Pretendimi: Një atentat me bombë nën makinë u financua nga Ukraina ndaj Tucker Carlson, gazetarit amerikan që intervistoi Putin.

Verdikti: E paprovuar

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi i një atentati kundër komentatorit amerikan Tucker Carlson “me bombë poshtë makinës, organizuar dhe financuar nga shërbimi sekret i Ukrainës” në shenjë hakmarrjeje pas intervistës që ai i bëri presidentit rus Vladimir Putin.  

Postimi i mësipërm, si zakonisht, nuk sjell asnjë burim apo referencë për pretendimin shqetësues.

Kështu, na u desh të kërkonim vetë për burimin e këtij lajmi. Duket se ai është botuar fillmisht nga një faqe interneti e quajtur The Intel Drop, më 26 shkurt 2024.

Në artikull, përfshihej edhe video, e cila tani është fshirë, e intervistës së dikujt të quajtur “Vasiliev Pyotr Alexeievich” i cili ishte “rekrutuar nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.”

Sipas burrit në video, ai ishte paguar 4.000 dollarë amerikanë për të marrë një lëndë shpërthyese dhe për ta vendosur nën një makinë në Hotelin Four Seasons në Moskë. Ai shton se, megjithëse nuk e dinte kush ishte shënjestra në ato momente, tani e kuptonte se ishte Tucker Carlson. “Vasiliev” thotë që atentati i tij u parandalua në “fazat përgatitore” dhe kërkon falje.

Video ishte postuar në kanalin e Youtube @SpecialForces443, i cili tani është fshirë, në 25 shkurt 2024. Gjithë videot e botuara në këtë kanal, përfshi intervistën e mësipërme, ishin ngarkuar në 25 shkurt. 

The Intel Drop nuk përfshin në artikull ndonjë burim tjetër për të mbështetur pretendimet e bëra në video, apo ndonjë informacion që konfirmon prejardhjen e videos. Nuk shpjegon se kush e arrestoi burrin në video, nëse ai është akuzuar zyrtarisht për diçka, apo ku po mbahet.

Nëse Rusia do të kishte arritur të parandalonte një plan ukrainas për vrasjen e një shtetasi amerikan, gjasat janë që lajmi do të ishte shpërndarë gjerësisht, jo vetëm nëpërmjet një faqeje interneti relativisht të panjohur si The Intel Drop. 

Nuk është hera e parë këtë muaj që pretendimet të paprovuara për planet e Ukrainës për të vrarë Carlson janë shfaqur në internet. Pas intervistës së Carlson me Putinin, një tjetër komentator i radios, Alex Jones, shpërndau në publik njoftimin se komentatori amerikan ishte shtuar në një “listë vrasjesh ukrainase”.

Edhe në këtë rast nuk kishte ndonjë bazë të besueshme për këtë pretendim. Carlson është renditur më parë në të mbiquajturën “lista Mirotvorets”, një bazë të dhënash me burim të hapur të OJF ukrainase, të personave që mendohet se kanë promovuar narrativa anti-ukrainase ose kanë vepruar për të destabilizuar sigurinë kombëtare të Ukrainës. Megjithatë, lista nuk përbën ndonjë kërcënim apo promovon dhunën ndaj atyre që janë në të.