I konsideruar si një prej premtimeve të pambajtuara gjatë mandatit të parë të kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli, edhe gjatë këtij mandati institucioni më i rëndësishëm i kulturës në qytetin bregdetar, teatri “Petro Marko”, nuk do të ketë rikonstruksion.
“Në mandatin e ri do të mundësojmë rikonstruksionin e teatrit “Petro Marko” të Vlorës”. Kështu premtoi në qershor të vitit 2019 kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli në kuadër të çeljes së takimeve publike për fushatën e zgjedhjeve lokale. Dy vite pas kësaj deklarate për institucionin më të rëndësishëm të kulturës në
Vlorë, rikonstruksioni është ende larg. Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Vlorë se në çfarë faze është rikonstruksioni i Teatrit “Petro Marko”. Sipas përgjigjes së Bashkisë Vlorë është se projekti i rikonstruksionit të teatrit të Vloës është projekt-ide. “Për pikën 1 dhe 2 të kërkesës, në buxhetin e vitit 2021 të Bashkisë Vlorë nuk ka
fond të miratuar për rikonstruksionin e teatrit për pasojë nuk ka filluar rikonstruksioni i objektit Teatri i Vlorës të cituar në kërkesën tuaj. Për pikën 3, projekti i Rikonstruksionit të Teatrit të Vlorës, është projekt-ide e realizuar nga
Bashkia Vlorë. Në mungesë të një vendimarrje nga K.K.T si organ kompetent dhe për mungesë financimi, ky projekt nuk është konkretizuar.”- shprehet bashkia Vlorë.
Screenshot nga përgjigjja e Bashkisë Vlorë
Në planifikimin buxhetor të vitit 2021 institucionit i janë akorduar 32.132.000 lekë total nga buxheti i bashkisë, por të parashikuara në zërin e pagave dhe mirëmbajtjes së institucionit.
Në zërin e investimeve Tetari “Petro Marko” ka në dispozicion buxhetin prej 200.000 lekësh, vlerë thuajse të papërfillshëm për amortizimin që ka institucioni.
Teatri “Petro Marko” i është nënshtruar rikonstruksionit për herë të fundit para viteve 90-të dhe aktualisht ka problematika të mëdha si përsa i përket strukturës së godinës, ashtu funksionalitetit.
Nga vëzhgimi që Faktoje bëri në fund të muajit tetor konstatoi që prapaskena, kamarinat, dhomat e grimit janë tejet të amortizuara. Po kështu edhe skena, struktura e drurit që shërben si podium është e dëmtuar dhe po ashtu edhe pjesa e sipërme e saj.
Skena e teatrit “Petro Marko”
Punëtorët e teatrit “Petro Marko” tregojnë për Faktoje se investimet e vetme janë kryesisht në foni dhe në sistemin e ndriçimit, bazik dhe të nevojshëm për shfaqjet.
Pjesa e jashtme e teatrit “Petro Marko”
Sipas punonjësve rrezikshmëria më e lartë vjen pasi godina është jashtë çdo kushti teknik pësa i përket mbrotjes nga zjarri. Në prapaskena mungojnë shkallët e emergjencës, daljet gjithashtu si dhe paketat e ndihmës.
“Godina e teatrit të Vlorës është ndërtuar në vitin 1957, aty ku ka qenë dikur dhe kinema “Përparimi”. Që nga ajo kohë, godina nuk i është nënshtruar asnjë rikonstruksioni të plotë, por vetëm ndërhyrje të pjesshme. Godina vetëm është lyer në fasadë ,si pjesë e projektit për lyerjen të godinave përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë. Sot, gjendja e godinës paraqitet problematike, ku shumë pjesë të saj janë të amortizuara. Në gjendjen më kritike paraqitet skena e teatrit, e cila rrezikon deri dhe shembjen e saj, duke rrezikuar shëndetin e aktorëve. Të amortizuara janë edhe mjedise të tjera të teatrit, si dhomat e aktorëve, sallat e provave, banjot, mungesa e një arshiva e të tjera, pa harruar dhe vjetërsinë e perdeve që kanë vite pa u ndërruar, ndriçimin dhe foninë e dobët larg çdo parametri normal. Godina ka nevojë seriozisht për një rikonstruksion total sepse nuk i plotëson më kushtet për një sallë teatri normal”,- shprehet për Faktoje, publicisti vlonjat, Ergys Alushi.
Mungesën e rikonstruksionit të Teatrit “Petro Marko” e tregojnë edhe aktorët që teatrin e kanë shtëpi të “dytë”.
“Skena është parësore dhe më tej edhe të tjerat, duhet të restaurohet patjetër. E kupton sa hyn në godinë. Ka nevojë për restaurim të plotë e gjithë godina.”- shprehet Loredana Gjeçi aktore, e angazhuar me trupën e teatrit të Vlorës në shfaqjen “Jetët Private”.
Pjesa e jashtme e teatrit “Petro Marko”
Edhe më parë Faktoje e ka ndjekur problematikën e mos rikonstruksionit të teatrit, por dhe psë kanë kaluar 2 vite nga premtimi gjendja ende nuk ka ndryshuar.
Nga mbledhja e të dhënave dhe vite verfikimi në terren premtimin e kryetarit të Bashkisë Vlorë Dritan Leli, për rikonstruksionin e teatrit” Petro Marko” do ta kategorizojmë premtim TËPAMBAJTUR.
Edhe më parë Faktoje ka bërë një artikull ku ka treguar që premtimi për rikonstruksionin e teatrit vazhdon të mbetet në letër edhe pse kanë kaluar kaq vite nga premtimi i dhënë.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.