BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në Facebook“Financial Times” nuk konfirmoi fitoren e luftës nga Rusia

“Financial Times” nuk konfirmoi fitoren e luftës nga Rusia

Një analizë e “Financial Times” për agresionin në Ukrainë është nxjerrë nga konteksti nga portali Mast.al duke “konfirmuar fitoren e Rusisë” apo edhe vlerësime të larta nga kjo media prestigjioze për gjeneralin në krye të ushtrisë ruse.

 

Në 26 dhjetor, gazeta prestigjoze Financial Times ka publikuar një artikull me titull, “Lufta e madhe është rikthyer, pesë mësime nga pushtimi rus në Ukrainë”. Në shkrimin e tij gazetari John Paul Rathbone, ndër të tjera, citon ekspertë të sigurisë, ushtarakë apo këshilltarë, të cilët flasin mbi këto ‘pesë mësime’ nga agresioni rus në Ukrainë.

Artikulli i “Financial Times” është ripublikuar më 29 dhjetor në portalin Mast.al në rublikën info/opionine por ndryshe nga origjinali, përshtatja e tij në shqip është nxjerrë nga konteksti.

Financial Times: “Rusia po e Fiton Luftën në Ukrainë Duke Zbatuar Pesë Parime Themelore të Luftës!”– shkruan në titull portal Mast.al, ndërkohë që në asnjë radhë të shkrimit origjinal nuk thuhet se Rusia po e fiton luftën në Ukrainë dhe aq më pak në titullin origjinal.

Screenshot nga portali Mast.al

 

Thuajse në të gjithë artikullin portali Mast.al glorifikon figurën e Surovikin, gjeneralit rus që nga muaji tetor është vënë në krye të forcave ruse në Ukrainë.

Askush (as në Perëndim) nuk e ka përvojën luftarake të Surovikin. Të gjitha vendimet e tij tani zbatohen automatikisht, sepse ai i di rezultatet paraprakisht.”– shkruhet ndër të tjera në brendësi të artikullit.

Nga verifikimi i “Faktoje” i shkrimit origjinal rezulton se “Financial Times” e përmend vetëm në një paragraf gjeneralin rus. Për të sjellë më konkretisht tonin e artikullit mbi gjeneralin mund të shërbejë paragrafi i mëposhtëm:

“Putin në tetor emëroi gjeneralin Sergey Surovikin për të komanduar forcat ruse në Ukrainë. Surovikin, një veteran i luftës në Siri, është “ndoshta komandanti më kompetent që Rusia ka vendosur”, tha Dara Massicot, një eksperte ushtarake ruse në think-tank-in e korporatës Rand“.

Ka mjaftuar ky citim i ekspertës ushtarake ruse që portali Mast.al të shkruajë një opinion të gjatë mbi aftësitë dhe përvojën e gjeneralit rus, duke pretenduar në titull që Rusia falë tij po e fiton edhe këtë luftë. Ka shumë gjasa që në këtë formë të jetë transmetuar artikulli edhe për publikun e gjerë në Rusi, i cili merr informacione të përpunuara nga ekspertët e propagandës dhe censurës për zhvillimet e luftimeve në Ukrainë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img