Në fushatën për zgjedhjet vendore të 14 majit, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja duke prezantuar programin, premtoi ngritjen e pikave të grumbullimit për produktet bujqësore në tri njësitë administrative. Verifikimi i Faktoje tregoi se në Shushicë, Bradashesh dhe Gjergjan mungojnë këto pika, ndërsa bujqit ankohen se i dërgojnë produktet me shpenzimet e veta dhe shpesh dalin me humbje.

Patris Pustina

Në Maj 2023, gjatë fushatës zgjedhore, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, i cili kandidonte për mandatin e tij të dytë, premtoi, si pjesë e planit të tij për zhvillimin e bujqësisë, ndërtimin e pikave të grumbullimit të prodhimit bujqësor në Shushicë, Bradashesh, dhe Gjergjan.

Faktoje vendosi t’i drejtohej me një kërkesë për informacion Bashkisë për t’u interesuar për statusin e projektit për ngritjen e pikave të grumbullimit në këto tre njësi administrative.

Pyetjet drejtuar Bashkisë Elbasan

përgjigjen e saj, Bashkia na vuri në dispozicion të dhëna mbi kapacitetet prodhuese të njësive administrative që përbëjnë Bashkinë Elbasan, por asnjë detaj konkret që tregonte ecurinë e projektit që parashikon ngritjen e pikave të grumbullimit, siç premtoi kryebashkiaku i Elbasanit, Llatja.

I vetmi detaj konkret i ofruar nga Bashkia është se “është menduar që të ngrihet një pikë grumbullimi për frutat në njësinë administrative Shushicë në vendin e quajtur ish-qendra e rezervave të Shtetit.”

Përgjigjia e Bashkisë Elbasan

Me anë të një tjetër kërkesë për informacion, këtë herë drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faktoje u interesua për ndërtimin e pikave të grumbullimit.

Sipas përgjigjes, Ministria nuk është përgjegjëse direkt për pikat e grumbullimit, por ofron “masa mbështetëse për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe blegtorale, me kërkesë nga Bashkia përkatëse.” 

Në qarkun e Elbasanit, për vitin 2022 kjo mbështetje ka shkuar për bashkinë e Belshit, ndërsa për vitin 2023 parashikohet të shkojë për bashkinë e Peqinit.

Asnjë plan për ndërtimin e pikave të grumbullimit në Shushicë, Gjergjan dhe Bradashesh, bazuar në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Nga verifikimi në terren në fund të muajit tetor 2023 konstatuam se në Shushicë, Bradashesh dhe Gjergjan nuk ekzistonin pika grumbullimi, dhe banorët që pyetëm nuk ishin në dijeni të planit për ndërtimin e tyre. 

Në të treja njësitë administrative, prodhuesit na thanë se prodhimet i dërgojnë për të shitur në Elbasan, me shpenzimet e tyre. 

Në Shushicë, Qendra e Rezervave të Shtetit ende qëndron e pacënuar, dhe Fakotje nuk dëshmoi ndonjë tregues se kishte filluar puna për ta transformuar atë në njq pikë grumbullimi.

Qendra e Rezervave të Shtetit, Shushicë, Elbasan, 24 tetor 2023

Qendra e Rezervave të Shtetit, Shushicë, Elbasan, 24 tetor 2023

Mungesa e pikave të grumbullimit të qendërzuara në këto njësi administrative i shton koston e transportit një tregtie e cila e ka tashmë fitimin e ulët për bujqit. Disa prej tyre pranuan për Faktoje se i tregtojnë prodhimet me humbje, vetëm që të përfundojnë duke i hedhur poshtë. 

Në këto rrethana, premtimi i kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për ngritjen e pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore në Shushicë, Bradashesh dhe Gjergjan mund të quhet ende i pambajtur.