BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet e bëjnë me dy nëna Ermal Mamaqin

Portalet e bëjnë me dy nëna Ermal Mamaqin

Ermal Mamaqi nuk është djali i shkrimtares së njohur Adelina Mamaqi, siç pretendohet nga portalet. Numri i lartë i ndjekësve në rrjetet sociale mesa duket është arsyeja e përfshirjes së aktorit në disa artikuj që kanë për synim tërheqjen e klikimeve.

Më 22 mars është publikuar online një artikull që tregon detaje mbi jetën e shkrimtares Adelina Mamaqi, vështirësitë dhe sfidat në jetën e saj, duke përmendur në titull edhe aktorin Ermal Mamaqi.

Adelina Mamaqi shpërthen në lot, vështirësitë pas divorcit dhe gabimi me djalin, aktorin e humorit Ermal Mamaqi”-shkruan portali ‘Alfapress.al’. Për shkak të disa elementëve në përmbajtjen e titullit, emrat e dy personazheve të njohur, një dramë familjare dhe rrëfimi personal, lajmi ka ngjallur interes në rrjetin Facebook duke u ndarë nga 10 përdorues dhe klikuar mbi 30 mijë herë gjatë 4 ditëve të fundit.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Në titull portali përmend një “gabim” që shkrimtarja e njohur ka bërë me të birin, që sipas tyre është Ermal Mamaqi. Nëse do të shohim më tej në brendësi të tekstit, në artikull nuk përmendet në asnjë moment aktori Ermal Mamaqi. Teksti i portalit ‘Alfapress.al’  është marrë nga “Abc Neës”, ku zonja Mamaqi ka dhënë intervistën. Mirëpo, në asnjë pjesë të intervistës ajo nuk flet për Ermal Mamaqin si djalin e saj.

Gjatë një kërkimi të thjeshtë të bërë në Google, rezulton se Adelina Mamaqi ka dy djem dhe emrat e tyre sipas rrëfimit të vetë shkrimtares janë Darling dhe Bledar.

Edhe më herët, Mamaqi ka folur për fëmijët e saj ku ka treguar emrat dhe fotot e tyre: “Ky është Bledari, i vogli dhe Darling, i madh. Një nga djemtë jeton në Itali, ndërsa Bledari jeton në Shqipëri”.

Pra, siç shihet nga rrëfimet e shkrimtares, Ermal Mamaqi nuk është djali i saj, siç pretendon portali në titulli.

Aktori Ermal Mamaqi ka publikuar shpeshherë foto të prindërve të tij, të cilëve u ka shprehur mirënjohjen për suksesin e arritur.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img