Të gjeneruara pamjet e këtij njeriu që mori pamjen e një qeni

11

Pretendimi: Këto janë pamjet e një njeriu që iu nënshtrua operacioneve plastike për t’u dukur si qen

Verdikti: Gjeneruar me AI

Barbara Halla

———————————————————————

Një video po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se një i ri në Japoni ka shpenzuar miliona për ndërhyrje kirurgjikale, në përpjekje për t’u shndërruar në qen. Pamjet tregojnë një figurë që ngjan me një qen me tipare njerëzore dhe janë shoqëruar me pretendimin se personi, i identifikuar në disa postime si Toco, ka kryer operacione plastike për të realizuar dëshirën e tij për t’u dukur si kafshë. Në fakt, pretendimi është i rremë dhe videoja është krijuar me inteligjencë artificiale.

Verifikimet e kryera nga organizatat e kontrollit të fakteve BOOM dhe The Quint nuk gjetën prova për ndonjë person në Japoni që t’i jetë nënshtruar operacioneve për t’u shndërruar në qen. Përkundrazi, analizat e pamjeve kanë evidentuar disa pasaktësi tipike të përmbajtjeve të gjeneruara me AI. Në momente të ndryshme të videos ndryshojnë forma e gojës dhe hundës, ndërsa njëri prej veshëve duket se zhduket gjatë regjistrimit. 

Mjete të ndryshme për zbulimin e manipulimeve me AI e kanë klasifikuar gjithashtu videon si të gjeneruar artificialisht.

Historia duket se është frymëzuar nga rasti real i një japonezi të njohur me emrin Toco, i cili tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi realizoi një kostum shumë realist qeni. Toco nuk iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale, por porositi një kostum të posaçëm që i ngjante një qeni të racës Border Collie dhe e përdori për të realizuar dëshirën e tij për të jetuar, në një farë mënyre, si qen.