.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSulmi fizik ndaj Tinka Kurtit pjesë e një kamere të fshehtë

Sulmi fizik ndaj Tinka Kurtit pjesë e një kamere të fshehtë

Pretendimi: Qytetari sulmon live studion ku po zhvillohej intervista e artistes Tinka Kurti

Verdikti: Satirë

Pamjet e skenës së dhunës në studion ku po intervistohej aktorja Tinka Kurti, janë thjeshtë një kamera e fshehtë. Video e shpërndarë ka ngjallur mjaft reagime dhe zemërim te ndjekësit në rrjetet sociale.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon një moment “sulmi”, teksa në një studio profesionale po intervistohej aktorja e njohur, Tinka Kurti. Postimi që shoqëron videon thuhet se një qytetar sulmon live studion, duke i ftuar ndjekësit online që të shohin videon.

“Qytetari sulmon live studion ku po zhvillohej intervista e artistes Tinka Kurti”-shkruhet në faqen e Facebook të “Zjarr Televizion”.

Video ka marrë mbi 140 mijë shikime dhe qindra komente, duke ngjallur edhe zemërim te shumë komentues.

Në fakt, e gjithë situata është një skenë e krijuar nga vetë televizioni, pasi bëhet fjalë për një kamera të fshehtë. Video tregon një burrë gjysëm të zhveshur, me mbrojtësen dhe dorezat e boksit, i cili shfaqet dhunshëm në studion radiofonike ku po intervistohej aktorja Tinka Kurti. Pasi përleshet dhunshëm me një teknik dhe moderatoren, boksieri i panjohur ndalet përballë aktores që ndodhet në një gjendje shock-u dhe mundohet ta qetësojë.  

Teksa vijon “përplasja” mes tyre, në fund në studio futet gazetari Ismet Drishti, i cili njihet për krijimin e këtyre kamerave të fshehta. Ai qëndron i qetë dhe i ulur, duke ndjekur të gjithë skenën.

Video e ndarë në profilin në Facebook të “ZjarrTv” duke mos dhënë detaje se bëhej fjalë për një kamera të fshehtë apo satirë ka tërhequr klikime të shumta.

Mirëpo, nuk kanë munguar edhe reagimet negative nga ndjekësit online, të cilët e kanë vlerësuar si “gazetari poshtëruese” këtë situatë ndaj aktores së mirënjohur dhe në një moshë tashmë të madhe për të përballuar emocione të tilla.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img