Radio iraniane nxit skepticizmin ndaj integrimit në BE të Shqipërisë

4

Pretendimi: Propozimi për një periudhë 15-vjeçare prove për anëtarët e rinj të Bashkimit Europian nënkupton se Shqipëria është ende vite larg BE

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————————————

Një postim (arkivuar këtu) i medias iraniane në shqip IranRadio Albanian pretendon se Shqipëria është ende vite larg BE. Për të mbështetur këtë pretendim të radios shtetërore të Teheranit sillet si provë propozimi i një periudhe 15-vjeçare prove për anëtarët e rinj të Bashkimit Europian.

Më 6 tetor 2026, Komisionerja e BE për zgjerimin, Marta Kos, paraqiti propozime për masa të posaçme, me qëllim mbrojtjen e Bashkimit nga udhëheqës që mund të shpërfillin vlerat demokratike dhe të marrin peng vendimmarrjen, duke marrë si shembull ish-kryeministrin hungarez Viktor Orban.

“Jo më Viktor Orbanë,” tha Kos. “Na duhen mekanizma më të shpejtë sesa thjesht Neni 7 [një sanksion që mundëson pezullimin e të drejtave të votës për një shtet anëtar], në rast se anëtarët e rinj do të vepronin kundër sundimit të ligjit, demokracisë apo vlerave tona.”

Sipas planeve që Kos publikoi, çdo shtet i ri anëtar i BE-së do t’i nënshtrohej një periudhe prove prej 15 vitesh. Gjatë kësaj kohe, atij mund t’i hiqen të drejtat e votës ose qasja në fondet e BE, nëse shkel vlerat themelore demokratike apo besnikërinë ndaj BE. Këto plane ende duhet të miratohen nga shtetet anëtare.

Neni 7 i traktatit të BE u lejon shteteve anëtare të heqin të drejtën e votës nga një shtet anëtar për “shkelje serioze dhe të vazhdueshme” të vlerave demokratike. Por ky opsion nuk është aktivizuar kurrë, pavarësisht diskutimeve të gjata rreth prapambetjes demokratike në Poloni dhe Hungari, nën qeveritë e mëparshme.

Sanksioni përfundimtar nuk u mor kurrë, kryesisht sepse dy aleatët e Evropës Qendrore përdorën të drejtën e tyre të vetos për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Sipas propozimeve të reja, pragu për pezullimin e të drejtës së votës ose ndonjë ndëshkim tjetër për shkelje të standardeve demokratike, do të ishte më i ulët. Një zyrtar i BE tha: “Ky është një risi e madhe dhe një mesazh i rëndësishëm për qytetarët në vendet më skeptike ndaj zgjerimit se ne kemi një kornizë shumë të fortë edhe nëse diçka shkon keq pas zgjerimit.”

Qartazi, ky mekanizëm i propozuar nuk ka të bëjë me procesin e integrimit, përfshi atë të Shqipërisë, në Bashkimin Europian, por me atë çka ndodh pas këtij integrimi.

“Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele në bashkimin tonë. Vendet duhet të përmbushin standarde shumë të larta sa i përket sundimit të ligjit. Duhet të jemi të sigurt se, pasi të anëtarësohen, ato nuk do të bien më kurrë nën ato standarde. Dhe kjo është ajo që kemi mësuar nga përvojat e së kaluarës,” tha Komisionerja për Zgjerimin.

Vetë Kos tha se besonte që zgjerimi ishte politikisht i mundshëm. “Shtetet anëtare e kuptojnë gjithashtu se çfarë është në lojë,” tha ajo, duke iu referuar garës për ndikim në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Ajo përmendi Rusinë dhe Kinën si “forca të jashtme destabilizuese, të cilat synojnë vendet tona kandidate.”

Duke e përshkruar zgjerimin si “interesin tonë strategjik”, ajo tha: “Nëse nuk jemi në gjendje ta integrojmë fqinjësinë tonë, dikush tjetër do të vijë [dhe] do t’i përdorë ato si armë kundër nesh.”

Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina janë aktualisht kandidatët kryesorë për t’iu bashkuar bllokut, ndërsa zyrtarët e BE shpresojnë se Mali i Zi mund ta bëjë këtë që në vitin 2028.

Më 13 tetor, krahë kryeministrit shqiptar, Marta Kos njoftoi se Shqipëria kishte mbyllur negociatat për Kapitullin 20 mbi Politikën e Ndërmarrjeve dhe Politikën Industriale, “reforma që do të ndihmojnë bizneset shqiptare të rriten dhe të krijojnë më shumë vende pune.”