Ky emigrant afrikan nuk po ngacmon gratë në rrugët e Vlorës

11

Pretendimi: Kjo video tregon një sulm që një emigrant afrikan u bën grave në Vlorë

Verdikti: E paprovuar

Nga Barbara Halla

———————————————————————

Pamjet e një incidenti ku përfshihet një emigrant që sulmon gratë në rrugë, po qarkullojnë në mediat shqiptare me pretendimin se ngjarja ka ndodhur në Vlorë “ditën për diell”. Në sfond, mund të dëgjohet një grua tjetër që flet në shqip ndërsa burri i drejtohet dhe asaj me shenja vulgare, dukshëm në një gjendje të dehur. 

Në rrjetet sociale, kjo video ka arritur një publik edhe më të gjerë, duke u shoqëruar nga një koment që përpiqet të nxisë sulme ndaj emigrantëve nga Egjipti, Maroku apo India, duke i cilësuar ata si të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare. 

Verifikimet e mëtejshme konfirmojnë se ngjarja në fjalë nuk ka ndodhur në Shqipëri, por në Itali. Një kërkim përmes Google Maps tregon që rruga nga ku është xhiruar videoja është në Bari dhe jo në Vlorë. Në video dallohen tabelat e një dyqani fast-foodi me emrin “Sayonara” si dhe një panel në ngjyrë blu me një reklamë me shprehjen “100 GB.” Po të njejtat detaje i gjejmë dhe tek rruga “11 Piaza Aldo Moro” në Bari. Kjo është zona e stacionit të trenit të Barit ku zakonisht qëndrojnë emigrantët apo të pastrehët ashtu si në shumë qytete të tjera evropiane.

Audio në sfond duket të jetë në shqip, gjë që mund ta bërë më të besueshme videon që ndahet në rrjet. Gruaja që e ka xhiruar videon, ose ndoshta thjesht po flet në afërsi, thote: “Çfarë ke me mua?”. Megjithatë, një sy i kujdesshëm mund ta kuptojë se arkitektura e ndërtesave në video nuk ngjason me asnjë prej rrugëve të Vlorës. 

Videoja duket se është keqpërdorur për të krijuar panik dhe tërhequr klikime, por njëkohësisht krijon një perceptim të gabuar kundër emigrantëve. Një valë e re narrativash kundra emigrantëve në Shqipëri, sidomos pasi numri i punonjësve të huaj nga Azia dhe më tej vazhdon në rritje, rrezikon të nxisë tension shoqëror dhe rritjen e forcave politike të ekstremit të djathtë, një problem me të cilin po përballen prej më shumë së dy dekadash demokracitë e zhvilluara të Bashkimit Evropian.