Ndërtimi i rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi ishte një nga premtimet kryesore në programin për infrastrukturën të kandidatit socialist për bashkinw Shkodër, Benet Beci. Rruga e re do të kushtojë 3,2 milionë euro, por punimet qw do kryhen nga FSHZH ende s’kanë nisur pasi pritet miratimi i dy lejeve, asaj mjedisore dhe të ndërtimit.
Esmeralda Topi
Para zgjedhjeve vendore të 14 majit, Benet Beci kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës spikati për fushatën e tij teknike, duke i paraqitur elektoratit projekte konkrete zhvillimore për qytetin.
Pjesë e programit për Shkodrën ishte dhe rruga e re Shirokë-Zogaj-Kufi.
“Rruga e re (në ndërtim) Shirokë-Zogaj-Kufi së bashku me pikën kufitare të re do të krijojë lidhjen me zonën e Krajës si me rrugë automobilistike, biçikletash dhe varkash nëpërmjet rrjetit të moleve.”, shkruhet në Programin e premtimeve të kandidatit fitues në krye të Bashkisë Shkodër Benet Beci.
Programi i premtimeve
Ndërtimi i kësaj rruge ka qënë një angazhim i zotit Beci që në kohën kur ishte deputet i zonës.
“…do të bëj çmos që punimet e rrugës Shirokë-Zogaj-kufi, të vonuara përtej limiteve të arsyeshme, të fillojnë sa më shpejt, duhet të shohim hapin tjetër, mundësinë e lundrimit në lumin Buna për të cilin jemi në drejtimin e duhur.”, premtonte Beci këtë fillim janari, teksa socialistët e kishin zyrtarizuar si kandidat për kryebashkiak të Shkodrës.
Projekti i rrugës
Segmenti i rrugës që përfshihet në këtë projekt lidhet me rrugën që të çon në Urën e vjetër të Bunës dhe me rrugën Shtatë Bajrakët, në Rrethina, Bashkia Shkodër. Ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm për zonën pasi rregullon trafikun e banorëve të saj dhe i shërben zonës turistike Shirokë – Zogaj.
Rruga do të kalojë në një trase ekzistuese, pasi rruga ekzistuese e përdorur nga banorët ka një shteg të mirëpërcaktuar dhe është e asfaltuar nga Shiroka në Zogaj. Gjatësia e pjesës së asfaltuar është rreth 4220 metra. Pas këtij progresi do të nisë rruga e re e bypass-it mbi fshatin Zogaj. Ky kalim do të përshkojë rrugën ekzistuese që kalon nga Zogaj për një gjatësi prej 1480 m.
Gjithashtu, segmenti i fundit i rrugës nga Zogaj deri në pikën e kalimit kufitar i cili është rreth 492 metra do të bëhet një trase e re.
Rruga do të jetë me korsi biçikletash dhe trotuar për këmbësorët. Projekti i përgatitur nga Bashkia Shkodër, do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Asnjë gjurmë investimi
Nisur nga ky premtim, një muaj përpara përfundimit të vitit 2023, Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës për të verifikuar nëse kishin nisur punimet për rrugën Shirokë-Zogaj-Kufi.
Për të shkuar nga Shkodra në Shirokë duhen më pak se 20 minuta me makinë.
Thuajse e njëjta kohë na u desh për të mbërritur nga Shiroka në Zogaj, ndonëse distanca në kilometra është më e shkurtër. Rruga që të çon për në Zogaj është e ngushtë dhe e dëmtuar.
Fotografi
Mërgim Hasaj është lindur dhe rritur në Zogaj. E takuam pranë dyqanit të tij në fshat, teksa mblidhte rrjetën e peshkimit bashkë me gruan. 49 vjeçari ishte në dijeni të projektit të rrugës, por çuditet si ka mundësi që puna s’ka nisur ende.
“Po fillon së shpejti thonë. Firma e ka fitu dhe fondi ka dalë. S’dimë se ça i pengon që të nisin punën.“, tha ai për Faktoje, teksa shtoi: “Rruga sjell zhvillim, dashje pa dashje…”
Segmenti i fundit i rrugës nga Zogaj deri në pikën e kalimit kufitar ishte pjesa më e degraduar e kësaj rruge. Problemet ishin të dukshme që në nisje të saj, pranë shkollës nëntëvjeçare “Reshit Hyseni” në Zogaj.
450 metrat e kësaj rruge mund të përshkoheshin vetëm me automjete të larta.
Kur do të nisë projekti?
Bashkia e Shkodrës, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit si njësi zbatuese ende nuk kanë një afat se kur do të nisin punimet për rrugën Shirokë-Zogaj-Kufi.
Bashkia e Shkodrës i shpjegoi Faktojes se ky është një projekt i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe se Bashkia ka miratuar lejen e infrastrukturës që në qershor të 2022.
Nga ana tjetër, në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Fondi Shqiptar i Zhvillimit pohon se është në pritje të dy lejeve të tjera, lejes mjedisore dhe asaj të ndërtimit.
“Sa i përket rrugës Shirokë – Zogaj – Kufi, ku parashikohet rikonstruksioni i rrugë Shirokë – Zogaj dhe sistemimi i kanalizimeve të ujërave të ndotura, financim në vlerë totale 3,235,884.13 Euro me T.V.SH., me afat 12 muaj nga fillimi i punimeve, ju bëjmë me dije se këto të fundit do të fillojnë pas marrjes së lejeve të nevojshme për fillimin e punimeve (leje mjedisore + leje ndërtimi).”, argumenton FSHZH.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi, e vlerësojmë si ende të pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.