Pretendimi: Vaksinat anti-Covid përhapin virusin HIV.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se vaksina anti-Covid përhap virusin HIV. 

Si “provë” për këtë pretendim të jashtëzakonshëm sillet një studim i botuar në revistën PubMed, në çfarë duket si rumanisht. 

Si fillim, Faktoje gjeti studimin origjinal në anglisht për të kuptuar se çfarë shkruhet në të. 

Artikulli i botuar më 26 tetor 2021 përshkruan rastin e një pacienti 26-vjeçar, në të cilin infeksioni me HIV kishte shfaqur sindroma që i përngjasonin efekteve anësore të vaksinës anti-Covid.

Në përshkrimin e rastit (pjesa e rrethuar me të kuqe në postimin që po qarkullon në rrjet), shkruhet:

“Një burrë 26 vjeç shfaqi temperaturë dhe dhimbje koke pas vaksinimit kundër Covid-19. Simptomat u menduan në fillim se ishin efekte anësore të vaksinës. Një testim diagnostikues u krye si pasojë e temperaturës dhe dhimbjes së kokës që vazhdoi për më shumë se 72 orë pas vaksinimit, dhe ai u diagnostikua me infeksion akut HIV shkalla II Fiebig, 3 javë pasi kishte patur marrëdhënie pa mbrojtje me një burrë tjetër.”

Pra, rasti i mësipërm nuk provon se vaksinat anti-Covid përhapin HIV. Në këtë rast, simptomat e HIV i përngjasonin efekteve anësore të vaksinës anti-Covid. Siç përshkruhet më sipër, burri 26-vjeçar nuk mori HIV nga vaksinimi anti-Covid, por nga marrëdhëniet seksuale pa mbrojtje, mënyra më e zakonshme e përhapjes së HIV tek njerëzit.