.

.

BallinaPertej“Tri betejat” e vaksinës: Krijimi, sigurimi dhe kontestimi….

“Tri betejat” e vaksinës: Krijimi, sigurimi dhe kontestimi….

Virusi Covid-19 tregoi rëndësinë e fakteve në informim. Për herë të parë në të gjithë botën u pa sesi lajmet e rremë u përhapën me shpejtësi, dhe dëmi kishtë vetëm një kosto, jetën.  Frika ndaj një virusi të panjohur që shkakton vdekje, i bën njerëzit të etur për informacion por edhe për zgjidhje të thjeshta. Në Shqipëri dhe në Kosovë disa media qëndrore lejuan përhapjen e teorive konsiparative, mbi virusin e më pas me vaksinën, që shkaktoi një destibalizim, por edhe mungesë besueshmërie tek një pjesë e madhe e qytetarëve.

Jemi në prill të vitit 2022. Kanë kaluar gati 2 vjet nga marsi i vitit 2020 kur e gjithë bota ngriu para vdekjeve të shumta që po “korrte” me shpejtësi Covid 19.  Vaksina mbetej shpresa e vetme.  Prodhimi i saj kërkonte kohë. Presioni ishte i lartë. Numri i viktimave në të gjithë globin po rritej çdo ditë. Vaksina mbetej e vetmja zgjidhje për të fituar luftën me virusin që cdo dite prekte qindra mijra persona në heshtje. Pas disa mujave, ku njerëzimi u izolua në shtëpi, vendet e fuqishme nisën të prodhojnë disa lloje vaksinash.  Sot në treg qarkullojnë mbi 11 lloje vaksinash. Astrazenica, Moderna, Johnson& Johnson, Sinovac, Pfizer, Sputnik, Novavax etj. Pas prodhimit të vaksinave nisi menjeherë beteja për sigurimin e saj. Disa shtete arritën të siguronin vaksina për të gjithe popullsinë por shumë të tjera arritën të furnizoheshin më sasi më të vogla. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ishin ndër vendet që nuk kishin sasi të mjaftueshme vaksinash për të gjithë popullsinë. Por kjo etapë u shoqërua me një tjetër betejë, atë të konstestimit të vaksinave nga një pjesë e madhe e popullsisë në shumë vende të botës dhe të rajonit.

“Sindi është 21 vjeç. Ajo është studente në Tiranë dhe nuk do ta bëjë vaksinën. Kam frikë. Mund të më japë komplikacione dhe unë dua të jem e sigurt që nesër do të kem një familje”.

Shumë të rinj studentë për ti shpëtuar kontrrolleve kanë arritur të blejnë çertifikatat që vërtetojnë vaksinimin.  Një fenomen i paralajmëruar që është trajtuar  në një artikull të Faktojes me datë 31 Gusht 2021. Sindi ashtu si dhe shumë qytetarë  që jetojnë në qytete apo fshatra të Shqipërisë ku strukturat  shëndetësore janë në mbijetesë, informacionin kryesor e marrin nga mediat.

Në Kosovë përvec të rinjve një kontestim i madh ka ardhur nga gratë shtatzënë. “Fortesa është një e re, e cila pret fëmijën e parë. Ajo ka frikë nga vaksina. Trembet për djalin që pret por edhe për shëndetin e saj. Ajo është një ndër gratë që në Kosovë kanë kundërshtuar vaksinimin”. Në media janë përhapur shumë  informacione mbi fertilitetin  çka ka sjellë një stepje grave shtatzanë që  refuzojnë të kryejnë vaksinat.

Raporti i NDI tregon se në shumë media të Kosovës por edhe të Shqipërisë se  gjatë vitit të parë të pandemisë, nisën të qarkullojnë lajme që këshillonin kurimin e këtij virusi përmes  mjekimeve popullore. Këto teori u shpërndanë në shumë vende të rajonit dhe botës. Kurimi përmes mjekimeve popullore, në një kohë kur virusi mori shumë jetë dhe kishte shumë të panjohura u kthye në një trend për shumë qytetarë. Në median tradicionale por edhe në të gjitha platformat sociale nisi shpërndarja e dhjetra artikujve disinformues lidhur me Covid 19.

Përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, kanë deklaruar qartë se disinformimi në kohën e pandemisë mund të vrasë, ndaj ka shumë rëndësi që qytetarët të jenë të mbrojtur nga lajmet e rremë, duke i identifikuar ato, por edhe duke bërë përgjegjës të gjithë aktorët që i krijojnë dhe i shpërndajnë ato.

Raporti i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), një strukturë e BE-së, ka bërë një analizë të dezinformimit në lidhje me koronavirusin “COVID-19” në mediat dhe rrjetet sociale në vendet europiane duke konstatuar se një pjesë e këtyre lajmeve të rremë janë “fabrikuar” me qëllim përfitime politike dhe financiare.

Në Kosovë, intervista e mjekut amerikan Rashid Buttar, i diplomuar në ‘Washington University’, i cili deklaronte se  vaksina do të sillte vdekjen e të gjithëve e se askush nuk ka vdekur nga pandemia, shkaktoi panik tek qytetarët. Kjo intervistë sipas një raporti të Digicomnet është shpërndarë mijra herë.

Një tjetër lajm i cili është shpërndarë mijra herë në Kosovë lidhet me ardhjen e 40 mijë trupave ushtarakë amerikane. Mediat në Kosovë raporojnë se kjo po kryehet në një kohë që flitet për një virus.  Por ndërsa pandemia po shtrihej dhe numri i viktimave rritej çdo ditë, një lajm që u përhap si në Shqipëri edhe në Kosovë lidhej me një deklaratë të një mjeku japonez. Sipas tij nëse e mbaje frymën 10 sekonda nuk ishe i prekur nga Covid 19 dhe nuk kishe indikacione për koronavirus.

Në mediat më të ndjekura, botuesi Alfred Çako, prej gati dy vitesh prodhon teori konspirative që gjejnë hapësirë për tu dëgjuar pranë mediave më të mëdha në Shqipëri por edhe Kosovë. Këto teori  konspirative në kohë pandemie kanë sjellë frikë por edhe refuzim të kryerjes së vaksinës nga qindra mijra qytetarë.  Teoritë konsiparative lidhur me vendosjen e një çipi apo edhe me vdekjen e të moshuarve mbi 65 vjec nëse bëjnë vaksinën u përhapen gjeresisht. Edhe  mjeku  popullor Ylli Merja nxorri një sërë  kurash bimore për të shëruar të prekurit nga Covid, apo për ti mbrojtur nga infektimi. Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë të cilët ndjekin të njëjtat kanale informimi, nisën përdorimin e këtyre kurave duke qëndruar larg procesit të vaksinimit.

Edhe Inxhinieri i Mjedisit Sazan Guri ka një qëndrim të hapur kundër procesit të vaksinimit. Ai i ka cilësuar kavie eksperimentale çdo person që ka kryer vaksinën. Guri vijon të bëjë thirrje për ndalimin e kryerjes së vaksinimit.

