.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëSpitali i Laçit hapi dyert, por ka ende disa shërbime të munguara

Spitali i Laçit hapi dyert, por ka ende disa shërbime të munguara

Rreth 3 vite pas shkatërrimit nga tërmeti i nëntorit 2019, banorët e Laçit kanë më në fund spitalin e tyre, një investim prej 2.8 milionë euro. Më 5 shtator u bë përurimi nga qeveria dhe dy ditë më pas, nga verifikimi që Faktoje bëri në terren konstatuam që spitali nuk ishte kompletuar plotësisht me pajisje mjekësore. Salla kirurgjikale nuk ishte funksionale dhe pritej ende të sigurohej shërbimi catering, i domosdoshëm për pacientët që do shtrohen.

————————————————————————————–

Më 5 shtator, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përuruan spitalin e ri të Laçit.

“Laçi ka tashmë spitalin e tij modern. Një vepër, e cila hap dyert sot, në një ditë të bardhë, në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Desha t’u kërkoj një falje qytetarëve të Laçit që nuk e mbaruam aq shpejt sa donim spitali, por jam e bindur që kemi bërë më të mirën, me një vepër që do t’i rezistojë kohës dhe do të çojë në një nivel të ri shërbimin spitalor në këtë spital”, deklaroi ministrja Manastrilu në fjalën e mbajtur gjatë përurimit.

Duke qenë se Spitali i Laçit mbulon nevojat e rreth 75 mijë banorëve dhe interesi i qytetarëve është i lartë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim më 7 shtator, për të parë nëse ofroheshin të gjitha shërbimet.

Spitali i Laçit, 7 shtator 2022

Godina është e ndarë në shërbimin spitalor, shërbimin e urgjencës dhe Poliklinikën. Sapo futemi në mjediset brenda spitalit shihet që ka një numër të madh qytetarësh që presin të marrin shërbime. Te Poliklinika shihen radhë të gjata të njerëzve që presin për të vizituar fëmijët.

“Dje u hap spitali (6 shtator) dhe deri tani mirë duket. Kemi ardhur për të vizituar fëmijët për sytë dhe veshët, sepse na duhen për shkollë dhe kopsht. Siç e sheh ka shumë radhë, sepse tani ka filluar dhe të gjithë duan të mbarojnë punë”, tregon një qytetar për Faktoje.

Poliklinika Laç, 7 shtator 2022

Edhe shërbimi i Urgjencës ishte funksional gjatë verifikimit që ne bëmë më 7 shtator. Pacientë të shumtë ndodheshin aty për të marrë shërbimet e nevojshme.

“Kam sjellë mamin për të matur tensionin, sot kam ardhur për herë të parë. Nuk i kemi provuar akoma shërbimet e tjera, sepse tani është hapur”, rrëfen një 25-vjeçare.

Spitali i Laçit, 7 shtator 2022

Shërbimi spitalor në këtë godinë funksiononte i ndarë. Burime nga spitali i konfirmuan Faktojes se ai është i pajisur me aparatura të teknologjisë së fundit, por problem mbetet mirëmbajtja e tyre.

“Spitali është bërë shumë i mirë, por problem është mirëmbajtja. Është shtuar kapaciteti i mjekëve specialistë dhe për fat të mirë të gjitha vendet janë të plotësuara. Para se të bëhej spitali, ishin 5 vende vakante për mjekë specialistë, pjesën tjetër i kishim. Një pjesë janë plotësuar me shtyrje të pensionit. Po bëhet edhe shërbimi katering që është për herë të parë në spitalin e Laçit. Nuk mund ta ofrojmë shtrimin e pacientëve, nëse nuk ofrojmë ushqimin”, bëjnë të ditur anëtarët të stafit spitalor.

Spitali i Laçit, 7 shtator 2022

Por, cilat janë problematikat dhe mungesat në spitalin e Laçit?

“Ky spital ka edhe një problematikë, duke marrë parasysh se është rritur kapaciteti i sëmundjeve. Pra ka 35 shtretër që ofrojnë sot, ndërsa dikur kishim vetëm 3 shtretër që ofronim me oksigjen. Tani janë të gjithë shtretërit me oksigjen. Nëse më parë kemi pasur 10 bombola oksigjeni, tani duhen 35. Aktualsiht e kemi si linjë, por duhet të bëjmë procedurën për blerje bombolash.

Spitali i Laçit, 7 shtator 2022

Është ofruar shërbimi i okulistikës dhe presim ta kompletojmë me pajisje. Nëse më parë ishte me patronazhim nga Sptali i Mirditës, njëherë në javë, sot është me kohë të plotë në Spitalin e Laçit.

Aktualisht ofrohet shërbimi okulistik, i kardiologjisë, i gjinekologjisë, i sëmundjeve të brendshme, gastro-hepatologjisë, ortopedisë, neurogjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë. Për momentin salla e mikrokirurgjisë është gati, po ne kirurgë nuk kemi, do vijnë nga Burreli”, sqarojnë burime nga spitali.

Në lidhje me mungesën e disa shërbimeve mjekësore dhe procesin e mirëmbajtjes, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 7 shtator. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion, duke respektuar afatet e Ligjit për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 7 shtator 2022

Sa herë u shkel premtimi për spitalin e Laçit deri në rindërtimin e tij

Gjatë një takimi në Kurbin, më 14 dhjetor 2019 kryeministri Rama, premtoi se spitali i Laçit, do të bëhej i pari dhe do të hapte dyert brenda 6 muajve të para të vitit 2020.

“Unë besoj që deri në fund të pranverës, ju do keni spitalin e ri. Besoj. Po ja edhe deri në qershor po themi. Po 6 muajt e para besoj do ta mbyllim. Do ta bëjmë model.” – tha asokohe kryeministri Rama.

Më 28 shkurt 2020, kreu i qeverisë, i pranishëm në takimin ku u prezantuan modelet e reja të rindërtimit, u ndal edhe tek spitali i Laçit.

“Jemi shumë pranë fillimit. Spitali i Laçit do të nisë nga puna në qershor, maksimumi, sepse janë procedura që duhen ndjekur” – tha kryeministri Rama, i cili këtë afat e kishte dhënë për përfundimin e rindërtimit të objektit.

Më 7 mars 2020, kryeministri, bëri një tjetër njoftim përmes profilit të tij në rrjetet sociale.

“Gati edhe projekti i Spitalit të ri të Laçit, që do të ngrihet në vend të spitalit të vjetër pas goditjes fatale të tërmetit” –shkruante ai në postimin në Facebook.

Më 16 shkurt të vitit 2021, kryeministri Rama kreu inspektimin e radhës në kantierin e spitalit së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara. Afati i ri që artikuloi zoti Rama më 16 shkurt, për ndërtimin e spitalit, ishte 4 muaj. Kryeministri u kërkoi përgjegjësve të ndërtimit që të punonin me 3 turne për ta përfunduar punën përpara afatit.

Në një përgigje për Faktoje më 2 korrik 2021, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi edhe zyrtarisht shkeljen e premtimit për afatin që përfundonte në qershor të atij viti, ndërkohë që vendoste një afat të ri, muajin shtator të 2021.

Ndërsa, në shtator 2021, ne raportuam se si spitali i Laçit ishte kthyer në shembullin tipik të zvarritjes së afateve dhe premtimeve nga zyrtarët publikë, pasi puna në këtë kantier nuk kishte përfunduar.

Në 15 mars të këtij viti, Faktoje raportoi se rindërtimi i objektit dhe instalimet elektrike po zvarriteshin, teksa marsi ishte afati më i fundit që kishte premtuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img