BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingA po i shpëton xhepat e qytetarëve përcaktimi i produkteve të shportës nga Bordi i Transparencës?

A po i shpëton xhepat e qytetarëve përcaktimi i produkteve të shportës nga Bordi i Transparencës?

Bordi i Transparencës përcaktoi në fillim të prillit çmimet për 4 produkte të shportës, orizin, sheqerin, vajin e lulediellit dhe miellin. Ndërkohë, qytetarët shprehen se çmimet janë ende të larta dhe për ta është e papërballueshme jetesa në këto kushte. Një raport i Bankës Botërore që i referohet të dhënave të vitit 2017 thekson se 33.8 për qind e popullsisë jetonte me më pak se 5.5 dollarë në ditë, por si mund të mbijetohet në kushtet kur edhe çmimet e ushqimeve bazë njohin vetëm rritje?

Një vendim i marrë nga Bordi i Transparencës në fillim të këtij muaji dhe i pubikuar më 5 prill, përcakton çmimet e produkteve të shportës.

“Pas analizimit të këtyre marzheve, Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet t’i ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se: 104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg); 123 lekë/kg për sheqerin (1 kg); 321 lekë/litër për vajin e lulediellit; 90.5 leke/kg për miellin masiv”, përcaktohet në vendimin e Bordit të Transparencës më 5 prill.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në një prej supermarketeve në kryeqytet për të parë si variojnë çmimet për këto 4 produkte të shportës.

Çmimet për orizin varionin nga 104 lekë deri në 429 lekë për kilogramë. Ndërkohë, kishte lloje dhe çmime të ndryshme të orizit, në varësi të firmës prodhuese dhe cilësisë.

Çmimet e produkteve ushqimore bazë, 17 prill 2022

Çmimi i sheqerit ishte 115 lekë për kilogramë.

Çmimet e produkteve ushqimore, 17 prill 2022

Ndërkohë, çmimi i vajit të lulediellit, prodhimi vendas ishte 319 lekë për litër, por ndryshonte në varësi të firmës prodhuese.

Çmimet e produkteve ushqimore, 17 prill 2022

Në lidhje me çmimin e miellit për kilogramë, ai nis nga 99 lekë dhe më lart.

Çmimet e produkteve ushqimore, 17 prill 2022

Nga ana tjetër, qytetarët ankohen se çmimet janë shumë të larta, krahasuar me disa muaj më parë. Ata shprehen se e kanë të pamundur të përballojnë jetesën në këto kushte.

“Ne jemi pensionistë, ne po vuajmë si qeni! Me 120 mijë lekë, çfarë të bëj, të paguaj drita, ujë apo shpenzimet e gruas që është me trombozë?! Çmimet janë të larta krahasur me çfarë kanë qenë. Është turp, ne po vuajmë”- shprehet i moshuari.

“Ka vajtur një kile vaj 345 lekë, imagjonje tani. Bordi i ka rritur shumë çmimet, ky është realiteti”- thotë një tjetër qytetar.

Ne pyetëm edhe ekspertë, nëse vendosja e një çmimi tavan nga Bordi i Transparencës u linte mundësi ose jo bizneseve që të abuzonin me çmimet.

“Synimi i bordit është të ndalojë abuzimin jo të mbajë çmime të ulëta. Bordi ka caktuar një marzh fitimi për çdo produkt të shportës dhe në mënyrë periodike aplikon marzhin e fitimit mbi koston që kanë importuesit për çdo produkt. Le të themi që për vajin është caktuar marzh fitimi 10%. Nëse ai që importon vaj, e blen me 100 lekë litri, bordi cakton çmimin 110 lekë. Nëse kosto rritet në 200 lekë litri, bordi cakton çmimin në 220 lekë, pra kosto plus 10% se nuk mund t’i detyrojë importuesit ta shesin me çmim nën kosto e të falimentojnë”- argumeton eksperti.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, që i referohet të dhënave të 2017-s, 33.8 për qind e popullsisë jetonte me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë.

Screenshot nga dokumenti i Bankës Botërore

“Pavarësisht rritjes ekonomike, shkalla e varfërisë në Shqipëri ka mbetur e lartë. Në vitin 2017 (të dhënat më të fundit), 33.8 përqind e popullsisë jetonte me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë”- thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Në lidhje me çmimet e produkteve ushqimore, kryeministri Edi Rama bëri një inspektim më 20 mars në supermarkete dhe furra buke. Kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se nuk duhet të ketë abuzime me çmimet e produkteve në mënyrë që të mos rëndohet xhepi i qytetarëve.

“E rëndësishme është që ushqimet bazë të ulen dhe marzhi i fitimit të jetë minimal dhe mos të ketë abuzime në kurriz të njerëzve”- theksoi kryeministri Rama.

I pyetur nga Faktoje, eksperti Pano Soko shprehet se rritja e çmimeve në muajt e parë të këtij viti ka çuar në varfëri ekstreme një pjesë të madhe të popullsisë.

“Rritja e çmimeve në këto 3 muaj të parë të vitit, ka bërë që të gjithë ata 50% e popullsisë, që Banka Botërore i klasifikonte në prag varfërie, të kenë kërcyer tashmë në varfëri zyrtare. Inflacioni në nivelin 5.7% për Marsin ishte vrastar për familjet me të ardhura të ulëta të mesme dhe këto përbëjnë gati 70% të gjithë familjeve shqiptare.

E gjithë kjo situatë kërkon një sërë masash, orientuar drejt lehtësimit të konsumit, me qëllim ruajtjen e nivelit të konsumit në një stad të pranueshëm, që nuk do të kthente një krizë inflacioni në një reçesion ekonomik. Ulja e taksave dhe stimulimi me paketa fiskale për shtresat e ulëta, janë të domosdoshme për ruajtjen e nivelit të konsumit”, sqaron eksperti.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img