ANDI BORA & KLEVIS PALOKA
“Tirana është qyteti i parë që i jep zgjidhje të qëndrueshme strehimit të komunitetit rom. ”, – kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj gjatë inagurimit të banesave sociale në Shkozë më 13 shkurt të këtij viti.
Për të verifikuar këtë deklaratë të kryebashkiakut të Tiranës, “ Faktoje”, fillimisht vëzhgoi në terren për të parë nëse deklarata e mësipërme ishte e vërtetë apo jo. Mjafton që të zhvendosesh disa metra larg këtyre banesave sociale në Shkozë dhe mund të shohësh se aty ndodhen disa familje të komunitetit rom që jetojnë akoma në tenda dhe që nuk janë strehuar nga Bashkia Tiranë, ndryshe nga çfarë deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Streha e tyre e përkohshme është një godinë e vjetër, brenda së cilës ata kanë ngritur disa tenda, por sipas tyre, kjo mbetet një zgjidhje afatshkurtër pasi pronari i godinës së vjetër u ka kërkuar që të largohen prej andej.
E vetmja zgjidhje u mbetet këtyre banorëve, është që tendat e ngritura në brendësi të godinës së rrënuar, t’i zhvendosin në një hapësirë jashtë saj dhe atëherë do të jenë tërësisht në qiell të hapur.
Por këto familje të komunitetit rom në Shkozë nuk janë të vetmet që jetojnë në tenda dhe kushte të mjerueshme, pasi në urën e Farkës, po në Tiranë, gjendet gjithashtu një lagje e vogël (nëse mund të konsiderohet e tillë) me disa familje të këtij komuniteti.
Në deklaratën e tij dhënë në muajin shkurt, kryebashkiaku Veliaj specifikoi gjithashtu se Tirana është qyteti ose kryeqyteti i vetëm në Europë, që nuk ka një komunitet rom që jeton në një lagje me tenda në territorin e qytetit.
Nisur nga kjo deklaratë, “Faktoje’’ hulumtoi dhe kërkoi informacione në disa kryeqendra të Europës dhe për këtë, kontaktoi me disa nga bashkitë e kryeqyteteve të vendeve të ndryshme të Europës për të ditur nëse kanë apo jo brenda territorit të tyre, një komunitet romësh.
Njëra prej tyre, Bashkia e Vienës, nëpërmjet një email-i zyrtar, u përgjigj se brenda territorit nuk ka zona me tenda të komunitetit rom. Sipas kësaj bashkie, të vetmet tenda, janë për njerëzit e pastrehë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose kombëtare.
Mbi bazën e informacioneve të marra, të fakteve të paraqitura në këtë artikull dhe vëzhgimit personal në terren, rezulton se strehimi i komunitetit rom në kryeqytet është ende një çështje e pazgjidhur dhe rrjedhimisht, deklarata e kreut të Bashkisë së Tiranës, është GËNJESHTËR.