BallinaBurokraciSa çartera me turistë erdhën në Shqipëri pas 12 qershorit?

Sa çartera me turistë erdhën në Shqipëri pas 12 qershorit?

Disa muaj pas mbylljes së kufijve nga pandemia “Covid-19”, 189 turistë nga Bjellorusia mbërritën në një fluturim çarter në aeroportin “Nënë Tereza” më 12 qershor. Këtë lajm e njoftoi Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, që ofroi edhe një pritje ceremoniale në aeroport për “mysafirët”. Pak ditë më vonë, Klosi deklaroi se brenda asaj jave do vinin tre çartera të tjerë me turistë dhe gjatë javës pasuese do mbërrinin turistë nga Ukraina e Polonia. “Faktoje”, iu drejtua Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit përmes kërkesës për informacion dhe e pyeti se sa turistë kanë mbërritur me çarter prej 12 qershorit 2020, por edhe pas shkeljes së afatit zyrtar, nuk mori një përgjigje.


Rimëkëmbja e turizmit nga kriza që shkaktoi pandemia dhe masat e marra për parandalimin e saj, është një nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria, ashtu si pothuajse e gjithë bota. Mbyllja e kufijve, solli anulimet e prenotimeve nga turistët e huaj që kishin planifikuar pushimet në Shqipëri duke shkaktuar një humbje financiare për operatorët turistikë dhe biznesin në përgjithësi. Megjithatë, pas tre muajsh izolim nga pandemia e “Covid-19, në Shqipëri erdhën 189 turistë nga Bjellorusia përmes një fluturimi “çarter”.

189 lule sot për 189 turistët e parë që vijnë në Shqipëri. Është charteri i parë turistik jo vetëm në Shqipëri🇦🇱, por dhe Europë. Megjithatë kjo duhet të na bëjë më të kujdesshëm dhe të zbatojmë protokollet shëndetësore – shkroi Klosi në postimin e shoqëruar edhe me pamje nga pritja e turistëve.

Tre ditë më pas, më 15 qershor, në një intervistë  për “Ora News”, Klosi njoftoi se brenda asaj jave do vinin 3 çartera të tjerë me turistë .

Nesër vjen çarteri tjetër, brenda javës do të vijnë 3 të tillë. Më pas javës tjetër do të vijnë çartera nga Ukraina dhe Polonia – u shpreh Klosi më 15 qershor.

“Faktoje”, në një kërkesë për informacion pyeti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit lidhur me numrin e turistëve të ardhur prej 12 qershorit 2020.


Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit

Por, edhe se një detyrim që rrjedh nga ligji “Për të drejtën e informimit”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk dha një përgjigje duke shkelur afatet ligjore.

*Foto kryesore është marrë nga rrjeti social “Facebook” i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img