MERXHAN DACI
Turizmi sot është një ndër sektorët në rritje të vazhdueshme në Shqipëri i cili gjithmonë e më shumë po shton kontributin e tij në ekonominë shqiptare. Viti 2017 u mbyll me mbi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi dhe 5 milionë vizitorë të huaj që erdhën në vendin tonë. Ministri i Turizmit Klosi ka deklaruar se ky vit do të mbyllet me 6 milionë vizitorë të huaj. Por sa të besueshme janë këto shifra? Qytetarë, turistë dhe ekspertë pohojnë se kjo është një lojë numrash.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), vitin e shkuar aktivitetet e lidhura direkt me turizmin kontribuan me rreth 2,5 % në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB). Por duke marrë në konsideratë efektet indirekte të shpenzimeve të turistëve në aktivitete të tjera ekonomike, ky kontribut është edhe më i lartë.
Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, dekada e ardhshme do të jetë ajo e turizmit, me synimin që në vitin 2027 kontributi total i sektorit të jetë 33% në PBB.
Sipas INSTAT, në Shqipëri nga Janari deri në Gusht të këtij vit kanë hyrë 4,397,638 shtetas të huaj. Trend ky me rritje nga viti i shkuar.
Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, në fund të vitit 2018 vendin tonë do ta kenë vizituar gjithsej mbi 6 milionë vizitorë duke shtuar gjithashtu se pritet që të shkohet në shifrën 10 milionë në një kohë të shkurtër.
Sa të besueshme janë statistikat e turizmit në Shqipëri?
Mirjam.L, shtetase gjermane i tha “Faktoje” se hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Qafë Botës por askush nuk e pyeti nëse ishte për turizëm apo jo dhe ku po shkonte.
“Asnjë nuk më pyeti se nga vija dhe ku po shkoja. Ndryshe ndodhi herën e kaluar që erdha në Shqipëri (para 2 vitesh) kur unë si shtetase e huaj u pyeta për destinacionin tim”, tha ajo.
Ndërkohë L.B., shtetas shqiptar por rezident në Greqi i tha “Faktoje” se prej kohësh ai nuk pyetet më për qëllimin e udhëtimit.
“Jam taksapagues i shtetit grek dhe në doganë nuk më kanë pyetur ndonjëherë për qëllimin e udhëtimit, as kur kam ardhur me pushime në verë, nuk e di nëse më regjistrojnë si turist”.
Policia e Shtetit, kompetente për hyrjet dhe daljet në territorin shqiptar, tha për “Faktoje” se të gjithë shtetasit shqiptarë apo të huaj pyeten në doganat shqiptare për destinacionin final apo qëllimin e udhëtimit.
“Të gjithë personat në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë, janë subjekt i verifikimit kufitar minimal dhe tërësor, ku përfshihet edhe verifikimi i destinacionit final dhe qëllimi i udhëtimit. Përjashtim nga rregullat e përgjithshme të verifikimit kufitar të cituar më sipër kanë vetëm kategori të veçanta të personave dhe mjeteve”
Policia gjithashtu shtoi se Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, është i angazhuar në zbatimin korrekt të kërkesave të ligjit për verifikimin e shtetasve gjatë kalimit të kufirit.
Eksperti i turizmit, njëherësh kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit Zak Topuzi thotë për “Faktoje” se Shqipëria nuk ka shifra të sakta në turizëm. Ai i quan një lojë shifrash deklaratat që vijnë për milionat e turistëve të ardhur në vendin tonë.
“Qeveria përdor termin “vizitorë” jo “turistë”. Organizata Botërore e Turizmit njeh për turistë ata udhëtare që rrinë më shumë se 24 orë. Kjo është loja e shifrave që vazhdon të bëhet. Ne nuk kemi një bilanc të saktë të shifrave por thjesht kemi njerëz që qarkullojnë”, thotë ai duke shtuar se në kufi nuk ka pyetësor të qartë për arsyen se pse dikush po hyn në territorin shqiptar dhe se nuk pyeten të gjithë e kësisoj shifrat nuk janë reale.
Sipas Topuzit në turizëm mbizotëron informaliteti dhe kjo e bën të pamundur llogaritjen e numrit real të turistëve.
“Në ligjin ekzistues vilat dhe apartamentet janë lënë jashtë kontrollit, kjo përbën rreth 40 përqind të kontigjentit, i cili nuk identifikohet, nuk paguhen taksa, kjo e bën të vështirë të përcaktohet numri i saktë i turistëve. Nuk ka detyrim ligjor të zbatueshëm për raportim të të dhënave nga hoteleritë, ndërsa rajoni këtë e ka zgjidhur”, thotë Topuzi.
Ai po ashtu shton se strategjia shqiptare e turizmit është në letër teksa edhe ligji për turizmin nuk zbatohet.
Patriotët dhe paratë e tyre mbajnë turizmin shqiptar
Sipas INSTAT, turistët nga Kosova në periudhën Janar-Gusht të këtij viti ishin mbi 1,5 milionë.
Pra 35,95 përqind e numrit total të turistëve të huaj në këtë periudhë janë shtetas nga Kosova. Kjo përforcon idenë se turizmi patriotik luan rol ende të madh në turizmin shqiptar.
Ndërkohë shtetasit nga Maqedonia këtë periudhë kanë qenë pak më shumë se 500-mijë. Duke marrë parasysh popullsinë shqiptare në Maqedoni, atëherë logjikisht një numër i konsiderueshm i këtij totali turistësh është me kombësi shqiptare, gjë që rrit prezencën e turizmit patriotik. E njëjta gjë ndodh edhe me hyrjet nga Mali i Zi apo Greqia.
Eksperti Zak Topuzi mendon se turizmi shqiptar mbijeton falë turizmit patriotik.
“Shqipëria mbahet me turizmin patriotik, nga Kosova dhe Maqedonia apo emigrantët shqiptarë që bëjnë gati 80% të fluksit, 20% janë nga vendet e tjera të Europës. Ka një frikë që kosovarët mund t’i ikin Shqipërisë, përmirësimi rrugor i Serbisë me Maqedoninë bën që ata të dalin më shpejt në Selanik në det sesa në Durrës”, thotë Topuzi.
E megjithatë në mjedisin mediatik dhe politik vazhdohet të flitet për numrin e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë duke u përqëndruar masivisht tek statistika totale disa milionëshe. Disa u referohen si turistë e disa si vizitorë. Në këtë paqartësi termash e shifrash, pyetja që nuk ka përgjigje është se sa në të vërtetë ka qenë numri i turistëve të huaj që kanë ardhur në Shqipërinë e më pak se 3 milionë banorëve duke përfituar nga shërbimet që ne ofrojmë.