KLEVIS PALOKA
“Janë në Shqipëri 20 mijë italianë që punojnë dhe që bëjnë biznes”, kështu deklaronte kryeministri Edi Rama në emisionin “ Porta a Porta” të Bruno Vespës në kanalin italian Rai Uno.
Duke u nisur nga kjo deklaratë e Ramës, “ Faktoje” kontaktoi me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Institutin e Statistikave për t’i pyetur në lidhje me numrin e shtetasve italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Sipas ambasadës italiane, në Shqipëri jetojnë 2.497 shtetas italianë, ku 1.814 prej tyre janë me banim të përhershëm dhe 683 italianë janë me banim të përkohshëm.
Të njëjtës pyetje iu përgjigj edhe INSTAT. Lidhur me kërkesën e “Faktoje’’ se sa shtetas italianë punojnë dhe bëjnë biznes në vendin tonë, ky institucion deklaroi se nuk dispononte të dhëna për shtetasit italianë në Shqipëri dhe se për këtë duhet t’i drejtoheshim Ministrisë së Brendshme.
“Faktoje” komunikoi edhe me Ministrinë e Brendshme për ta pyetur në lidhje me numrin e shtetasve italiane që jetojnë në Shqipëri.
Sipas Ministrisë së Brendshme në Shqipëri jetojnë 2.572 shtetas italianë, ku nga këta vetëm 1.442 janë për arsye ose motive punësimi/ vetëpunësimi.
Dashur pa dashur kryeministri duke u përpjekur ta paraqësë gjendjen e Shqipërisë në sytë e italianëve sa më të bukur e ka shumëfishuar shifrën e italianëve që punojnë e jetojnë në Shqipëri. Duke qenë se shifrat e kryesocialistit Rama nuk përputhen me të dhënat e ambasadës italiane në Shqipëri dhe as me ato të Ministrisë së Brendshme, deklaratën e tij do ta kategorizojmë si GËNJESHTËR.