BallinaNë lupën e FakteveQeveria tkurr premtimin për vaksinimin anticovid të popullatës, interesi i qytetarëve në pikiatë

Qeveria tkurr premtimin për vaksinimin anticovid të popullatës, interesi i qytetarëve në pikiatë

Vaksinimi i plotë i 70% të popullsisë deri në fund të qershorit është objektivi i radhës që vendosi Ministria e Shëndetësisë, pas dështimit të zotimit për vaksinimin e të gjithë popullatës brenda shkurtit 2022. Ekspertët i konsiderojnë të vakëta shanset, pasi interesi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka rënë. Madje në disa shtete raportohet se janë hedhur miliona doza të vaksinave anti Covid-19 të skaduara. Pak muaj më parë Ministrja e Shëndetësisë, premtoi mbërritjen e qindra mijëra dozave të vaksinës, por s’ka njoftim zyrtar për ndonjë kontigjent të ri. Vetë institucioni po i kalon në “heshtje” kërkesat për informacion që Faktoje i ka drejtuar në lidhje me këtë çështje.


Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë një direktivë të OBSH-së në qendrat e vaksinimit, ku përcaktohet se deri në fund të muajit qershor të këtij viti, 70% e popullsisë duhet të ketë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

“Sipas direktivës së OBSH-së, deri në fund të qershorit 2022 në Shqipëri duhet të jenë të vaksinuar me dy doza 70% e popullatës, për të siguruar një mbulesë të tillë vaksinale, që të kemi imunitetin e grupit”- deklaroi mjekja Bruna Shiroka, duke cituar direktivën.

Në lidhje me çështjen e vaksinave dhe nëse kanë mbërritur doza të tjera në vendin tonë, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 29 mars 2022

Ne nuk kemi marrë ende një përgjigje nga ky institucion, edhe pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Sa e mundur është të arrihet ky objektiv deri në fund të muajit qershor, në një kohë kur ka rënë interesi i qytetarëve për t’u vaksinuar?

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho thotë se e sheh të pamundur përmbushjen e zotimit, duke argumentuar:

“Bazuar në raportimet e derisotme në Shqipëri janë vaksinuar më pak se 45% e popullsisë në moshë mbi 12 vjeç. Në kushtet ku për të arritur objektivin 70% nevojitet të vaksinohet më tepër se 25% e popullsisë, mendoj se kjo është e pamundur. E bazoj këtë gjykim tek mënyra se si ka ecur fushata e vaksinimit deri tani, si dhe tek qëndrimet anti-VAX dhe no-VAX të shprehura nga segmente të gjera të popullatës.”- sqaron Dasho.

Nga ana tjetër, Faktoje mëson se stafi mjekësor në qendrat shëndetësore po përpiqet të nxisë qytetarët të vaksinohen.

“Isha te qendra shëndetësore për të marrë mjekimet dhe mjekja këmbëngulte që të vaksinohesha me dozën e tretë, duke përdorur argumente që të duhet për të udhëtuar jashtë vendit, apo edhe që është e detyrueshme”- tregon një 67-vjeçar.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Our World in Data deri më 14 prill në Shqipëri janë vaksinuar plotësisht vetëm 43% e popullsisë, ose 1.22 milionë banorë.

Screenshot nga Our World in Data, të dhënat deri më 14 prill 2022

Screenshot nga Our World in Data, të dhënat deri më 14 prill

Ritmi i vaksinimit

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, çdo 2 apo 3 ditë raportohet mbi ecurinë e vaksinimit

Në 1 prill raportohej për 2082 vaksinime në një ditë, ndërsa në 15 prill që ishte edhe përditësimi i fundit në faqen e MSH raportohej për 2,034 vaksinime. Nga 1-15 prill janë kryer 26.420 vaksinime.

Në muajin mars, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer 54.141 vaksinime.

Në muajin shkurt të këtij viti, pra nga data 2 shkurt deri në 28 shkurt janë kryer 89.834 vaksinime.

Krahasuar me muajin janar 2022, kemi një rënie të ndjeshme të numrit të të vaksinuarve. Më 5 janar, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer 8,841 vaksinime, ndërsa në 31 janar 1,606 vaksinime. Në total gjatë muajit janar, pra nga data 5-31 janar janë kryer 179.169 vaksinime.

Foto e shkrepur në janar 2022 në qendrën e vaksinimit në stadiumin “Air Albania”

Në një artikull të publikuar në muajin mars, Faktoje raportonte duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë që deri në atë kohë ishte vaksinuar 52% e popullatës.

Premtimet e ministres Manastirliu për vaksinat anti-Covid

Në tetor, ministrja Ogerta Manastriliu deklaroi se brenda këtij muaji pritej të vinin 170 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Ndërsa, në fund të dhjetorit 2021, ministrja e Shëndetësisë deklaroi në Kuvend se qeveria ka nënshkruar një kontratë të re me Pfizer për 1.5 milionë doza vaksine.