Në vitin e parë të pandemisë Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka refuzuar në mënyrë të përsëritur kryerjen e transparencës, mbi numrin e vaksinave, llojin e tyre por edhe nëse arrin të mbulojë të gjithë vendin.  Sondazhi i Grupit Këshillimor i Politikave Ballkani në Europë, BiEPAG,  tregoi se mbi 75 për qind e popullsisë në Ballkanin Perëndimor besojnë në shumë ose disa nga teoritë e konspirative popullore rreth COVID-19. Vendi me përqindjen më të lartë të mbështetësve të teorive konspirative në Ballkanin Perëndimor është Shqipëria. Nga grafiku shohim sesi Maqedonia e Veriut është e parafundit në listën e vendeve që mbështesin këto teori.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se do të kryejë vaksinimin e plotë të popullsisë kundër Covid-19 brenda pranverës së 2022-it. Përmbushja e këtij objektivi, nënkupton që brenda nëntë muajve të ardhshëm të vaksinohet gati treçereku i popullësisë së mbetur, nga e cila një pjesë e ka marrë tashmë dozën e parë. Por edhe pse jemi në fund të Marsit të vitit 2022, e kanë kaluar  më shumë se 2 vjet  qindra shqiptarë refuzojnë të bëjnë vaksinën apo tentojnë të blejnë vetëm vërtetimin se janë vaksinuar. Të dhënat e 31 mars për vaksinimin tregojnë se ende shumë qytetarë janë të pavaksinuar. Sipas të dhënave të New Jork Times, në Shqipëri 43% e popullësisë është e vaksinuar, ndërsa në Kosovë është 44% e popullësisë e vaksinuar.

Vaksina e Dizinformimit

Variani i ri i koronavirusit, i emërtuar më pas si COVID-19, ka sfiduar shoqërinë tonë jo vetëm në aspektin shëndetësor e ekonomik, por edhe në fushën e informimit. Lajmet rreth pandemisë COVID-19 kanë tërhequr vëmendjen e audiencës si asnjëherë më parë. Lajmet mbi gjenezën e virusit, mënyrën e shpërndarjes, pasojat shëndetësore, e deri tek siguria e vaksinave, kanë dominuar ekosistemin medial për dy vite të plota. Por platformat për vërifikimin e fakteve, do të zbulonin se shumë nga lajmet rreth koronavirusit do të rezultonin të pa vërteta. Sikurse edhe në shumë vende të tjera, edhe në Shqipëri e Kosovë COVID-19 ngriti nivelin e keqinformimit dhe dizinfomimit në një nivel tjetër.

Si fillim, keqinformimi dhe dizinformimi nuk janë e njëjta gjë. Ndonëse të dyja paraqesin rreziqe të caktuara për të drejtat dhe shoqërinë tonë, ndryshimi midis të dyjave është te qëllimi. Keqinformimi është informacion mashtrues, i pasaktë ose krejt i rremë që komunikohet pa qëllimin e qartë për të mashtruar. Megjithatë, synohet të perceptohet si informacion serioz dhe faktik nga audienca. Dizinformimi është informacion i rremë që shpërndahet me qëllim të mashtrimit të njerëzve. Shpërndarësi i “lajmit” e di se ai është i rremë dhe dëshiron të mashtrojë audiencën e tij.

Ndryshe nga keqinformimi, qëllimi i dizinformimit nuk është një përpjekje e sinqertë për të ndriçuar, por përpjekje keqdashëse për të nxitur frikë, për të shkaktuar dëm publik apo për të përfituar. Dizinformimi mund të ngatërrojë dhe manipulojë qytetarët, të krijojë mosbesim në institucionet dhe të ushqejë mosbesimin ndaj sfidave kyç sikurse pandemia.

Informacioni i saktë për qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës është edhe më i rendësishëm për të vetmin fakt se ata janë përdorues të mëdhenj të mediave karshi popujve të tjerë në rajon. Një sondazh i realizuar nga IPSOS më 2021 në të gjithë vendet e Ballkanit Perendimor, nxjerr se 83% e qytetarëve të Shqipërisë dhe 82% e qytetarëve të Kosovës përdorin televizionin si burim të informimit në baza ditore. Por i njëjti sondazh tregon se rrjetet sociale (Facebook, Twitter, Instagram e Youtube) përbëjnë burimin e dytë më të shpeshtë të informimit në baza ditore me 53% në Shqipëri, respektivisht 65% në Kosovë. Mediat online përbëjnë burimin e tretë të informimit në baza ditore.

