BallinaPremtimeTiranë-Elbasan, rruga që nuk ka të sosur

Tiranë-Elbasan, rruga që nuk ka të sosur

ANDI BORA

Punimet për rrugën Tiranë-Elbasan nisën në prill të vitit 2011. Kemi hyrë në vitin e 7-të të punimeve, ndërkohë që duhet të kishin përfunduar brenda vitit 2014-të. Një sërë premtimesh janë dhënë edhe për këtë aks të rëndësishëm dhe me një pjesë të tyre po ju njohim në vijim për t’iu rikujtuar se edhe ky segment rrugor ashtu si edhe të tjerë në vendin tonë, ende nuk e ka prerë përfundimisht shiritin e inaugurimit.  

 

23/04/2012 – Sali Berisha: Ne jemi të vendosur që këtë projekt ta finalizojmë brenda mandatit 2013-2017.

19/09/2012 – Sokol Olldashi (Ish-Ministër i Punëve Publike dhe Transportit): Respektimi i kalendarit të punimeve është mjaft i mirë, gjë që na mban optimist për të arritur afatin e përcaktuar që ne kemi, objektivin që ne kemi, që kjo rrugë të jetë e hapur për trafikun në fundin e pranverës së vitit që vjen.  

16/06/2013 – Sali Berisha: Sot më 16 qershor 2013, bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr, por jo vetëm të gjeneratës sonë, por të gjeneratave të tëra, të cilat ëndërronin që një ditë Elbasani të bashkohej me Tiranën nëpërmjet një tuneli.

12/05/2014 – Fehmi Mujota (Ish-ministër i transportit, Kosovë): “Kjo rrugë do të përfundojë brenda këtij viti. Kjo rrugë do të jetë në shërbim jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por të do të jetë në shërbim të të gjithë vendeve të rajonit”.

08/11/2014 – Edmond Haxhinasto: “Nuk do të ketë kosto shtesë. Gjithçka që është parashikuar për realizimin e kësaj vepre, është brenda buxhetit të veprës”.

25/11/2014 – Edi Rama: “Në fillim u duk sikur po justifikoheshin duke thënë që është projekti problematik, por në fakt, projekti është super problematik. Gjithsesi ta mbarojmë në kohën më të mirë të mundshme. Ne nuk bëjmë rrugë për fushata, kështu që s’kemi lidhje me afate elektorale. E rëndësishme është që të bëhet rruga një herë e mirë dhe të bëhet tamam”.

21/11/2017 – Damian Gjiknuri: “Ne do të marrim masat që ai projekt të mbarojë në kohë”.

13/03/2018 – Edi Rama: “Ajo çka ne jemi të angazhuar dhe të vendosur të realizojmë është që rruga më në fund të finalizohet brenda këtij viti, pra të hapet përfundimisht dhe të lidhet përfundimisht përmes kësaj rruge të re, Elbasani me Tiranën”.

18/04/2018 – Damian Gjiknuri: “Ne do ta përfundojmë edhe atë segment. Janë dhënë mbi 11 milionë euro financim këtë vit. Do të rregullohet edhe ajo, por duhet të dini që këto janë kosto të projekteve të trashëguara, të menaxhuara shumë keq. Dje na erdhi konfirmimi për financimin shtesë për pjesën e mbetur të autostradës Tiranë-Elbasan, pra janë 14 milionë dollarë të tjera, të cilat do të hidhen për të përfunduar segmentin e mbetur, pra që është nga zona e Ibës deri tek tuneli i Elbasanit”.

17/06/2018 – Gentian Keri (Sekretar i Përgjithshëm, Ministria e Infrastrukturës): “Fondi është siguruar nga OPEK-u dhe shuma është 14.5 milionë euro. Me sigurimin e fondeve dhe me procedurat të cilat ne shpresojmë t’i mbarojmë shumë shpejt, mendojmë se brenda fundit të vitit kjo rrugë do të jetë eficente dhe do të vihet në funksion”.

 

Pa dashur të dimë se ç’ngjyrë politike kanë premtimet e dhëna ndër vite, shpresojmë dhe urojmë që në artikullin e radhës për të njëjten temë, në vëmendje të “Faktoje” të jenë premtimet e mbajtura dhe përfundimi i rrugës që lidh kryeqytetin shqiptar me Elbasanin.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img