BallinaPremtimeRama e Manastirliu premtuan plotësimin e spitaleve me mjekë specialistë, këta të fundit ende s’janë diplomuar

Rama e Manastirliu premtuan plotësimin e spitaleve me mjekë specialistë, këta të fundit ende s’janë diplomuar

ANXHELA RUÇI

Sektori i shëndetësisë në vendin tonë ka një sërë problematikash, por ndër më kryesoret mund të përmendim mungesat në burime njerëzore siç janë mjekët specialistë. Kjo problematikë është më e dukshme në spitalet rajonale, pacientët e të cilave detyrohen të udhëtojnë disa kilometra për të marrë një shërbim shpeshherë të munguar pranë vendbanimit të tyre.

Qeveria aktuale ka marrë disa masa për të mbuluar shërbimin e cunguar në disa spitale rajonale, nëpërmjet bonusit të mjekëve apo patronazhimit të spitaleve. Por një gjë e tillë duket se nuk është e mjaftueshme duke patur parasysh nevojat e pacientëve për të marrë shërbimin në çdo ditë të javës dhe orë të ditës.

Duket se kjo gjendje në spitalet rajonale do të merrte fund në janar të vitit 2019, të paktën kështu premtoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, premtim i përforcuar në jo pak raste edhe nga kryeministri Edi Rama.

Nga spitali i Kukësit, ministrja dhe kryeministri caktuan janarin e 2019-ës si periudhë kohore në të cilën i gjithë sistemi spitalor nuk do të kishte më mungesa mjekësh, pasi 300 mjekë specialistë do të përfundonin studimet dhe kështu do të plotësonin vakumin e krijuar prej kohësh.

“Në fillim të janarit 2019 përfundojnë 300 specializantët e parë dhe plotësohen të gjitha vakumet në gjithë sistemin,”- tha ndër të tjera ministrja Ogerta Manastirliu.

Postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama

Pacientët të cilëve iu është dashur të përplasen në dyert e spitalit e dinë tashmë që spitalet rajonale ende kanë mungesë të mjekëve specialistë, edhe pse jemi në muajin shkurt, e ky problem duhet të ishte zgjidhur një muaj më parë.

Në spitalin rajonal të Korçës ka gjashtë vende vakante për mjekë specialistë, ndërkohë që në Gjirokastër ka dy mungesa të këtyre mjekëve. Spitali i Fierit thotë se shërbimin e mjekut neurolog e mbulon me mjekë të tjerë që vijnë nga programi i patronazhimit apo huazon mjekun neurolog nga spitali bashkiak i Lushnjës. Ndërkaq spitalet rajonale të Elbasanit, Lezhës, Vlorës pranuan për “Faktoje” se nuk kanë mungesë mjekësh dhe se shërbimi është i mbuluar.

Megjithatë spitali rajonal i Vlorës dhe i Korçës do të mirëpresin 11 mjekë specialistë sapo të mbarojnë të gjitha procedurat, ndërkohë Dibra do të presë 8 prej tyre. Ndërkohë spitalet e tjera rajonale nuk i janë përgjigjur pyetjes sesa mjekë specialistë do të emërohen në fund të muajit mars.

Përveç komunikimit me spitalet rajonale për të mësuar më konkretisht për mjekët specialistë apo mungesat e tyre, ne kontaktuam edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila tha për “Faktoje” se këta mjekë specialistë që sipas Manastirliut dhe Ramës që prej janarit do të mbushnin vakumet, janë ende në bankat e auditorëve. Po sipas të njëjtit burim, brenda shkurtit mjekët përfundojnë specializimin, më pas ata duhet të aplikojnë për licensim pranë “Urdhrit të mjekut”, e në fund të emërohen në spitalet që kanë nevojë për këta mjekë specialistë. Në përllogaritjen kohore të ministrisë, i gjithë ky proces pritet të mbyllet në fundin e muajit mars.

Pra nga janari i këtij viti, koha kur sipas qeverisë një boshllëk i tillë duhet të ishte përmbushur, situata mbetet ende me mungesa përsa i përket mjekëve specialistë.  Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim. E ndërkohë, një pjesë e pacientëve që presin shërbim pranë vendbanimit, u duhet të presin ende përsa kohë mjekët specialistë të diplomohen të marrin edhe licencën për ushtrimin e profesionit. Tek pritëm kaq, mund të presim dhe disa muaj, e rëndësishme është që mjekët specialistë një ditë do të vijnë dhe do të ofrojnë shërbim në spitalet rajonale dhe bashkiake.

Duke qenë se jo vetëm janari por edhe shkurti i gjeti spitalet pa prezencën e mjekëve të rinjë specialistë, këtë premtim të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe kryeministrit Edi Rama do ta klasifikojmë si PREMTIM TË PAMBAJTUR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img