BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashMercenarët rusë ende pa “fitoren e madhe” në Ukrainë

Mercenarët rusë ende pa “fitoren e madhe” në Ukrainë

Keqinformimi mbi atë çka po ndodh në Ukrainë ka shoqëruar luftën në këto 11 muaj prej nisjes së sulmit nga Rusia në shkurt 2022. Artikulli me titull “Fitorja e Madhe e Rusëve – Për 6 Ditë Pushtuan Qytetin Soledar” publikuar në 11 Janar, është një nga këto raste. “Faktoje” verifikoi se informacioni i ofruar për publikun shqiptar është i njëanshëm, duke “shitur” propagandën ruse për fakt.

Jona Plumbi

Një artikull i publikuar në 11 janar në portalin mast.al pretendon se Rusia ka arritur një fitore të madhe në Ukrainë, duke pushtuar qytetin Soledar brenda 6 ditëve.

Kreu i Wagner PMC deklaroi kontrollin e plotë të qytetit Soledar. Flamuri rus valëvitet në qendër të qytetit. Menjëherë pas këtij informacioni rusët goditën në Harkovo një depo municionesh.” – kështu nis artikulli i portalit në fjalë, ku mes të tjerash pretendohet edhe se “Zelenski pranoi dorëzimin e qytetit duke deklaruar: ‘Duhet të nderoj heronjtë e Brigadës së 46-të ajrore për betejën që dhanë në Soledar. Ju falenderoj luftëtarë!’”

“Faktoje” verifikoi deklaratën e kreut të shtetit ukrainas, Volodymir Zelenski, i cili e falenderoi vërtetë Brigadën e 46-të ajrore, por në asnjë moment nuk pranoi dorëzimin e qytetit. Në videon e shpërndarë nga zyra e Presidentit të Ukrainës në kanalin YouTube në datën 11 Janar, e cila është zbardhur e plotë në faqen web të presidencës ukrainase, Zelenski dëgjohet të thotë se “Sot, dua t’u bëj një nderim të veçantë luftëtarëve të brigatës së 46-të kundërajrore për trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në mbrojtje të Soledarit. Faleminderit luftëtarë!

Një ditë më vonë, Zelensky doli me një tjetër video-mesazh, duke iu përgjigjur pikërisht propagandës ruse e cila pretendonte kapjen e plotë të qytetit të Soledarit. Në deklaratën e tij ai tha se “Tani  shteti terrorist [Rusia] dhe propagandistët e tyre po mundohen të pretendojnë se një pjesë e qytetit Soledar – qytet i cili thuajse u shkatërrua i gjithi nga pushtuesit – është një arritje e Rusisë. […] Por beteja vijon.”

Kontekst

Themeluesi i forcave mercenare ruse që prijnë sulmin e Moskës në qytetin Soledar në Ukrainën lindore pretendoi se trupat e tij kishin marrë kontrollin e qytetit në 10 Janar. Ky pretendim u mohua nga zyrtarët ukrainas.

Pretendimi se qyteti Soledar në Ukrainë kishte rënë në duart e rusëve u shpërnda në Telegram nga vetë sipërmarrësi që ka themeluar Wagner Group, Yevgeny V. Prigozhin.

Por ministria e mbrojtjes ukrainase po atë natë publikoi në Twitter pretendimin se “Rusia po vijon të mundohet të marrë plotësisht qytetin.

Instituti për Studimet e Luftës, me bazë në Washington, deklaroi pas këtij njoftimi të rusëve se pretendimet që Rusia të ketë marrë kontrollin e plotë të qytetit Soledar, janë false.

Një tjetër pretendim i ngritur nga artikulli i publikuar nga mast.al është se “Rusia e pushtoi qytetin Soledar për 6 ditë”. Në fakt, lajmërimet për hyrjen e trupave Ruse në këtë qytet kanë nisur prej muajit Gusht 2022.

Kjo u mbështet edhe nga separatistët pro-rusë në 11 Gusht 2022.

Përfundimi

Artikulli i publikuar nga mast.al, përpos ofrimit të njëanshëm të propagandës ruse si fakt, ka keinterpretuar deklaratën e presidentit ukrainas Volodymir Zelensky lidhur me dorëzimin e qytetit Soledar në duart e rusëve. Lexuesve u është ofruar një informacion i pafaktuar, pa dhënë aspak kontekst dhe madje duke keqinterpretuar deklarata që gjenden lehtësisht në rrjet.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img