BallinaFaktometerE PavërtetëTritan Shehu: Shqipëria, i vetmi vend në Europë ku kanë ndodhur vetëvrasje në spital të pacientëve me koronavirus

Tritan Shehu: Shqipëria, i vetmi vend në Europë ku kanë ndodhur vetëvrasje në spital të pacientëve me koronavirus

Në Tiranë u shënua rasti i katërt i aktit të vetëvrasjes në spital të një pacienti të infektuar nga koronavirusi, i cili mori dëmtime të rënda, por i shpëtoi vdekjes. Një ditë para ngjarjes tek “Infektivi”, ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, në një intervistë televizive deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku kanë ndodhur vetëvrasje në spital të pacientëve të infektuar me koronavirus. Nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se deklarata nuk është e vërtetë.


Mos harrojmë se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku ka vetëvrasje në spitale.Që në shkurt, Kryeministri fliste për mijëra të vdekur, nxorri ushtrinë, tanket, mitralozët. Kjo tronditi psikologjinë e njerëzve – deklaroi Shehu në një intervistë për Report TV, duke marrë shkas nga aktet e vëtëflijimit brenda spitalit “Shefqet Ndroqi”, nga pacientë të shtruar si pasojë e virusit Sars-Cov-2.

Në Shqipëri, pacienti i parë i infektuar nga koronavirusi i ri, që kreu vetëvrasje në spitalin Shefqet Ndroqi, ishte 29 vjeçari nga Durrësi, me iniciale Xh.K., i cili ishte shtruar prej 4 ditësh. Ngjarja ndodhi në 13 gusht, ndërsa pacienti, që po përmirësohej nga simptomat, kreu vetëvrasje duke u hedhur nga dritarja.

Në 2 shtator, 65-vjeçari Hasan Mira nga Klosi, i cili kishte vetëm 24 orë që trajtohej në mjediset e spitalit, u hodh nga kati i tretë.

Më 1 nëntor, një tjetër pacient u vetëhodh nga dritarja e dhomës ku po trajtohej në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” duke gjetur vdekjen.

Sipas të dhënave të disponueshme gjatë kohës së qëndrimit në spital pacienti nuk ka manifestuar shenja të çrregullimeve psikologjike si në momentin e shtrimit edhe gjatë terapive të mjekimit – thanë autoritetet e spitalit “Shefqet Ndroqi” pas kësaj ngjarjeje, për të cilën dy prokurorë vijojnë hetimet, por deri më tani ende nuk ka të dhëna mbi rezultatet.

Rasti i fundit ndodhi këtë të martë, në 10 nëntor tek spitali Infektiv, ku pacienti 69 vjeçar me iniciale R.G, u vetëhodh nga kati i tretë dhe pësoi dëmtime të rënda.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik se stafi mjekësor në Spitalin Infektiv po bën përpjekjet maksimale për të shpëtuar jetën e pacientit, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në spitalin Infektiv, ku një pacient tentoi të kryente aktin tragjik. Pacienti me inicialet R.G., 69 vjeç aktualisht është nën kujdesin e mjekëve të këtij spitalireagoi QSUT në një postim në Facebook.
Shënim: 69-vjeçari me iniciale R.G., humbi jetën të mërkurën më 11 nëntor, një ditë pasi kreu aktin e vetëhedhjes nga kati i tretë i godinës së spitalit Infektiv.

“Faktoje” bëri një verifikim, nëse ka pasur raste të ngjashme në vendet e Evropës, duke kërkuar të dhëna për Italinë, vendin fqinj që u përball me pasoja të rënda nga përhapja e Covid-19.

Rasti i parë i vetëvrasjes së një pacienti të infektuar nga koronavirusi në Itali u raportua më 13 mars 2020. Një 65-vjeçar u vetëhodh nga kati i tretë i spitalit në Maugeri di Montescano.

Më 25 mars 2020, një 73-vjeçar i cili sapo ishte shëruar nga koronavirusi u vetëhodh nga kati i shtatë i spitalit të Kremonës.

14 tetor 2020 një 78-vjeçar u vetëhodh duke gjetur vdekjen në spitalin “San Pio” në Benevento.

Nga kërkimi i “Faktoje”, rezultoi se në asnjë vend të Rajonit nuk kanë ndodhur vetëvrasje të pacientëve të infektuar me koronavirus gjatë trajtimit në spital.

Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se periudha e pandemisë “Covid-19” ka rritur ndjeshëm rrezikun e vetëvrasjeve të pacientëve të infektuar.

Koronavirusi po ndikon në shëndetin mendor të shumë njerëzve. Të dhëna të përftuara nga një serë studimesh diktojnë rritje të nivelit të shqetësimit, ankthit dhe depresionit – thuhet në një njoftim të OBSH-së.

Nga verifikimi i Faktoje, fenomeni i vetëvrasjes në spital të pacientëve me Covid, nuk është një rast tipik vetëm për Shqipërinë. Këtë e vërtetojnë ngjarjet e kësaj natyre, të ndodhura në Itali, që prej shfaqjes së pandemisë. Për këtë arsye, deklaratën e ish-ministrit Shehu, do ta kategorizojmë si “Të pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img