.

.

BallinaPertejShqipëria, vendi me më pak investime në arsim në rajon

Shqipëria, vendi me më pak investime në arsim në rajon

Pandemia “Covid-19” vuri në provë edhe sistemin arsimor në Shqipëri dhe nxori në pah problematika të tjera, veç atyre ekzistuese. Një prej tyre ishte përshtatja e metodologjisë së procesit mësimor, nga fizike në “online”, për shkak të kushteve të krijuara nga kufizimet që diktoi pandemia. Shqipëria renditet si vendi me më pak investime në rajon e gjithashtu me nivelin më të ulet të infrastrukturës teknologjike.


Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në një studimin analitik lidhur me sistemin arsimor në Shqipëri, evidenton një sërë problematikash.

Shkollat në Shqipëri mbeten të nënfinancuara dhe kjo ndikon dukshëm në cilësinë e mësimit që u ofrohet nxënësve – thuhet në raportin e OECD.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), në studimin e publikuar në 4 qershor thekson se Shqipëria shpenzon shumë më pak se vendet e tjera të rajonit, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shpenzimet në raport me PBB, burimi: Banka Botërore

Sipas të dhënave nga Banka Botërore, Shqipëria për vitin 2018 ka shpenzuar 2,46 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që vendet e rajonit e kanë mbi 3 për qind.

Raporti ngre problematikën se mungesa e financimit sjell edhe diferenca nga njëra shkollë në tjetrën brenda vendit.

Kapaciteti i shkollave për të dhënë mësim kufizohet nga mungesa e materialit arsimor si librat shkollorë, pajisjet e teknologjike dhe biblioteka ose materialet e laboratorit. Kjo i vë shkollat nën presion për të kërkuar burime të tjera financimi. Në një shkollë të vizituar nga ekipi shqyrtues, prindërit po grumbullonin fonde për të mbuluar koston e ngrohësve. Për më tepër, fondet nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë – theksohet në raportin e OECD.

I njëjti dokument thekson se ndërsa nënfinancimi kufizon aftësinë e shkollave për të marrë masa përmirësuese, financimi jo i barabartë nënkupton se shkollat që kanë nevojë për më shumë mbështetje si ato në zonat rurale mund të jenë në disavantazh edhe më të madh.

Shqipëria duhet të bëjë ndryshime në mënyrën e financimit të shkollave për të siguruar barazi më të madhe. Grantet diskrecionale gjithashtu duhet të përdoren për të ndihmuar shkollat që janë në disavantazh që të punojnë drejt përmirësimit. Sigurohuni që fondet të shpërndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha shkollat – shton më tej raporti i cili përmend edhe rezultatet e dobëta të aftësive të 15 vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Në vitit 2018 raporti ndërkombëtar vjetor “Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve” (PISA) e renditi Shqipërinë në vendin e 61 nga 79 vende të botës.

Ndërkohë shpenzimet e pamjaftueshme për arsimin dhe mangësitë që ato sjellin mbeten temë diskutimi prej vitesh. Në protestat studentore të dhjetorit 2018, studentët shtruan si kërkesë që shpenzimet për arsimin të rriteshin në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Vetë kryeministri Rama pranoi pas protestave studentore se shpenzimet për arsimin në masën
5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë një premtim i vitit 2013 dhe se nuk është mbajtur
“për 1001 arsye”. Por pandemia “Covid-19”, nisur nga nevoja për transformimin e zhvillimit të
procesit mësimor nga fizik në online, nxori zbuluar edhe zotime të tjera të qeverisë si ai për
digjitalizimin e shkollave.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img