Presidenti ukrainas Zelensky mbërriti në Tiranë më 27 shkurt 2024, ku qëndroi për dy ditë dhe mori pjesë në samitin për Ukrainën që u mbajt në kryeqytet në data 28 dhe 29 shkurt.
Më 28 shkurt, një numër mediash shqipfolëse raportuan se Zelensky kishte deklaruar se në samit do të diskutohej edhe për Kosovën.
Artikujt në media raportuan se Zelensky kishte “postuar mesazhin e parë nga Shqipëria” në të cilin deklaronte se “do të diskutojmë edhe për çështjen e Kosovës.”
Lajmet që qarkullojnë në portale i referohen një postimi të Zelenskyt në Twitter.
Megjithatë, në profilin zyrtar të Zelensky , ku ai ka postuar edhe mbi samitin, nuk gjendet ndonjë pohim se çështja e Kosovës do të jetë pjesë e diskutimeve të samitit.
Duket se mediat shqipfolëse i janë referuar një postimi në Twitter nga llogaria @VZelenskyUA, i cili shkruan:
“Kënaqësi të takoja Ministrin shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, @IgliHasani! Do të diskutojmë çështjen e Krimesë, #Kosovës dhe mbështetjen për Ukrainën. #Shqipëria është një vend i pasur, kështu që shpresoj për pjesëmarrjen e tyre financiare në forcimin e demokracisë dhe lirisë!”
Siç mund të kuptohet nga pohimi se “Shqipëria është vend i pasur” e si rrjedhim pritet të kontribuojë mbështetje financiare për Ukrainën, postim i mësipërm nuk është i Zelenskyt, por nga një llogari që vë në lojë Zelensky.
Në fakt, edhe në vetë përshkrimin e llogarisë @VZelenskyUA, deklarohet se profili është një parodi.