“Për shumëkënd nuk është më lajm, por më lejoni t’ju them se pak ditë më parë mbërritën mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer”.

Por në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka një njoftim për mbërritjen e këtij kontigjenti.

Në 28 shkurt, Manastirliu theksoi se për vitin 2022 është parashikuar blerja e 1 milion dozave të vaksinës Pfizer dhe 500 doza opsionale, ndërkohë që sasia e parë e dozave të kësaj kontrate, pritej të mbërrinte në vend brenda marsit. Deri më tani nuk raportohet zyrtarisht për mbërritjen e këtyre vaksinave.

Vaksinat stok dhe të skaduara

Faktoje iu drejtua me një tjetër kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, ku e pyetëm nëse në vendin tonë ka stok të vaksinave anti-Covid, ashtu siç po ndodh në të gjithë botën.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 19 prill 2022

Jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga institucioni në fjalë. Faktoje pyeti edhe ekspertin e Shëndetit Publik, Erion Dasho në lidhje me vaksinat e skaduara. Ai u shpreh se ka munguar transparenca në lidhje me këtë proces dhe gjasat që të ketë doza të skaduara të vaksinave të Covid-19 janë të larta.

“Në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë transparencë përsa i takon dozave të skaduara. Gjykuar nga ecuria e pakënaqshme e procesit të vaksinimit, ka shumë mundësi që të ketë pasur doza të skaduara që nuk janë raportuar”- theksoi Dasho.

Një artikull i “La Repubblica” tregon se në të gjithë botën janë hedhur 241 milionë doza të vaksinave anti-Covid, pasi kanë skaduar. Edhe pse në vendet e pasura ka një sistem të mirë vaksinimi, shumë qytetarë duket se kanë refuzuar të marrin injeksionet. Ndërkohë, në vendin tonë askush nuk e pranon që ka doza të vaksinave të skaduara, edhe pse të gjitha faktet të çojnë drejt kësaj logjike.

“Kemi shumë vaksina tashmë. Në frigoriferë në mbarë botën ka 2.3 miliardë doza që presin që të administrohen. Dhe vetëm në vendet e pasura, 241 milionë doza janë hedhur deri tani, sepse kanë skaduar”- thuhet ndër të tjera në artikullin e “La Repubblica”.

Mungesa e transparencës për vaksinat

Faktoje ka raportuar edhe më herët në lidhje me mungesën e transparencës nga ana e qeverisë për blerjen dhe administrimin e vaksinave anti-Covid.

Në një artikull të datës 10 shkurt 2021 raportohej se qeveria shqiptare kishte vendosur të përdorte fondin rezervë për blerjen e vaksinës kundër Covid-19, ndërkohë që vlera e kontratës mbahej sekret. Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2021 ishte 4 miliardë lekë në total. Por vetëm 35 ditë nga hyrja në fuqi e buxhetit të miratuar për vitin 2021, qeveria vendosi ndryshimin e tij me Aktin Normativ të datës 5.02.2021. Pas kësaj ndërhyrjeje ‘blitz’, Fondi Rezervë u shtua me 1 miliardë lekë.

21 maj të vitit 2021, Faktoje raportoi për firmosjen e marrëveshjes së dytë ‘sekrete’ për vaksinat nga Turqia, por edhe këtë herë çmimi mbetej sekret.

Pas konsultimit me ekspertë të ekonomisë, rezulton se janë shpenzuar rreth 28 milionë euro për blerjen e vaksinave anti-Covid në 9 mujorin e parë të vitit 2021.

“Fondi rezervë prej 9 miliardë lekë, i miratuar me ligjin nr.137/2020 ‘Për buxhetin e vitit 2021, të ndryshuar’, është i parashikuar të përdoret për: Raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, në masën 8 000 milionë lekë; Përballimin e kostos së zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021, në masën 1 000 milionë lekë.

Deri në fund të periudhës 9 mujore 2021, përdorimi i tij rezulton si më poshtë:

Fondi Rezervë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme është përdorur nëpërmjet 22 VKM-ve, për një vlerë totale prej 6 350.7 milionë lekë nga 8 miliard lekë të planifikuara ose rreth 79% për qind të planit.

Nga këto: 3 472.7 milionë lekë janë përdorur sipas VKM-ve përkatëse për kryerjen e pagesave për blerjen e dozave te vaksinave.

596.3 milionë lekë janë përdorur për shpenzime korente për përballimin e shpenzimeve për marrjen e masave te tjera anti-Covid19.

1 578.8 milionë lekë janë përdorur për shpenzime të tjera korrente (shpenzime operative dhe transferta të brendshme), rreth 702.7 milionë lekë janë akorduar për investime.

Në fund të 9 mujorit 2021, gjendja e papërdorur e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, rezulton rreth 1 649.3 milionë lekë.

Fondi Rezervë prej 1 miliardë lekë i planifikuar për përballimin e kostos së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021, është akorduar dhe përdorur sipas VKM-së përkatëse të miratuar për këtë qëllim”- argumenton eksperti.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img