Në fillim të muajit prill, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria kishte 304 respiratorë në dispozicion për të përballuar trajtimin e pacientëve me probleme në frymëmarrje. Që prej asaj kohe “Faktoje”, nisur edhe nga njoftimet e vazhdueshme për dhurim apo blerje të respiratorëve të rinj, pyeti Ministrinë e Shëndetësisë, se sa aparate të tilla ka Shqipëria aktualisht në dispozicion. Shifra zyrtare sipas përgjigjes së Ministrisë është 271 respiratorë, ndërsa po të llogarisësh ato të “premtuar” dhe të dhuruar, duhej të ishin 405 të tillë.
Më 16 mars, një javë nga shpërthimi i pandemisë në vend, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një intervistë për Report TV, deklaroi se në vend ishin 200 respiratorë në dispozicion të përballjes me pandeminë “Covid-19”.
“Në publik dhe jo publik janë 200 respiratorë, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi marrë masat për t’u forcuar” – u shpreh Manastirliu.
Një ditë më pas, më 17 mars, hapi një tender të klasifikuar si “sekret” me afat kohor vetëm 24 orë e me vlerë 129,7 milionë lekë për blerjen e resipratorëve.
Më 23 mars ministrja Manastirliu njoftoi se kishin nisur procedurat për blerjen e respiratorëve dhe se brenda një afati nga 9-45 ditë në vend do mbërrinin 145 respiratorë të tjerë.
Po lidhim kontratën për blerjen e 54 respiratorëve dhe vijojmë procedurën për 100 respiratorë të tjerë, që do mbërrinin nga 9 deri në 45 ditë – deklaroi Manastirliu.
Pra, referuar deklaratës së ministres Manastirliu, deri në fundin e muajit maj, në vend do kishte 154 respiratorë të tjerë.
Më 2 prill erdhi sasia e parë e respiratorëve të porositur, financim i qeverisë shqiptare për forcimin e kapaciteteve në përballimin e situatës së COVID-19.
Nga financimi i qeverisë shqiptare dhe kontrata e lidhur tashmë kanë ardhur dhe janë vendosur sasia e parë prej 5 respiratorësh të rinj në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërkohë që priten të lëvrohen edhe pjesa tjetër. Në total kemi 54 respiratorë në dërgesën e parë dhe më pas do të kemi edhe 50 të tjerë e kështu me rradhë, sipas porosive – u shpreh Manastirliu.
Edhe në këtë moment Manastriliu konfirmoi se porosia ishte në proces dhe respiratorët e tjerë ishin në proces që të mbërrinin në vend.
Më 8 prill, kryeministri Edi Rama njoftoi se në vend ishin në dispozicion 304 respiratorë.
Ne kemi sot 200 respiratorë gjendje, plus 54 të rinj dhe 30 të tjerë që janë rrugës, plus 20 në paketën e parë të ndihmës së BE, në total janë 304 në dispozicion – u shpreh kryeministri Rama.
Më 16 qershor, zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në emisionin “Provokacija” në ABC News deklaroi se nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, deri në atë moment ishin blerë 100 respiratorë të tjerë.
Ne kishim rreth 200 respiratorë dhe nuk i kemi përdorur. Kemi blerë rreth 100 të tjerë. Sot përdoren vetëm dy – u shpreh Rakacolli.
Shqipërisë iu dhuruan 51 respiratorë!
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, më 4 prill, dhuroi dy respiratorë për spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht spitali COVID 2.
Banka Amerikane e Investimeve “Abi Bank”, më 24 prill dhuroi tre respiratorë.
Më 15 qershor, në kuadër të paketës së ndihmës 50 milionë euro, ku 4 milionë ishin direkt për sistemin shëndetësor, Bashkimi Europian dhuroi 15 respiratorë.
Në një kërkesë për informacion të dërguar nga Faktoje, Ministria e Shëndetësisë, në përgjigjen e dhënë konfimon se nga qeveritë e Zvicrës dhe Norvegjisë si dhe PNUD janë dhuruar 31 respiratorë.
Aktualisht, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në vend gjenden 271 respiratorë për trajtimin e personave që kanë deri në pamundësi në frymëmarrje.
Shifrat nuk përputhen!
Referuar të dhënave nga Ministrja dhe Zv.Ministrja e Shëndetësisë se para shpërthimit të pandemisë, në gjithë vendin ishin në dispozionin 200 respiratorë, duke i shtuar edhe 51 respiratorët e dhuruar si edhe ata që u deklaruan de do bliheshin (154), shifra aktuale do duhej të ishte në 405.
Edhe nëse marrim të mirëqenë deklaratën e datës 16 qershor, të zv. ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, se deri në atë moment ishin blerë 100 respiratorë, shifra gjithësesi do duhej të ishte më e lartë. Pra, 200 respiratorë në gjendje, 51 u dhuruan, dhe 100 të blerë, në tatal do duhej të ishin 351 respiratorë në dispozicion.
Respiratorët e oksigjenit janë aparatura të cilat iu vijnë në ndihmë pacientëve, mushkëritë e të cilëve kanë humbur pjesërisht apo tërësisht funksionalitetin. Nuk ka një çmim fiks për respiratorët, por kostot shkojnë nga 5 deri në 20 mijë euro.