Pretendimi: Vaksinat e fëmijëve përmbajnë nanogrimca të dëmshme
Verdikti: E pavërtetë
Konspiracioni mbi vaksinimin e detyrueshëm kundër Covid-19, si një dëmtim i qëllimshëm ndaj popullatës, vijon të jetë i përhapur në rrjetet sociale. Ky pretendim i pabazë ka ndikuar në dekurajimin e përdorimit të këtyre vaksinave gjatë dy viteve të fundit. I njëjti dekurajim, për fat të keq po orientohet edhe ndaj vaksinimit të përgjithshëm të fëmijëve, duke rrezikuar që të shtojë numrin e prindërve skeptikë ndaj fushatave të vaksinimit publik.
Një prej këtyre postimeve në një profil në Facebook pretendon se në “brendësi të vaksinave të fëmijëve ndodhen nanogrimca magnetike, të cilat fusin në grackë qelizat e gjakur dhe ndodhin trombocite”.
Sigurisht, ky është një keqinterpretim i çdo njohurie shkencore të deritanishme për funksionimin e vaksinave të fëmijëve.
Vaksinat e “imitojnë” reagimin e trupit ndaj sulmit nga një mikrob, zakonisht një virus ose një bakter, pa shkaktuar sëmundjen. Ato përmbajnë forma të vdekura ose të dobësuara të mikrobeve që aktivizojnë sistemin imunitar të trupit për të prodhuar natyrshëm antitrupa që do të luftojnë sëmundjen. Në këtë mënyrë trupi do të memorizojë se si t’i luftojë ato mikrobe. Nëse në të ardhmen fëmija bie në kontakt me mikrobe shumë të ngjashme, por të gjalla dhe të forta përmes një infeksioni të vërtetë, sistemi i tij imunitar do të dijë se si t’i shkatërrojë ato shpejt para se të sëmuret rëndë. Prandaj, vaksina është mënyra më e sigurt dhe më e mirë për të krijuar një reagim imunitar në trup pa shkaktuar sëmundje.
Mitet për vaksinat anti-Covid, janë frymëzuar nga teknologjia e re mRNA, një lloj vaksine që përdor një kopje të një molekule të quajtur ARN mesazher (mRNA) për të prodhuar një përgjigje imune. Vaksina ofron molekula të mRNA-së që kodon antigjenin në qeliza, të cilat përdorin mRNA-në e projektuar si një gjurmë për të ndërtuar proteina të huaja që normalisht do të prodhoheshin nga një patogjen (siç është një virus) ose nga një qelizë kanceroze. Këto molekula proteinike stimulojnë një përgjigje imune adaptive që e mëson trupin të identifikojë dhe shkatërrojë patogjenin përkatës ose qelizat kancerogjene.
Aludimet e pabaza nga konspiracionistët kundër vaksinimit ndaj Covid-19, kanë krijuar dyshimin se brenda mRNA gjendet oksidi i grafenit, një material që fajësohet si i dëmshëm për shëndetin.
Oksidi i grafenit është një strukturë njëatomike që mund të krijohet përmes oksidimit të grafitit, dhe ka potencial të konsiderueshëm në aplikime të ndryshme biomjekësore.
Përbërësit e vaksinave janë të dizajnuar për të qenë të sigurt dhe efikas. Madje, përbërësi i përmendur, oksidi i grafenit, nuk është listuar si një komponent në vaksinat që janë miratuar për përdorim në Europë. Organizata si Graphene Flagship, që studion aplikimet e grafenit, konfirmon se deri më tani nuk ka produkte që përfshijnë materiale me bazë grafeni të miratuara për përdorim në njerëz.
Pretendimet se vaksinat përmbajnë grafen ose oksid grafeni janë përgënjeshtruar në mënyrë të vazhdueshme nga faktverifikues në disa hulumtime.