Një imazh i cili pretendon se Nasa ka përdorur fotografi të modifikuara nga Groenlanda, për të ilustruar sipërfaqen e Marsit, është i pavërtetë. Në rrjetet sociale ndërmjet profileve që përhapin teori konspirative, përfshirë edhe ato shqipfolëse, po qarkullon një fotografi, që vendos këto dy pamje në krah të njëra-tjetrës. 

Siç vërehet, të dyja imazhet janë thuajse identike, me ndryshimin e vetëm praninë e çfarë duket si një robot eksplorues në cep të fotos majtas. 

Ajo çfarë synohet që të përcillet me anë të këtij publikim është se, fototgrafitë që prezantohen si të sipërfaqes së Marsit, janë në të vërtetë foto të modifikuara të planetit Tokë.

Megjithatë, asnjë burim zyrtar nuk ka pretenduar se pamja në të majtë, është foto nga sipërfaqja e Marsit.

Roboti eksplorues i NASA, Perseverance, u largua nga Toka në 2020 dhe zbarkoi në Mars në 2021 me qëllim eksplorimin e këtij planeti. Foto nga ky mision janë botuar në faqen zyrtare të NASA. 

Mes këtyre fotografive, imazhi i sipërm nuk rezulton. NASA nuk ka pretenduar kurrë se ky imazh është nga sipërfaqja e Marsit.

Perseverance ka transmetuar edhe pamje filmike nga sipërfaqja e Marsit. Imazhi i mësipërm nuk shfaqet as ndër këto pamje.

Në fakt, është e dukshme që foto majtas është e njëjta foto si ajo djathtas, por e modifikuar me një filtër në ngjyrë portokalli. 

Në fakt, “Faktoje” gjeti një video ku tregohet pikërisht se si foto djathtas është modifikuar nëpërmjet Photoshop-it për të krijuar atë majtas. Në këtë video satirike, autori shtiret sikur është duke drejtuar një trajnim me stafin e NASA për falsifikimin e fotografive.

Së fundmi, as pretendimi se foto në të djathtë tregon një kodër në Groenlandë nuk është i saktë. Kodra ndodhet në të vërtetë në Burren, Irlandë.