Hapja e vendit pas kufizimeve për parandalimin e pandemisë, nga 1 qershori deri më sot, solli 2,530 raste të reja me Covid-19, 64 viktima dhe 1,276 raste aktive me koronavirus. Kjo situatë e “katapulton” Shqipërinë në vendin e 12-të në Europë, për numër të infektuarish, për 1 milionë banorë, ndërkohë që deri në 10 qershor rezultontë me numrin më të ulët të tyre. Si do të ishte pozicioni i Shqipërisë në këtë hartë nëse do të kryheshin më shumë teste?
Mbi 2,500 raste të reja me koronavirus janë regjistruar që nga hapja e vendit më 1 qershor e deri më 14 korrik.
Rastet ditore të konfirmuara me Covid-19, burimi: Coronavirus.alNga ana tjetër, prej 1 qershorit janë regjistruar 64 humbje të reja jete.
Shqipëria ka humbur pozicionimin “e mirë” në raport me vendet europiane apo ato të rajonit, për sa i përket të prekurve nga Covid-19”. Janë 11 vende europiane dhe nga rajoni që kanë numër më të pakët të infektuarish nga koronavirusi.
Sipas të dhënava nga Worldmeters, Shqipëria nga vendi i dytë me më pak vdekje nga koronavirusi ku gjendej deri më 10 qershor, tashmë pozicionohet te vendet me më shumë vdekje nga “Covid-19” në Europë e Rajon.
Nga ana tjetër, Shqipëria vijon të jetë vendi me më pak teste të kryera se çdo vend i Bashkimit Europian apo Rajonit, duke u renditur ndër të fundit në botë.
Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Bettina Menne, në një intervistë për Euronews Albania më 10 qershor, argumentoi se ndër shkaktarët e shtimit të rasteve pozitive me “Covid-19” si dhe vdekshmërisë, problemi është mosfunksionimi siç duhet i sistemit të gjurmimit. Sipas saj nëse ke pasur kontakt me një të infektuar, hyn në kategorinë me rrezik të lartë dhe duhet të kryesh tamponin për ta verifikuar nëse e ke sëmundjen apo jo.
Nga të dhënat zyrtare të ISHP, numri i testimeve për gjurmimin e përhapjes së Covid 19, është rritur, në disa ditë me jo më shumë se 100 teste ndërkohë që vetë institucioni pohon përhapjen me shpejtësi të virusit në komunitet.
*Foto kryesore është marrë nga agjencia turke e lajme “Anadolu Agency”.