Një seancë e tensionuar parlamentare që ka ndodhur vitit të kaluar, është sjellë nga faqja e Facebook Agora News si të ishte duke ndodhur këtë vit. Verifikimi i “Faktoje” e vendos këtë seancë në kontekstin e munguar, pasi publikut nuk i janë dhënë elementët e duhur për të dalluar që video i takon vitit 2022.

———————————-

Faqja në Facebook Agora News postoi më 28 korrik 2023 një video të një seance parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, të shoqëruar me përshkrimin “Përplasje e fortë në Kuvend, mes Berishës dhe Ramës për korrupsionin qeveritar dhe Kosovën: Je i pafytyrë”.

Video, e cila është parë nga më shumë se 80 mijë përdorues, prezantohet si transmetim Live nga Kuvendi në 28 korrik 2023.

Duke qenë se seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar në Kuvend e Shqipërisë u mbajt në 21 korrik 2023, “Faktoje” vendosi ta verifkojë këtë postim të Agora News.

Një tregues se kjo seancë parlamentare nuk mund të jetë e vitit 2023, është shfaqja e ish-deputetes së Partisë Demokratike, Grida Duma. 

Screenshot nga video e publikuar nga Agora News

Nëntor 2022, Duma hoqi dorë nga mandati i deputetes për t’ju përkushtuar karrierës televizive dhe u zëvendësua nga deputetja Oriela Nebiaj.

Nëpërmjet Google Reverse Image Search rezulton se seanca e mësipërme, që shitet si e 28 korrikut 2023, ka ndodhur në të vërtetë mbi 1 vit më parë, më 21 korrik 2022.

Çështja që ngjalli trazira në Kuvend në 21 korrik 2022 kishte të bënte me projektrezolutën e sjellë nga PS për raportin e Dick Martyt në Kosovë. 

Përplasja mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha në këtë seancë u raportua gjerësishtmedia.

Screenshot nga Euronews Albania, 21 korrik 2022

Publikimi i seancës së plotë si live, ndërkohë që në ekran shfaqen lajme që i përkasin datës 28 korrik 2023, por edhe mos lajmërimi i publikut me elemente të dukshëm se kjo seancë parlamentare i takon vitit 2022, konsiderohet si mungesë konteksti nga ana e publikuesit.