.

.

BallinaBurokraciNë kërkim të shifrave dhe transparencës për stafin mjekësor të prekur nga COVID-19

Në kërkim të shifrave dhe transparencës për stafin mjekësor të prekur nga COVID-19

Që prej shpërthimit të pandemisë së COVID-19, në muajin mars, Ministria e Shëndetësisë ka bërë rregullisht njoftime publike lidhur me pasojat e virusit, numrin e qytetarëve të prekur, viktimat, masat shtrënguese dhe protokollet e sigurisë. Kur vjen fjala te numri i të prekurve në radhët e personelit shëndetësor apo testet për gjurmimin epidemiologjik, përditësimi nga MSH bëhet me “hope”.  Edhe pas kërkesës së detajuar për informacion mbi këto pikëpyetje, përgjigja që morëm nga Ministria nuk jepte shpjegime.


Me shfaqjen e pandemisë së COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë përditësime mbi situatën. Në muajin maj ky institucion nisi të jepte të dhëna mbi prekshmërinë e personelit shëndetësor, por ai nuk ishte i përditshëm dhe e lë të paqartë sesa është numri i mjekëve dhe anëtarëve të tjerë të personelit shëndetësor me Covid.

Përditësimi mbi personelin shëndetësor vazhdoi të jepej deri më 15 qershor. (Përjashtim bën vetëm data 26 qershor ku u njoftua mbi numrin e testeve serologjike në radhë personeli dhe përqindjen e pozitivitetit të përgjithshëm)

Më 18 qershor, “Faktoje” i dërgoi Ministrisë së Shëndetësisë një kërkesë për informacion ku pyeste për shifrat mbi gjendjen e personelit shëndetësor në raport me COVID-19.

Pyetjet e dërguara në kërkesën për informacion

Ministria e Shëndetësisë u përgjigj brenda afatit ligjor prej 10 ditësh pune, por nuk dha shpjegim për asnjërën nga 4 pyetjet e Faktoje. Në përgjigjen e ministrisë nuk figuron as edhe një shifër e vetme.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë

Në përgjigjen e saj, ministria na “orientonte” tek faqja zyrtare online. Ne klikuam aty por nuk  morëm asnjë nga të dhënat që kërkonim përmes pyetjeve që i drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë.

Ne kontrolluam të gjitha përditësimet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë nga data 1 maj deri më 30 qershor. Nga kërkimet tona rezulton se nga 61 ditë, përditësimi rreth numrit të mjekëve apo infermierëve të testuar, pozitivë apo të shëruar është bërë vetëm në 16 ditë. Përditësimi i parë i detajuar rreth mjekëve apo infermierëve është bërë më 8 maj, ndërsa i fundit më 26 qershor.

Përditësimi i datës 8 maj, faqja e Ministrisë së Shëndetësisë

Vetëm në pak ditë të tjera ka pasur përditësime mbi testet serologjike tek personeli shëndetësor.

Përditësimi i datës 26 qershor, faqja e Ministrisë së Shëndetësisë

Më pas kontrolluam dhe muajin korrik deri më 9 gusht, data e fundit në të cilën Ministria e Shëndetësisë ka bërë një përditësim të plotë ditor në faqen e saj online, por në asnjë rast nuk gjetëm përditësim për sa i përket personelit shëndetësor.

Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur përditësime as për kryerjen e testeve serologjike në radhët e këtij personeli.

Ministria e Shëndetësisë iu përgjigj në mënyrë formale kërkesës sonë për informacion, por nuk dha shpjegim për asnjërën nga pyetjet që dërguam. Edhe faqja e ministrisë, tek e cila na orientoi, jep informacion të cunguar dhe jo shterues, duke e bërë jo transparente situatën.

JOEL ÇELA

Lexo edhe: Ministria e Shëndetësisë vazhdon “avazin” me shkeljen e afateve për “të drejtën e informimit”

Zero transparencë për 324 milionë lekët e shpenzuara nga Ministria e Shëndetësisë për Covid-19

Emergjencë nga Covid-19 dhe mungesa e tranpsarencës së ISHP

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img