Rreth 5 vite pas tërmetit tragjik, banorët e lagjes numër 5 në qytetin e Durrësit nuk kanë hyrë ende në banesat e tyre, Verifikimi i Faktoje.al në terren dhe informacionet e siguruara nga Bashkia e Durrësit tregojnë se në këtë zonë ka përfunduar vetëm një pallat, ndërkohë që ende nuk ka nisur puna për rindërtimin e 8 të tjerëve. Bashkia e Durrësit argumenton se nuk ka fonde, ndërsa është në pritje të mbështetjes nga institucionet e qeverisjes qendrore.

Në maj të vitit 2023, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako premtoi ndërtimin e pallateve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar.

“Në takim me banorët e njësisë nr. 3 ku u angazhuam që pallatet DS5 të lagjes nr. 5 të rindërtohen në të njejtin vend”- shkroi në Facebook, kryebashkiakja Sako.

Postimi i kryebashkiakes së Durrësit Emiriana Sako në Facebook, 8 maj 2023

Faktoje vendosi të verifikojë këtë premtim, duke iu drejtuar fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Zyrtarisht ky institucion bën të ditur se në lagjen numër 5 të njësisë administrative numër 3 janë në total 9 pallate me shkallë dëmi DS5. Ndërkohë, është rindërtuar pallati nr.30, rruga “Hysen Myshketa”.

Kjo u konstatua nga Faktoje.al edhe gjatë një verifikimi në terren në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar më 17 tetor, ku pamë nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit aty. Në këtë zonë vetëm një pallat kishte përfunduar, ndërkohë që pallatet e tjerë të dëmtuar nuk ishin shembur dhe nuk kishte gjurmë të nisjes së punimeve për rindërtimin e tyre.

Mirëpo, Bashkia nuk ka një datë kur mund të nisë puna për ndërtimin e pallateve të tjera, duke theksuar se procesi nuk varet vetëm prej tyre.

“Nëse nga institucionet përkatëse të qeverisjes qendrore nuk do të lëvrohen fonde për këtë proces, Bashkia Durrës do të vlerësojë mundësinë e përfundimit të këtij procesi me fondet e saj duke filluar nga viti që vjen. Rindërtimi i këtyrë objekteve është një proces, i cili nuk varet vetëm nga institucioni ynë, por që kryhet dhe realizohet në bashkëpunim ndërinstitucional”, argumenton Bashkia e Durrësit.

Por kur pritet që në pallatin e vetëm që ka përfunduar në këtë lagje, banorët të mund të hyjnë në shtëpitë e tyre? “Aktualisht në pallatet e rindërtuara, akomodimi i banorëve parashikohet të realizohet deri në fund të këtij viti”, bën të ditur Bashkia. Edhe një vit më parë, në një reagim për Faktoje.al , Bashkia e Durrësit njoftonte se banorët do të futeshin në shtëpitë e reja brenda vitit.

Banorët pa bonus qiraje

Prej marsit të vitit 2023, banorët e prekur nga tërmeti i 5 viteve më parë, nuk po marrin as bonusin e qirasë.

“Na kanë lënë si mos më keq. Shtëpi nuk kemi, bonus qiraje ka më shumë se 1 vit e gjysmë që nuk po marrim. Përgjigje nuk na japin kur do na i bëjnë shtëpitë. Kemi bërë takime me kryetaren dhe na thuhet e njëjta gjë, do nisim punë sa më parë. Deri më tani, nuk kemi parë asgjë konkrete”, thotë Bona, banore e njësisë 5 në qytetin bregdetar.

E pyetur nga Faktoje.al, Bashkia e Durrësit thekson se e ka miratuar listën e banorëve që përfitojnë bonus qiraje, por nuk jep asnjë informacion nëse këta banorë do ta marrin bonusin dhe as çfarë do bëhet me qiratë e prapambetura prej më shumë se 1 viti e gjysmë. Sipas këtij institucioni, ndërpreja e fondeve nga Ministria e Financave ka krijuar këtë problematikë, pasi Bashkia nuk ka buxhet për mbulimin e kostove për qiratë e banorëve të prekur nga tërmeti i vitit 2019.

“Nga momenti i ndodhjes së fatkeqësisë natyrore dhe deri në muajin mars të vitit 2023, bonusi i qirasë është financuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ndodhur në këto kushte Bashkia Durrës ka bërë vetëm miratimin e listës perfituese të banorëve me vendim këshilli bashkiak. Nëpërmjet shkresës nr.5897 të Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë, të gjitha bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirase mbas muajit Mars 2023, nuk do të financohet më nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por duhet parashikuar nga buxheti i Bashkisë”, bën të ditur Bashkia.

Prej vitesh, procesi i rindërtimit në Durrës është zvarritur dhe kjo është verifikuar nga Faktoje.al në një sërë artikujsh.

Nga verifikimi në terren dhe informacionet e grumbulluara, vendosëm që premtimin për rindërtimin e pallateve në lagjen 5, ta kategorizojmë Të Pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakLegalizimet, roli i ri i bashkive nis me shkelje afatesh
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.