BallinaUncategorized“Misteri” i vdekjes së Adelajdës riciklohet online pas 5 vitesh

“Misteri” i vdekjes së Adelajdës riciklohet online pas 5 vitesh

Vdekjet e papritura të personave publikë ngjallin shpeshherë dyshime dhe shërbejnë si karburant për frymëzimin e teorive konspirative. I tillë është rasti i lajmit të publikuar së fundmi online mbi vdekjen tragjike të ish-gazetares Adelajda Xhamani. Aludimi se një mjeke ngre dyshime mbi arsyet e vdekjes dhe lidhja me informacionet që dinte gazetarja, rezultojnë jo të vërteta.

———————————————————————————————————————————-

Pavarësisht emrit të tij, portalilajmetverteta.com” publikoi më 4 shtator një artikull që zbulon prova të fshehura mbi vdekjen tragjike të gazetares Adelajda Xhamanit. Sigurisht që një lajm i tillë ka ngjallur  interes online dhe është ndarë nga shumë lexues.

Katër vite pas ndarjes nga jeta të Adelës, doktoresha ngre akuzat e rënda: Ajo dinte diçka që nuk duhej të thuhej, ja kush ja mori jetën”, është ky titulli që mban artikulli i publikuar nga kjo media online.

Screenshot lajmi i publikuar nga portali lajmetverteta.com

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të lajmit, për të informuar në mënyrë të saktë audiencën në lidhje me këtë deklaratë që pretendohet se është bërë nga mjekja Teuta Kamberi Alizoti, katër vite pas ndarjes nga jeta të Adelajda Xhamanit. Gjatë një kërkimi në faqen e Facebook-ut të mjekes Teuta Kamberi Alizoti shihet se nuk ka asnjë postim nga doktoresha në lidhje me këtë çështje në shtator 2022, siç pretendon portali.

Më tej, gjatë një kërkimi të bërë në Google shihet se mjekja e ka bërë këtë postim që në tetor të vitit 2017, pas ndarjes nga jeta të gazetares dhe moderatores, Adelajda Xhamani. Që në titull, media online ka një pasaktësi, pasi moderatorja ka ndërruar jetë 5 vite më parë, dhe jo 4 siç thuhet në këtë artikull.

Asokohe, pra në 2017-n postimi i mjekës ishte shpërndarë masivisht në mediat online, si: Lapsi.al, Koha Jone, Syri.net, Noa.al, Balkanweb. Gjatë verifikimit që Faktoje bëri, vumë re që në Facebook-un e saj, mjekja Teuta Kamberi Alizoti kishte bërë një postim sqarues më 30 tetor 2017.

Megjithë dyshimet e shprehura për arsyet mjekësore që mund të sillnin vdekjen e gazetares, vihet re se mjekja nuk ka ngritur në postimin e saj ndonjë dyshim për “informacione që dinte Adelajda dhe që duhet të mbaheshin të fshehta…” ashtu sic pretendohet në titullin e portalit.

Mjekja argumetonte se e kishte fshirë postimin e parë, kjo për shkak të presionit të mediave, që sipas Alizotit e kishin shpërndarë pa aprovimin e saj.

Adele e dashur…u prehsh në paqe shpirt..! Dheu të qoftë pendë i lehtë engjell..! Dua të të them se dje shkrova një status për ty. duke u nisur nga eksperienca ime profesionale…për të argumentuar atë që ndjeva..! Më fal e dashur që e hoqa atë status..pasi presioni ka qenë i madh..! Së pari të gjitha mediat vizuale rrëmbyen statusin tim dhe e hodhën në treg pa marrë aprovimin tim…telefonojnë për intervista pa sens..jo se i dhimbsesh ti…por sepse më shumë se jeta jote…janë paratë që fitojnë nga klikimet e komentet”, shkruante në fund të tetorit të 2017-s, mjekja e njohur.

Screenshot postimi i mjekes Teuta Kamberi Alizoti 

Përpos pasaktësive në titull dhe gabimeve drejtshkrimore në tekst, riciklimi i një lajmi të tillë tragjik nga portali vetëm për marrë klikime është gjithashtu jashtë çdo etike të gazetarisë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img