BallinaTë pambajturaMinistria e Shëndetësisë pranon shkeljen e afatit për ndërtimin e Spitalit të Laçit

Ministria e Shëndetësisë pranon shkeljen e afatit për ndërtimin e Spitalit të Laçit

Laçi është pa spital prej më shumë se 1 viti e gjysmë, që nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Për rindërtimin e kësaj vepre publike kanë skaduar dy afate të dhëna nga kryeministri Rama, njëri në qershor 2020 dhe tjetri në 2021, afat për të cilin Faktoje raportoi më 16 qershor. Ne i ishim drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë, e cila në përgjigjen e mbërritur në 2 korrik jep si afat të ri për ndërtimin e këtij spitali, muajin shtator.

16 shkurt 2021, në një vizitë në kantierin e sapohapur të spitalit të Laçit, kryeministri Rama përcaktoi një afat prej 4 muajsh për përfundimin e kësaj vepre publike.

“Duhet të punoni 24 orë, me tre turne, që ta mbarojmë para afatit. Edhe është e mundur, se është një volum relativisht i vogël edhe me këtë teknologji besoj që kryhet me sukses.” – tha ai.

Më 16 qershor 2021, ashtu siç kemi raportuar, Spitali i Laçit jo vetëm nuk kishte përfunduar, por punimet ishin ende në faza fillestare.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 qershor 2021

Në këtë artikull, Faktoje informoi se po atë ditë (16 qershor 2021), i kishim dërguar një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, si njësi zbatuese për rindërtimin e spitalit të Laçit, se kur parashikohej të përfundonte kjo vepër.

Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, 16 qershor 2021

Më 2 korrik 2021, në zyrën e Faktojes mbërrit përmes postës, përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila konfirmon edhe zyrtarisht shkeljen e premtimit për afatin që përfundonte në qershor, ndërkoh që vendos një afat të ri, që është muaji shtator 2021.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë, 2 korrik 2021

Në të njëjtën përgjigje, Ministria e Shëndetësisë bën me dije “se të gjitha shërbimet spitalore, që ofroheshin nga Spitali i Laçit nuk janë ndërprerë për asnjë moment dhe vijojnë të ofrohen konform të gjitha kushteve në ambientet alternative të siguruara nga Drejtoria e Spitalit Bashkiak të Laçit”.

artikullin e publikuar në qershor 2020 Faktoje raportoi se ku dhe në çfarë kushtesh po ofrohej shërbimi spitalor, në mungesë të spitalit rajonal të Laçit. Këtë e konfirmonin edhe mjekë që punonin në spitalin e improvizuar.

Postimi i një mjekeje në Laç, qershor 2020

“Mjekët e Laçit, që mbulojnë nevojat e 80 mijë banorëve, janë zhvendosur në një qendër bamirësie të improvizuar si spital dhe punojnë në kushte lufte. Në një hapësirë krejt të pamjaftueshme për një spital, u shërbehet pacientëve, priten rastet e urgjencës, kryhen vizitat dhe vijnë në jetë foshnjat, duke sfiduar edhe kërcënimin nga pandemia e Covid-19”, – citohet ndër të tjera në artikullin e qershorit 2020.

Qendra e bamirësisë e improvizuar si spital në Laç, qershor 2020

Nevoja për një spital të ri në Laç është theksuar disa herë edhe nga kryebashkiakja e Kurbinit, zonja Majlinda Cara, në bisedat e saj me kryeministrin Rama.

“Ky investim është i shumëpritur për komunitetin kryeministër dhe të falenderoj pa masë për pjesën e spitalit. Në fakt firmat duhet të punojnë 24 orë dhe në fakt këtë firmë unë nuk do ta lë asnjë ditë e natë pa iu ardh këtu, sepse është investimi më i domosdoshëm për qytetarët edhe në kohë pandemie. “- u zotua ajo më 16 shkurt.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img