Lajmi se Ukraina ka bërë një marrëveshje me një sërë kompanish për të autorizuar groposojen e mbetjeve toksike në tokën e saj është i pakonfirmuar. Verifikimi i Faktoje zbuloi se dokumentet që sillen si provë për këtë i referohen një dekreti presidencial që nuk ka lidhje me subjektin.

———————————————-

Një sërë mediash ruse, por edhe disa shqipfolëse, kanë ndarë lajmin se familja Soros ka bërë një marrëveshje me Kievin që parashikon se mbetje toksike nga një numër kompanish do të groposen në tokat pjellore të Ukrainës.

Në brendinë e artikullit të medias “Syri”, shpjegohet se “autoritetet ukrainase kanë në plan që të vendosin 400 kilometra katrorë tokë pjellore për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme kimike dhe radioaktive. Kështu thuhet në një marrëveshje të nënshkruar nga Alexandër Soros, djali i miliarderit ultramajtist, George Soros.”

Dokumenti në fjalë është bërë publik nga një gazetar francez, Jules Vincent, në rrjetin social X.

Nga verifikimet tona, rezulton se Alexander Soros u takua vërtetë me kreun e kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, më 7 nëntor 2023. Megjithatë, në raportimet nga ky takim nuk përmendet një marrëveshje e tillë.

Ndërkohë, dokumenti që sillet si provë e kësaj marrëveshjeje, në dy paragrafë duket se nuk bën asgjë përvecse shpreh “qëllimin” e Yermak për të filluar procesin ligjor për të transferuar “toka” në pronësinë e kompanive gjigande evropiane, dhe qëllimin e Soros për të siguruar komunikim mes zyrës së presidentit ukrainas dhe këtyre kompanive.

Për më tepër, mungesa e detajeve specifike, dhe shenjuesve zyrtarë si vula, hedh dyshim mbi autenticitetin e këtij dokumenti.

Për të vërtetuar këtë, Faktoje vendosi të kontrollojë përmbajtjen e dekretit presidencial 107/2023, i cili citohet në dokumentin e mësipërm si baza ligjore për marrëveshjen e pretenduar.

Sipas faqes zyrtare të presidencës së Ukrainës, dekreti nr.107/2023 nuk ka të bëjë aspak me ndonjë marrëveshje koncesionare të ndërmjetësuar nga Soros. Dekreti 107/2023, firmosur më 23 shkurt 2023, ka të bëjë me shpalljen Hero të Ukrainës të Major Oleh Vasyliovich.

Kështu, lajmi sensacional se Alexander Soros ka bërë marrëveshje me Kievin për të depozituar mbetje helmuese në Ukrainë mbetet i pakonfirmuar.

Redaktooi Viola Keta & Aimona Vogli