Video e mësipërme është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Kallxo dhe hibrid.info.