Krahasimet me vendet e rajonit tregojnë edhe për një dukuri tjetër – rënien e besimit të qytetarëve të te dy vendeve në media. Po i njëjti sondazh i IPSOS tregon se vetëm 52% e qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë besim në media. Ndër tri arsyet kryesore që u përmenden nga respodentët e Shqipërisë për mungesë të besimit në media ishin se ato ‘shpërndajnë dezinformata’ (48%), ‘janë të influencuara politikisht’ (47%), dhe ‘shpërndajnë propagandë’ (25%). Të njëjtat arsye u dhanë edhe nga qytetarët e Kosovës, ndonëse me përqindje më të vogël.

Pak histori mbi infodeminë

Në një lexim të thellur të infodemisë që nuk përjashtoi asnjë vend të botës, vihet në dukje se gjatë pandemisë dhe izolimit niveli i qarkullimit dhe leximit të teorive konspirative dhe informacionit të paverifikuar u rrit me 60 për qind në nivel botëror. Një situatë e tillë krijoi një sfidë për informimin e publikut bazuar mbi fakte lidhur me virusin Covid-19 dhe pasojat e tij. Dhe jo pak viktima.

Për Darrell West, zëvëndës/president i qendrës së Studimeve Qeveritare si dhe kryeredaktor i platformës ‘TechTank’: “niveli i lartë i informacionit fals gjatë pandemisë krijoi vështirësinë e përballjes me pandemine, pikërisht sepse është e vështirë për publikun të  kuptojë se çfarë duhet të lexojë apo cfarë informacionesh duhet të besojë”.

“Rezultati ishte një frikë e madhe ndaj vaksinave qe e bëri të vështirë për shumë vetë të mbroheshin ndaj Covid-19. Media dhe kompanitë e teknologjisë/platformat kanë një përgjegjësi në korrigjimin e materialeve të rreme dhe përcjelljen e informacioneve të pranuara shkencërisht. Faqet e medias sociale nga ana tjetër duhet të bllokojnë burimet që shpërndajnë hapur informacion të pavërtetë”, thekson ai.

Media dhe kompanitë e teknologjisë/platformat kanë një përgjegjësi në korrigjimin e materialeve të rreme dhe përcjelljen e informacioneve të pranuara shkencërisht. Faqet e medias sociale nga ana tjetër duhet të bllokojnë burimet që shpërndajnë hapur informacion të pavërtetë”, thekson ai.

Për Kristy Roschke, profesoreshë në Shkollën e Gazetarisë dhe Komunikimit Walter Cronkite në Universitetin Publik të Arizonës, “kohët e pasigurta janë vecanërisht të frytshme për ata që duan të përfitojnë nga informacioni i rremë. Kjo është arsyeja pse gjatë pandemisë pamë lulëzimin e dizinformimit në median sociale dhe faqe të tjera në internet”. Ky informacion ishte lehtësisht i aksesueshëm dhe në kushtet kur nuk dinim shumë për zhvillimin e pandemisë, shumë mite apo narrativa keqinformuese u përhapën gjerësisht.

Roli i medias dhe gazetarëve

Profesoresha e gazetarisë në Universitin e Kolumbias në Nju Jork, Anya Schiffrin, tha për Faktoje se “roli i gazetarëve nuk ka qenë kurrë më i vështirë, por edhe më i domosdoshëm sesa gjatë pandemisë botërore”.

“Gazetarët kanë një rol për të luajtur, por gjigandët e platformave sociale gjithashtu. Publiku i sheh informatat e rreme apo të pakonfirmuara pasi ato rekomandohen nga algoritmet. Rrjetet sociale kanë rol proimar në këtë mes, ato nuk duhet ti vendosin në dukje këto lajme apo ti promovojnë. Në vend të kësaj, duhet ti largojnë nga platformat apo nga vëmendja”, thotë ajo.

Në fakt, ka një rreze drite edhe në errësirë.

