Pretendimi: Video tregon lëshimin e një shqiponje në stadium në nderim të Granit Xhakës dhe futbollistëve të tjerë shqiptarë

Vlerësimi: E pavërtetë

Pamjet e shqiponjës që fluturon në stadium nuk janë për të nderuar futbollistët shqiptarë, siç pretendohet në postime të shpërndara online. Verifikimet tregojnë se video është xhiruar gjatë një ndeshje futbolli në Amerikë.

Me afrimin e kampionatit evropian të futbollit, në rrjetet sociale shqipfolëse është shpërndarë një video e fluturimit të një shqiponje në një stadium të tejmbushur. Pretendohet se ky nderim i dedikohet futbollistit me origjinë shqiptare Granit Xhaka si dhe futbollistëve të tjerë shqiptarë që na bëjnë krenarë.

E mrekullueshme kjo…Shqiponja, simboli ynë kombëtar fluturon mbi stadiumin e Europës në nderim të Granit Xhakës dhe shqipeve që na bëjnë krenarë”- shpjegon teksti mbi videon e publikuar nga profili informativ “Kosova Today”, duke marrë mbi 194 mijë shikime në një ditë nga publikimi. Video mban gjithashtu titullin “Euro 2024 AL”, duke e lidhur me përfaqësuesen shqiptare që është kualifikuar në kampionatin evropian që zhvillohet në Gjermani në muajin qershor.    

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pamjeve, pasi vihen re disa elementë në video që nuk përkojnë me kombëtaren shqiptare, duke nisur që nga ngjyrat e flamujve në fushë. Shihet që dominon e bardha e jeshilja, teksa në fushë është hapur një flamur gjigand amerikan.

Granit Xhaka, kapiteni i përfaqësueses zvicerane, është angazhuar në këtë sezon si mesfushor për klubin e Bayer Leverkusen në Gjermani dhe nuk ka kryer ndonjë transferim në ShBA.

Teksa ndjekim fluturimin e shqiponjës vëmë re disa emra të shkruara në pjesën e sipërme të stadiumit. Disa nga emrat janë: Reggie White, Chuck Bednarik, Al Wistert, Pete Retzlaff.

Nga kërkimi i bërë shihet se të gjithë ata kanë qenë futbollistë profesionistë amerikanë. Të katërt kanë luajtur për ekipin “Philadelphia Eagles”.

Philadelphia Eagles” është një ekip profesionist i futbollit amerikan me bazë në Philadelphia dhe është themeluar në vitin 1933. Skuadra ka si simbol të saj shqiponjën dhe kjo kuptohet qartë që nga emri i ekipit. Ngjyrat e ekipit janë e bardha e jeshilja.

Pra, ndryshe nga çfarë pretendohet në rrjetet sociale në vendin tonë, shqiponja në video nuk është për të nderuar futbollistët shqiptarë.