BallinaDezinformimi në kohë krizashLufta në UkrainëRusia nuk shpalli mobilizim të përgjithshëm ushtarak

Rusia nuk shpalli mobilizim të përgjithshëm ushtarak

Lajmi për një mobilizim të përgjithshëm ushtarak në Rusi pas lëshimit të urdhërit të arrestit për presidentin Putin, rezulton i pavërtetë. Verifikimi i “Faktoje” e vendos këtë pretendim në kontekstin e munguar të realitetit të agresionit rus në Ukrainë. 

———————————-

Ndërsa agresioni rus në Ukrainë mbushi plot një vit muajin e kaluar, keqinformimi i prodhuar si rezultat i dhe justifikimi për këtë luftë vijon. Portali mast.al, artikujt e të cilit mbi luftën në Ukrainë “Faktoje” i ka përgënjeshtruar edhe më parë, ka botuar një artikull në 18 mars ku pretendon se në Rusi është dhënë “urdhër për mobilizim të përgjithshëm.”

Artikulli përmend urdhërin e arrestimit lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale për presidentin rus Putin, më 17 mars 2023. Sipas autorit, kjo do të thotë që “NATO dhe Perëndimi sapo shpallën edhe zyrtarisht luftën me Rusinë.” 

Më tej, artikulli citon gazetën ruse Insider që raporton se sisteme të mbrojtjes kundërajrore S-400 janë vendosur në tre fusha në Moskë.

Por, askund në artikull nuk citohet një burim apo dokument për pretendimin e bërë në titull se Rusia ka urdhëruar mobilizimin e përgjithshëm. 

Mobilizimi i përgjithshëm i popullsisë u deklarua në Ukrainë nga presidenti Zelensky në Shkurt 2022. Ky mobilizim nënkuptoi thirrjen për gatishmëri e të gjithë rekrutëve dhe rezervistëve të ushtrisë, ndërsa të gjithë burrat nga 18 deri në 60 vjeç u ndaluan të largoheshin nga vendi.

Për krahasim, në Shtator 2022, presidenti rus Putin shpalli mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve ekzistues të ushtrisë. Në atë kohë, Putin tha se “po flasim për një mobilizim të pjesshëm. Kjo do të thotë që vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervat e ushtrisë dhe, mbi të gjitha, ata që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura, kanë aftësi ushtarake dhe eksperiencë. Vetëm ata do të thirren nën armë.”

Një mobilizim i përgjithshëm do të nënkuptonte që burrat e moshës 18-60 vjeç do t’u ndalohej të largoheshin nga Rusia, dhe do të rekrutoheshin në ushtri.

Në të vërtetë, siç raporton Radio Europa e Lirë, në Rusi zyra të rekrutimit ushtarak u kanë kërkuar burrave në moshë për të luftuar të përditësojnë informacionin e tyre të kontaktit. Sipas avokatit të të drejtave të njëriut Pavel Chikov, kjo ka ndodhur në të paktën 42 rajone ruse.

Qeveria ruse mohon se ky është një mobilizim i përgjithshëm. Zëdhënësi i qeverisë Dmitry Peskov tha në 14 mars 2023 se nuk ka patur diskutime në Kremlin për një valë të dytë mobilizimi (pas asaj të Shtatorit).

Në mungesë të provave se Rusia ka filluar mobilizimin e përgjithshëm, pretendimi i artikullit të mast.al mbetet i pabazë.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img