West i ka përqëndruar kërkimet e tij të fundit te inteligjenca artificiale, robotika dhe keqinformimi. Ai bie dakord se “inteligjenca artificiale është përdorur për ta shpërndarë keqinformimin, por ajo mund të jetë një mjet për ta luftuar atë. Algoritmet mund të identifikojnë faqe që shpërndajnë informata të pavërteta dhe kompanitë e teknoogjisë mund ti heqin këto faqe. Ata duhet të jenë gardianë të përgjegjshëm në mënyrë që të ndihmojnë në mbrojtjen e Shëndetit publik në këtë kohë të vështirë”.

Profesoresha e gazetarisë në ASU, Roshcke, vë në dukje se kompanitë që ofrojnë platforma të medias sociale nuk duhet ta bëjnë praktikë pune censurimin e përdoruesve. Por, ata duhet të sigurojnë se keqinformimi nuk optimizohet nga algoritmet e tyre. Një mundësi është t’ia bëjnë të ditur algoritmet studiuesve dhe kërkuesve të medias, në mënyrë që të mund të përcaktohen praktikat më të mira për minimizimin e efekteve.

Roschke, e cila është bashkëautore e një kursi të posaçëm për edukimin mediatik në shkollën e gazetarisë Walter Cronkite, thekson se “edukimi mediatik dhe dixhital për çdo moshë duhet të shtohet që në vitet e para të shkollës deri në universitet e më tej”. “Ne duhet të jemi të aftë të vazhdojmë të aftësohemi në të dy këto fusha gjatë gjithë jetës, në mënyrë që të kuptojmë median dhe teknologjinë në vazhdimësi”, thekson ajo.

Rregullim apo vetërregullim?

Schiffrin e vë theksin te ndershmëria, paaanshmëria, përfshirja e audiencave në modelin e raportimit – disa nga hapat që mund të merren ne mënyrë që të rindërtohet besimi mes gazetarëve dhe publikut.

Në studimin e fundit të saj theksohet se “gazetarët besojnë te gazetaria cilësore dhe ka më shumë gjasa që ata më shumë sesa të tjerët të besojnë se gazetaria e mirë, duke ndjekur parimet, do të jetë zgjidhja. Ata besojnë se besimi te media lidhet me praktikën e gazetarisë, ndaj edhe shpresojnë që përmirësimi i standardeve, krijimi i besimit përmes angazhimit dhe verifikimit të fakteve është zgjidhje.

Por, çfarë rregullimi mund të funksionojë për të frenuar informacionet e paverifikuara apo keqdrejtuese?

Vende apo rajone të ndryshme kanë këndvështrime të ndryshme. SHBA fokusohet më shumë te përgjegjësia individuale dhe është më dyshues ndaj rregullimit nga ana e qeverisë. Europa është më në favor të zgjidhjeve që rregullohen nga shteti edhe pse në vendet e Europës Qendrore apo Lindore ka më pak mbështetje ne opinion publik për rregullimin nga qeveria. BE është e ndarë edhe në këtë aspekt, pavarësisht faktit se ka ngritur një task forcë kundër keqinformimit, ka iniciuar studime dhe ka mbështetur nisma që punojnë në këtë drejtim.

Ndërsa përgjigja amerikane, kryesisht e vë theksin te rregullim vullnetar nga platformat duke e lënë përgjegjësinë individuale të anëtarët e audiencës e duke bërë thirrje për të mos e shpërndarë informacionin e pafiltruar. Pra ideja është se “keqinformimi mund të frenohet nëse ne nuk infektojmë të tjerët”.

Por pa një lloj rregullimi, ky ngadalësim i shpërndarjes së informacionit ka gjasa të mos ndodhë, pasi ata që e shpërndajnë informacionin nuk e bëjnë rastësisht. Përhapja e keqinformimit politik dhe lëvizja kunder vaksinave janë dy shembuj që e konfirmojnë këtë.

Elira Canga, Jeton Mehmeti, Klodiana Kapo

Projekti rajonal  PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPMInstituti Shqiptar i MediasMediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0Instituti Malazez i MediasInstituti Maqedonas për MedianShkolla e Gazetarisë e Novi SadInsittuti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img