BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVaji i farës së zezë nuk trajton problemet te fëmijët autikë

Vaji i farës së zezë nuk trajton problemet te fëmijët autikë

Pretendimi: Vaji i farës së zezë trajton problemet e spektrit të autizmit te fëmijët

Verdikti: E pavërtetë

Vaji i farës së zezë nuk trajton problemet e autizmit te fëmijët, siç pretendohet online. Mjekët neuropediatër këshillojnë prindërit që të tregojnë kujdes, pasi përdorimi i këtij vaji te fëmijët mund të ketë efekte anësore.

Shitja e medikamenteve apo trajtimeve bimore nëpërmjet rrjeteve sociale është një biznes fitimprurës. Një nga trajtimet e reklamuara shpesh në postimet online është dhe vaji i farës së zezë. Këshillat online pretendojnë përdorimin në shumë sëmundje, një prej tyre, së fundmi, edhe në trajtimin e problemeve të autizmit te fëmijët.

A e dini se vajin e farës së zezë e sugjerojnë edhe mjekët për fëmijët me autizëm”-këshillon një postim i profilit në Facebook “Adena Online”. Pretendohet në postim se përdorimi i esencës bimore ndihmon në përmirësimin e sistemit nervor, problemeve emocionale dhe të komunikimit si dhe qetësimin e shenjave të stresit tek fëmijët autikë.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Në lidhje me këto pretendime, Faktoje fillimisht pyeti mjeken neuropediatre Migena Bedeni Kika për të sqaruar si ndikon përdorimi i vajit të farës së zezë te këta fëmijë.

“Autizmi është një çrregullim neurobiologjik kompleks. Nuk ka për momentin asnjë lloj mjekimi, medikamenti, vaji bimor apo çfarëdo lloj mënyre tjetër që të rregullojë apo të shërojë çrregullimet e spektrit të autizmit”, thekson mjekja.

Më tej ajo shton se ka shumë pak ose aspak prova për përdorimin e vajit të farës së zezë në fëmijë dhe në një pjesë të madhe të rasteve mund të ketë edhe efekte anësore.

Ky vaj nuk trajton çrregullimet e spektrumit të autizmit, mund të ketë benefite në lidhje me sistemin imun apo uljen e inflamacionit, por secili rast është specifik. Duhet përdorur me kujdes, në kontakt shumë të ngushtë me mjekun, për të shmangur rastet kur nuk duhet përdorur apo efektet anësore”, thekson mjekja neuropediatre.

“Prindërit duhet të kenë shumë kujdes në përdorimin e këtij vaji. E para, nuk rekomandohet edhe në mjekësinë alternative që vaji i farës së zezë të përdoret për një periudhë kohore më shumë se 3 muaj.

E dyta, në rastin që fëmija me autizëm mund të ketë edhe problematika të sëmundshmërisë kronike, si për shembull çrregullime gastrointenstinale apo ndonjë lloj patologjie tjetër në kuadrin e gjakut apo të mpiksjes së gjakut, nuk rekomandohet në mënyrë absolute përdorimi i vajit të farës së zezë.

Në periudha mbi 3 mujore mund të ketë edhe efekte anësore të rënda në organizmin e fëmijës. Efektet anësore janë kryesisht dhimbja e kokës, konfuzioni, çrregullimet në orientim deri diku, të vjella”, argumenton neuropediatrja.

Veç kësaj, mjekja ngre shqetësimin se përdorimi i vajit të farës së zezë ndërhyn kryesisht në mekanizmat e mpiksjes së gjakut dhe mund të japë gjakderdhje

“Në praktikën klinike unë kam hasur 2-3 fëmijë me problematika të mpiksjes së gjakut edhe hematoma në nivelin e dukshëm të lëkurës si pasojë e përdorimit afatgjatë të vajit të farës së zezë.

Ne bëmë edhe një kërkim online për të parë nëse kishte studime që tregonin ndikimin e vajit të farës së zezë te fëmijët me autizëm, por nuk gjetëm asnjë informacion të besueshëm dhe të provuar shkencërisht mbi këtë çështje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img