BallinaPremtimeRindërtimi i spitalit të Laçit, në rekordin e projekteve të zvarritura

Rindërtimi i spitalit të Laçit, në rekordin e projekteve të zvarritura

ILDA HOXHA

Spitali i Laçit është kthyer në shembullin tipik se si zvarriten afatet dhe premtimet e qeverisë për rindërtimin e objekteve me rëndësi jetike për qytetarët. Faktoje verifikoi dështimin e afatit të radhës, që ishte raportuar nga Ministria e Shëndetësisë, për përfundimin në shtator të këtij objekti, i cili duhet të mbulojë nevojat e rreth 80 mijë qytetarëve. Situata në terren tregoi se dita e përfundimit të këtij spitali, është ende e largët.

 

Teksa po mbushen 2 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 2019-s, banorët e Laçit nuk kanë ende një spital. Më 2 korrik 2021, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zyrtarisht për Faktoje shkeljen e premtimit për afatin e përfundimit të ndërtimit të spitalit, duke vendosur një afat të ri, muajin shtator 2021.

“Punimet për përfundimin e ndërtimit të spitait të Laçit zhvillohen në mënyrë të pandërprerë dhe parashikohen të përfundojnë brenda muajit shtator 2021”- thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Faktoje.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë, 2 korrik 2021

Faktoje bëri një verifikim në terren më 14 shtator 2021.

Kantieri i spitalit të Laçit, 14 shtator 2021

Edhe pas shumë e shumë premtimeve nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiakja Majlinda Cara, spitali i Laçit, po zvarritet. Faktoje konstatoi se objekti është ngritur thjesht si strukturë, ndërsa afatet për përfundimin e tij, kanë skaduar njëri pas tjetrit.

Kantieri i spitalit të Laçit, 14 shtator 2021

Në hyrje të rrugës që të çon drejt spitalit, Faktoje konstatoi praninë e makinerive dhe punëtorëve që po merreshin me infrastrukturën e jashtme, ndërsa në strukturën e brendshme, të paktën në kohën e verifikimit nuk kishte punëtorë.

Punonjës të infrastrukturës, 14 shtator 2021

Nga verifikimet tona në terren rezulton se ndërtimi i këtij spitali kërkon ende kohë dhe shtatori i vitit 2021, afat i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë për përfundimin e tij, shënon zotimin e dështuar të radhës për përfundimin e tij.

Si një prej objekteve me rwndwsi jetike për qytetarët, ndërtimi i spitalit të Laçit ka qenë shpesh herë në fokusin e Faktoje.

Në 11 qershor të vitit 2020, Faktoje ngriti shqetësimin për mungesën e spitalit dhe kushtet në të cilat punonin mjekët, pas shkatërrimit të objektit nga tërmeti I 26 nëntorit 2019. Aktualisht ky shërbim ofrohet në një qendër bamirësie të përshtatur edhe për shërbimin obstetric-gjinekologjik.

“Mjekët e Laçit, që mbulojnë nevojat e 80 mijë banorëve, janë zhvendosur në një qendër bamirësie të improvizuar si spital dhe punojnë në kushte lufte. Në një hapësirë krejt të pamjaftueshme për një spital, u shërbehet pacientëve, priten rastet e urgjencës, kryhen vizitat dhe vijnë në jetë foshnjat, duke sfiduar edhe kërcënimin nga pandemia e Covid-19” – citohet ndër të tjera në artikullin e qershorit 2020.

 

Faktoje ka konstatuar se qeveria ka vepruar me dy standarde kur vjen fjala tek ndërtimi i veprave publike parësore.

Në një artikull të 12 marsit 2021, Faktoje raportoi se si ishte ecuria e rindërtimit në Laç, qytet që vuan prej 2 vitesh mungesën e një spitali dhe si po punohej me ritme të shpejta për ngritjen e spitalit të dytë rajonal të Fierit, projekt që iu besua qeverisë turke.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img