Edhe pse kanë ndodhur tre raste të vetëflijimit të pacientëve të infektuar nga virusi Sars-Cov-2, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, ende nuk ka psikologë për trajtimin e pacientëve të prekur nga Covid-19. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, më 10 nëntor u shpreh se ky spital prej disa kohësh kishte psikologë, ndërsa 5 ditë më pas Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, Silvana Bala deklaroi se ky shërbim mungonte duke argumentuar se pacientët asistoheshin përmes mjekëve edhe në aspektin psikologjik.
Tre pacientë janë vetëflijuar duke u hedhur nga pavionet e kateve ku trajtoheshin. Pacienti i parë i infektuar nga koronavirusi i ri, që kreu vetëvrasje në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ishte 29 vjeçari nga Durrësi, me iniciale Xh.K., i cili ishte shtruar prej 4 ditësh. Ngjarja ndodhi në 13 gusht, ndërsa pacienti, që po përmirësohej nga simptomat, kreu vetëvrasje duke u hedhur nga dritarja. Në 2 shtator, 65-vjeçari Hasan Mira nga Klosi, i cili kishte vetëm 24 orë që trajtohej në mjediset e spitalit, u hodh nga kati i tretë.
Shoqata e Infermierëve Shqiptarë, pas vetëflijimit të 65-vjeçari Mira, në një postim në rrjetin social “Facebook” – deklaroi:
Pse po vetëvriten pacientët me Covid 19?! Shënohet rasti i dytë në spitalin “Shefqet Ndroqi” ku pacienti hidhet nga kati i katërt duke gjetur vdekjen. Mungesa e shërbimit të punonjësit social, psikologut, sjell këtë gjendje tek pacientët. Kur dihet që shumica e pacientëve pësojnw dëmtime serioze si nga ana emocionale dhe psikologjike, përpos sëmundjes që kanë. Izolimi total ndaj familjarëve duke mos i lejuar asnjë formë kontakti me ta krijon stres psikologjik. Kur një pacient ndërron jetë mbahet në të njëjtën dhomë me pacientët e tjerë, deri në momentin që merret nga mjekësia ligjore dhe në këtë situatë një pacient me covid pëson shok psikologjik – në reagimin e Shoqatës së Infermierëve Shqiptarë.
Më 1 nëntor, një tjetër pacient u vetëhodh nga dritarja e dhomës ku po trajtohej në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, duke gjetur vdekjen.
Më 4 nëntor, Urdhëri i Psikologut kërkoi asistimin e pacientëve të infektuar nga Covid-19 me psikologë.
“Stafet psikologjike duhet të jenë pjesë e ekipeve të trajtimit të të sëmurëve Covid-19. Duhet të jenë pjesë edhe e Ekipit të Ekspertëve. Situata është e rënduar dhe nuk ka më kohë për të pritur” – thuhej në postimin në Facebook të Urdhërit të Psikologut.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu më 10 nëntor 2020, deklaroi se prej disa kohësh shërbimi përmes psikologëve ofrohej edhe në Spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”.
Është shumë i rëndësishëm dhe shërbimi psikologjik, për këtë kemi marrë masa që edhe spitali “Shefqet Ndroqi” tashmë prej disa kohësh ka psikolog. Përpos masave, edhe në shërbimin multidisiplinar. Kemi vendosur në dispozicion koordinatorë që bëjnë lidhjen e familjarëve me mjekët e pacientëve me Covid-19. Infermierët kryejnë edhe telefonata dhe video-telefonata mes pacientëve dhe familjarëve të tyre – u shpreh Manastriliu.
Pak ditë pas kësaj deklarate, shefja e Shërbimit të Pneumologjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala, në një intervistë për Euronews Albania, deklaroi se ky shërbim mungonte, duke argumentuar se pacientët asistoheshin përmes mjekëve edhe në aspektin psikologjik.
Struktura e psikologëve është shumë shpejt e ardhshme edhe në spitalin tonë. Them se efekti i mjekut psikolog nuk i mungon asnjërit, sepse mjafton një shtrëngim dore për këta pacientë. Them se edhe ky shërbim për të cilin juve flisni dhe keni shumë të drejtë, shumë shpejt do të vijë edhe do ta kenë – u shpreh Bala.
Për psikologen Marsela Lekli, trajtimi psikologjik është jetësor në raste pandemish.
Ndihma psikologjike ka pasur dhe duhet të ketë një rol kyç në situata të tilla, në të cilën ndodhet e gjitha bota. Trajtimi i një psikologu e lehtëson më shumë situatën në të cilët ndodhen pacientët, nga trajtimet dhe konsultimet e miërfillta me çdo secilin dhe familjarët e tyre, do kemi një situatë më të manaxhuar si nga ana shëndetësore dhe psikologjike – argumenton Lekli.
“Faktoje” kërkoi të të kontaktonte zyrtarisht me spitalin “Shefqet Ndroqi” për të pyetur në lidhje me shërbimin psikologjik, por nuk mundi të marrë një përgjigje. “Faktoje” dërgoi një “Kërkese për inormacion”, për këtë qëllim, por ende nuk ka një përgjigje.