Merkel nuk pranoi se solli emigrantë në Gjermani për të mos fituar AfD

10

Pretendimi: Angela Merkel pranoi se solli qëllimisht emigrantë myslimanë në Gjermani për të ndaluar të djathtën ekstreme

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————

Një video e Angela Merkel qarkullon prej fillimit të muajit gusht 2026 në rrjetet sociale nën pretendimin se ish-kancelarja pranoi publikisht se solli qëllimisht emigrantë myslimanë në Gjermani për të frenuar ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme. Kjo video është publikuar edhe në gjuhën shqipe në Facebook, e shoqëruar me komentin: “Ajo preferoi të zhdukte popullin e saj dhe ta vinte në rrezik sesa të rrezikonte humbjen e pushtetit”.

Publikimi përmban një link që i drejton lexuesit tek një postim në anglisht në platformën X, që duhet të jetë zanafilla e pretendimit. Në momentin e verifikimit nga Faktoje.al postimi në X kishte rreth 1.1 milionë shikime, 57 mijë pëlqime, 20 mijë ripostime dhe mbi 2 mijë komente. Edhe në komentet e postimit në shqip, pretendimi merret si fakt dhe shoqërohet me akuza ndaj ish-kancelares gjermane.


Në cepin e sipërm të videos shihet logoja “hr”, që i përket Hessischer Rundfunk, transmetuesit publik të landit Hessen, pjesë e rrjetit publik televiziv gjerman ARD.


Përmes një kërkimi me Google lens, Faktoje e identifikoi videon si pjesë të episodit të podcastit “Freiheit Deluxe” me gazetaren kroato-gjermane Jagoda Marinić. Intervista me Merkelin u regjistrua më 3 mars 2026 dhe u publikua nga hr/ARD më 6 mars.


Intervista e plotë, e gjatë mbi një orë, trajton zgjedhjet e vitit 2026, ngritjen e populizmit të djathtë, politikën migratore, Evropën dhe përvojën e Merkelit si kancelare. Njoftimi i hr e përshkruan bisedën si një diskutim mbi mënyrën se si mund të kundërshtohet populizmi i djathtë dhe të ruhet bashkimi në Evropë.


Në pjesën që është prerë dhe ripublikuar, Jagoda Marinić nuk e pyet Merkelin nëse ajo kishte sjellë emigrantë në Gjermani për të ndryshuar përbërjen demografike apo për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.


Pyetja lidhej me shqetësimin e njerëzve me histori migrimi, përfshirë familje që jetojnë prej brezash në Gjermani, të cilët ndihen gjithnjë e më pak të mirëpritur për shkak të rritjes së AfD-së, partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.


Merkel u përgjigj se, nëse do të zbatohej ajo që kërkon AfD-ja, as ajo vetë nuk do të ishte e mirëpritur. Ajo kujtoi se gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, mbështetës të AfD-së e kishin penguar të fliste në disa aktivitete.


Më pas, Merkel tha se shpresonte që qytetarët me histori migrimi të ndiheshin mjaftueshëm të lidhur me Gjermaninë për t’u bashkuar me ata që nuk bëjnë aleancë politike me AfD-në. Sipas saj, mosbashkëpunimi me këtë parti lidhet me pozicione që bien ndesh me parimet themelore të Kushtetutës gjermane.


Në vijim, Merkel sqaron se e ka fjalën për qytetarët gjermanë, pavarësisht nëse e kanë shtetësinë prej dy vitesh, prej katër ditësh apo nëse familja e tyre e ka prej disa brezash. Mesazhi i saj ishte se të gjithë ata janë pjesë e ‘popullit gjerman’, popullit të cilit i referohet Kushtetuta gjermane.


Në intervistën e plotë Merkel nuk përmend myslimanë dhe as nuk pranon se ka sjellë emigrantë në Gjermani për të frenuar të djathtën ekstreme.


Faktoje e vlerëson pretendimin si të pavërtetë. Videoja e Angela Merkel është autentike, por teksti që e shoqëron i atribuon Merkelit një deklaratë që nuk ekziston.

Artikulli paraprakTë gjeneruara pamjet e këtij njeriu që mori pamjen e një qeni
Artikulli tjetërSuedia nuk burgos prindërit që refuzojnë terapinë hormonale për fëmijët
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.